Ja dokumentacioni dhe hapat në përzgjedhjen e universitetit

888
Sigal

Fillojnë para-regjistrimet për vitin akademik 2014-2015 për studime në Itali

Naim Balluku & Beskida Aliaj

Duke filluar nga data 24 mars 2014, kanë filluar procedurat për para-regjistrimet, për studentët shqiptarë, që dëshirojnë të studiojnë në universitetet italiane. Patronati INAS Albania, në këtë fushë, duke dhënë kontributin e tij pa pagesë, ndihmon konkretisht, çdo student apo nxënës që është i interesuar për të studiuar ne universitetet apo shkollat italiane. Përsa më sipër, nxënësit dhe studentët, duhet të kenë parasysh, udhëzimin e nxjerrë nga Ambasada Italiane si më poshtë;

Studentët që dëshirojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane në vitin akademik 2014/2015 duhet të ndjekin udhëzimet e mëposhtme:

1) Nga data 24 mars deri në 30 qershor duhet të dorëzojnë personalisht dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e para-regjistrimit pranë Ambasadës Italiane. Për të paraqitur dokumentacionin duhet fiksuar një takim me anë të programit “Prenoto online” të faqes internet të Ambasadës;
2)  Nga data 2 qershor deri në 31 korrik 2014, do të dërgohet përmes Postës Shqiptare, Dëftesa e Pjekurisë (ose Diploma universitare në rastin e regjistrimit në +2) dhe dokumentacioni i nevojshëm për vizën për studim/universitet.
3) Nga data 1 korrik deri në 25 gusht 2014, Ambasada Italiane  do t’u lëshojë  vizën studentëve sapo të përfundojë vlerësimi i  dokumentacionit dhe do t’i dorëzojë të interesuarve (gjithmonë përmes Postës Shqiptare) pasaportën me vizë dhe dokumentet e legalizuar;

 

Faza e parë: paraqitja e kërkesës për para-regjistrimin

 (nga data 24 mars deri më 30 qershor 2014)

Studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e para-regjistrimit, duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit Prenoto Online, të kësaj faqeje internet, duke zgjedhur shërbimin “Regjistrimet Universitare”. Takimet mund të caktohen nga data 24 mars deri në datën 30 qershor 2014.

Studentët duhet të paraqitën personalisht në datën e takimit me dokumentacionin e mëposhtëm:

1. Formulari i regjistrimit (modello A) tërësisht i plotësuar por i pafirmosur.
Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare;
Lista e të gjithë degëve mund të konsultohet në adresën http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/ .

2. Formulari i autentikimit të fotografisë, tërësisht i plotësuar  por i pafirmosur.

3. Dëftesa e Pjekurisë dhe Certifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose kopje e njëjtë me origjinalin). Studentët që nuk zotërojnë më Dëftesën origjinale do të dorëzojnë një Vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve bashkë me ato të Maturës Shtetërore.
Nxënësit  e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme, që do të marrin Dëftesën në verën e 2014-ës, do të paraqesin një fotokopje të palegalizuar të formularit A1 me të cilin janë regjistruar on-line për provimet e maturës 2014. Këta nxënës duhet të dorëzojnë në Ambasadë dëftesën origjinale përpara lëshimit të vizës.

Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale), jo me numër të mbyllur, si psh. specializim ose kurs të shkurtuar duhet të dorëzojnë përveç dëftesës së maturës shtetërore, edhe Diplomën universitare, listën e provimeve dhe programin e detajuar të studimeve. Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do te marrin Diplomën brenda verës së vitit 2014, duhet të dorëzojnë një Vërtetim, me provimet e dhëna. Diploma përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës.

KUJDES! Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga Instituti Italian i Kulturës (Sheshi “Skënderbej” Pallati  Kulturës; tel. 04/2379580) ose nga njëri prej përkthyesve të betuar, lista me emrat e të cilëve është e publikuar në faqen internet të Ambasadës.

Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane, gjithmonë nga Instituti Italian i Kulturës (Sheshi “Skënderbej” Pallati  Kulturës; tel. 04/2379580) ose nga njëri prej përkthyesve të betuar, lista me emrat e të cilëve është e publikuar në faqen internet te Ambasadës.

