Informaliteti në arsimin parauniversitar, Malaj: Para përgjegjësisë dhe ish inspektorë të MAS

532
Sigal

Pas mbylljes së 12 shkollave private ka ardhur koha që të ketë edhe përgjegjësi penale për individë qoftë edhe brenda Ministrisë së Arsimit. Zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj ka deklaruar se do të shihen përgjegjësitë personale që kanë pasur grupet e inspektimit në ministri për punën që kanë bërë, ndërsa paralajmëroi se do të ketë edhe subjekte arsimore të cilat kanë mashtruar dhe kanë dhënë diploma të falsifikuara për nxënësit që do të kallëzohen në prokurori. “Kjo situatë na ka vënë përpara përgjegjësisë për të bërë një analizë të fortë, e para për mekanizmat e grupeve që ka pasur Ministria e Arsimit për kontrollin e këtyre subjekteve, për të parë individët të cilët janë edhe pjesë e sistemit, por që nuk kanë qenë të vëmendshëm, për të nxjerrë rast pas rasti detyrimin dhe përgjegjësinë ligjore, pse jo për të shkuar edhe tek subjektet arsimore të cilat mund ta kenë ushtruar këtë aktivitet në mënyrë të paligjshme, të palicencuar”, tha Malaj. 1 javë para fillimit të vitit shkollor ministria e Arsimit po vijon me inspektimet e shkollave private në kryeqytet ku sipas zëvendësministres, nëse do të ketë shkelje, sërish do të kemi institucione shkollore të mbyllura, por nga ana tjetër siguroi prindërit shqiptarë se para nisjes së vitit shkollor ata do të njihen me shkollat që plotësojnë standardet dhe japin dije konform rregullave. “Ka mbaruar dita e parë dhe sot është dita e dytë e inspektimit. Do përpilohet situate, do shikohen rezultatet dhe shumë shpejt do t’ia bëmë me dije popullatës në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë të qartë dhe të qetë, sidomos prindërit e fëmijëve, të jenë të qetë me regjistrimin e fëmijëve”, shtoi Malaj.