Arkiva dhe dëshmi: Si lindi “Pazari i vjetër i Lushnjës”

800
Sigal

 Dëshmitë e para të tregtisë e lindjen e tregut në qytetit e Lushnjës datojnë në vitin 1848

Ç’të jetë vallë? A thua të ketë ngelur ndonjë gjurmë e tij në ditët e sotme? Po hanet e famshme të këtij qyteti të cilët prisnin e përcillnin udhëtarë dhe tregtarë të shumtë, a ekzistojnë më? Po pazari i vjetër ku ndodhej afërsisht? Mbështetur në gojëdhënat dhe në dokumente të kohës, mësojmë se “tregu” ose “pazari” siç e quanin banorët e vjetër lushnjarë ndodhej në lagjen “Derexhik”. Përpara Kishës ose përbri Kinoteatrit të sotëm. Dëshmitë e para të tregtarëve në qytetit e Lushnjës datojnë në vitin 1848. Ky fakt citohet në kronikat e udhëtarit anglez Eduard Lear. “Rrugës për në Lusnia, ai vendosi të qëndroj në një hanë, brenda të cilit pa se aty qëndronte një tregtar i ardhur nga Shkodra. Ndonëse kemi të bëjmë me një tregtar të vetëm dhe që ndoshta mund të ketë qëndruar aty thjesht për të kaluar natën, prapëseprapë ky ngelet një burim i çmuar për historinë e qytetin tonë. Megjithatë prezenca e tregtarëve dhe të një tregu në kuptimin e plotë të fjalës duhet kërkuar pas vitit 1870. Në atë kohë Lushnja, filloi të dallohej si qendër dhe te merrte pamjen e një qyteti. Duke qenë një qendër banimi midis jugut dhe veriut këtu kalonin kalimtarë dhe rreshperë (tregtar) të shumtë. Qarkullimi i tyre bëhej nëpërmjet karvanëve, me qerre, me kuaj, ose me gomar. Më të varfërit ecnin në këmbë. Mësojmë se dita e pazarit që prej vitit 1880 bëhej të hënën, pikërisht në këtë ditë fshatarë të shumtë dhe tregtarë të ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë, takoheshin në Lushnjë. Këtu ata shisnin çdo gjë duke filluar nga vezët, zogjtë, delet, lopët, keca, dhi, etj.. Përveç këtyre ata shisnin edhe drithëra, trastë me fasule, madje edhe poçeri të formave të ndryshme të ardhura nga Kavaja. Përveç shitjeve këtu tregtarët blinin edhe shumë prodhime bujqësore si misër, grurë, kripë madje edhe lëndë djegëse.

“Thuhet që çmimet e shitblerjeve lëviznin më keq se ethet e malaries”.

 Zakonisht tregtarët nga Kavaja vinin në qarkullim para metalike. Ndërsa “Parat e trasha” ata i qarkullonin për të blerë gjënë e gjallë, të bereqetit e të tjera. Thuhet që pazareve ju vihej emërtimi i sendeve që tregtoheshin, si p.sh Pazari i Bulmetit, Pazari i Rrogozave, i Shajakëve, Rrobave etj.. Në këto pazare tregtohej çdo gjë, madje edhe dëbora që merresh nga mali i Tomorit kur kjo kërkohej gjatë stinës së verës. Një ditë para se të mbahej pazari, tregtar të ndryshëm vinin dhe akomodoheshin në hanet më të njohura të qytetit: siHani i Salushes”, “Hani i Laskës”, “Hani i Qukut”, “Hani i Arapit”, dhe “Hani i Kalifasë”. Në këto vende vepronin rregullat “kavalereske” të asaj kohe. Pikërisht duke parë zhvillimin që mori qyteti dhe nevojat e tregut për hapësira më të mëdha, Bashkia e Lushnjës në vitin 1927 miratoi një plan rregullues. Më pas u bë rindërtimi i gjithë tregut, i dyqaneve dhe magazinave. Nga të dhënat e kohës del se numri i dyqaneve në vitin 1927 arriti në 45.

Niko Ferro

Muarrem Sharka