4. Fotokopje e  Certifikatës së gjuhës italiane të nivelit B2 të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Perugia-s (CELI), Universiteti për të Huajt i Siena-s (CILS), Universiteti Roma 3, ose Shoqata “Dante Alighieri” ose nga ai Italian i Kulturës. Studentët që do të kryejnë provimin në sesionin e afërm për njohjen e gjuhës, mund të paraqesin regjistrimin në provim (këta studentë do të pranohen me rezervë në para-regjistrim; procedura e lëshimit të vizës do të përfundojë me sukses nëse kalohet provimi).

5. Fotokopje e pasaportës

6. 2 fotografi për dokument

7. Modulin e regjistrimit me kod, të shkarkuar nga portali www.universitaly.it, i cili vërteton regjistrimin, ekskluzivisht për studentët që duan të marrin pjesë në provimet e pranimit për “KURSET ME NUMËR TË MBYLLUR”.

Dokumentacioni duhet të dorëzohet në zarf, ku duhet të shënohen:
• Emri dhe mbiemri i studentit
• Universiteti, Fakulteti, Dega e studimit
• Numri i telefonit (celular dhe telefon fiks)
• Adresa e postës elektronike (e-mail)
• Zyra e Postës Shqiptare që mbulon zonën e banimit të studentit

KUJDES! Studentët që nuk kanë mbushur moshën madhore duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit ditën e paraqitjes së dokumentacionit.

STUDENTËT DUHET TË PLOTËSOJNË TË DHËNAT PERSONALE MBI ZARF DHE FORMULARËT ME SHKRONJA KAPITALE DHE ME GRAFI TË LEXUESHME

 

Box

Si duhet të veprojnë studentët në përzgjedhjen e universitetit

Hapi i parë: Futuni te kjo adresë website:

http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/

Hapi i dytë: Në anën e majtë të faqes, do të klikoni sipër aty ku shkruhet  nelle Universita italiane.

Hapi i tretë: Pasi të klikoni, aty do të hapet një faqe ku shkruhet Universita dhe poshtë kësaj fjale duhet të përzgjidhni universitetin e atij qyteti që keni menduar të ndiqni p.sh Universita Politecnico di Bari dhe klikoni Invia.

Hapi  i katërt: Do ju shfaqet një tabelë me disa kolona ku përmenden në kolonën e parë: FACOLTÀ   (këtu janë paraqitur të gjitha fakultetet që ofron ky universitet);

në kolonën e dytë: CLASSE DELLE LAUREE ( paraqiten disa shkronja si p.sh L = Laurea trienale ( pra cikli Bachelor – 3 -vjeçar  nga fillimi i studimeve universitare  ), LM = Laurea Magistrale ( a ciclo unico cikli 5 -vjeçar i pashkëputur në 3+2 ), LMG =  ( e sigurt që është 5 vjeçare, pra 5 vjet rresht ). Ju n.q.s jeni student që doni të filloni universitetin për herë të parë në ciklin 3 vjeçar fokusohuni tek shkronja L. Studentët që e kanë përfunduar ciklin 3-vjeçar ose janë në përfundim të tij duhet të fokusoheni te shkronja LM ose LMG.

Në kolonën POSTI PREVISTI PER STUDENTI STRANIERI do vëreni një numër që tregon numrin e vendeve  vakante që universiteti ofron për studentët e huaj.

Por duhet të keni kujdes, sepse në kolonën e fundit DI CUI        DETT do shikoni një lupë ngjyrë blu. Klikoni mbi lupën dhe do ju shfaqet një shpjegim. Shpjegimi ka të bëjë me numrin e përgjithshëm të vendeve vakante të rezervuara që do të jetë e barabartë me numrat e shpallura sipas kësaj kolone duke zbritur numrin  e vendeve që janë rezervuar nga projekti Marco Polo (projekt për vendet aziatike). P.sh:

FACOLTÀ CLASSE DELLE LAUREE CORSO TIPO
CORSO
SEDE POSTI
PREVISTI
PER STUDENTI
STRANIERI
DI
CUI
DETT.
AGRARIA L-25-Scienze e tecnologie agrarie e forestali Scienze e tecnologie agrarie C BARI 20   

Patronati INAS ALBANIA, jep të gjithë konsulencën e nevojshme, që nga fillimi i procedurave dhe deri në mbylljen e tyre për të gjithë studentët që paraqiten pranë zyrave tona. Të gjitha shërbimet tona janë FALAS, pa asnjë lloj pagese.

 

 

Nesër do të botohet:

Faza e dytë/ Dërgimi i dokumentacionit për kërkesën e vizës

Faza e tretë/ Dorëzimi i dokumenteve dhe pasaportës me vizë

(Vijon nesër)