Dr. Ndriçim Mehmeti/ Çfarë pritet të sjellë viti i ri shkollor

518
Sigal

Viti shkollor që lamë pas ishte një vit i vështirë. Kjo, jo për faktin se përgjatë tij u shfaqën ngjarje të panjohura më parë për arsimin dhe as për faktin e ndonjë ndryshimi dramatik të papritur në vendin tonë. Përtej të gjitha këtyre hamendësimeve, me dorën tonë u përpoqëm ta bëjmë sa më të vështirë një vit shkollor. Edhe njëherë u ripërsërit refreni i njohur i këngës: “Morëm pushkët dolëm malit/të luftonim për atdhe/ ku e dinim ne të varfrit/se armiku ishim ne”.

Institucioni i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit u duk se do ta fillonte me këmbë të mbarë, duke ndryshuar emrin dhe në vend të shkencës fitoi atë që na kishte humbur më shumë, sipas qeverisë së re, sportin. Të jepej përshtypja se arritjet e mëdha në shkencë, duke lënë pas dore sportin, në një vend që është i dhënë kaq shumë pas tij, do t’i jepnin këtij të fundit një rëndësi të panjohur deri më atëherë. Po ashtu nuk ka asnjë mëdyshje se reformat e paralajmëruara më parë do të fillonin të viheshin në jetë. Që në fillim, duhet pranuar se çdo qeveri e re ka objektivat e saj dhe ndër të gjitha, arsimi zë një vend të veçantë. Në këtë kuptim, a e përdori qeveria të drejtën e saj për një arsimim më të mirë dhe cila është perspektiva e tij në vitin shkollor që do të fillojë?

Shumë zhurmë për asgjë

Drejtuesit e rinj të Ministrisë së Arsimit u kujdesën shumë që të tregonin ambiciet e tyre për një fytyrë të re në arsimin shqiptar. Për këtë ata menduan se fillimisht duhet të restauroheshin zyrat (përveç asaj të ministres që duhet pranuar se nuk pësoi asnjë ndryshim). Pas një zënke të vogël u zgjidh çështja se ku duhet të ishte zëvendësministri dhe ku duhet të ishte zëvendësministrja. Kjo e fundit preferonte zyrën e bollshme që mbante prej vitit 2009-2013, ndërsa të njëjtën dëshirë kishte edhe zëvendësministri i ri i ardhur nga “shoqëria civile”. Pa shumë zhurmë, zëvendësi i ri e zbriti nga froni të vjetrën. Kontributorët e zyrave të shtetit, përveshën mëngët dhe restauruan nga e para zyrën, që edhe ashtu siç ishte, kishte seriozitetin e një zyre shteti. Por në fund të fundit mirë bënë. Njeriu një jetë ka dhe do ta jetojë sipas shijeve të tij. Aq më tepër që, kur merr një post, dihet që zyra e shtetit përdoret si prona jote. Një tjetër arsye që bënë mirë është edhe fakti, se po të fillonin t’i bënin tani restaurimet e zyrave, mund të arrestoheshin për ndërtime pa leje. Kështu që, fillimi i mbarë, gjysma e punës. Po kështu edhe kati i dytë u shndërrua në një kantier pune, për ta bërë Ministrinë e re të Arsimit dhe Sportit një shembull të ndryshimeve në mentalitet dhe arkitekturë. Tani vinte radha e njerëzve. Në një takim pompoz, ministrja plot energji u deklaroi se do të punonte me të gjithë. “Asgjë s’ka ndryshuar – deklaroi ajo – vetëm një rotacion normal politik”. Dhe e mbajti fjalën. Që në nëntor u hartuan listat për 40 veta që duheshin larguar. Për disa prej tyre u ofrua me mirësjellje dorëheqja. Ata që pranuan konvertimin nga partia që doli në opozitë, në partinë e ardhur në pushtete, apo që u betuan se nuk kishin më punë me PD-në iu zbut dënimi, të tjerët dolën në diell. Deri në dhjetor kjo punë u bë. Aty nga pranvera u kujtuan se duhet të punonin. Dhe përsëri e filluan me këmbë të mbarë. U bënë konferenca, takime, publicitete për një arsim që po zhvillohej në rrugën evropiane, por që përfundoi në drejtimin Durrës-Tiranë-Kukës-Morinë-Prishtinë. Në takime mallëngjyese e plot patriotizëm e pathos me qeverinë në ikje të Thaçit, na u deklarua se kemi ecur qorrazi, e tani duhet të bëjmë të njëjtën kurrikulë, programe e tekste me Kosovën. Po kështu, Matura Shtetërore s’na duhej më, nuk na duheshin më shumë studentë, por më shumë profesionistë, nuk na duheshin juristë, por marangozë, nuk na duheshin universitet private dhe o burra t’i mbyllnim sa më shpejt, nuk na duhen filiale, por vetëm universiteti në Tiranë etj.. I gjithë ky lëmsh informacioni dhe agresioni mediatik për arsimin, qorrepsi pjesën më të madhe të njerëzve, që fërkonin sytë dhe disa të tjerë rrëmbenin me të shpejtë telefonin për të kërkuar ndonjë informacion më të detajuar. E gjithë kjo propagandë, uli siparin me provimet e suksesshme të MSH-së. Për herë të parë kishin mbetur mbi 33% e nxënësve, shifër që kënaqi ministren, kryetaren e MSH 2014, por mbi të gjitha Kryeministrin. Këtij të fundit i shndritën sytë, kur deklaronte suksesin, a thua se kjo shifër tregonte një bum të madh ekonomik. Po kështu u lanë hesapet, edhe me universitetet private. Një lum akuzash u hodhën për ata që i kishin licencuar, duke harruar se drejtuesit e sotëm të MAS dhe drejtuesja e rikthyer e Agjencisë së Akreditimit, nuk ishin pjesë e licencimit dhe akreditimit të këtyre institucioneve, së paku në vitet 2009-2013, apo 2005-2009. Por kjo është një çështje me të cilën duhet të merren vetë të prekurit nga kjo situatë.

Çfarë presim këtë vit shkollor

Kurrikulë të re, Provime të Lirimit e të Maturës me një format tjetër, plan mësimor të ndryshuar etj.. Duket që vendin kryesor në këto ndryshime do ta zënë sportet më shumë si: pingpongu, shahu, tenis dhe mbi të gjitha do të kemi për herë të parë, mësues fizkulture në linjë dhe jo “barkderra”. Si mund të realizohen të gjitha këto? Shumë thjesht, përmes metodës “shkatërrojmë që të ndërtojmë”. Qeveria, sikurse e përmenda, kishte një plan ambicioz për sportin. Për ta çuar më tej këtë plan, u investua nga vetë Kryeministri. Ai dha shembullin e tij personal, duke organizuar ndeshje basketbolli, duke mundësuar mbërritjen në Shqipëri, të kampionit të famshëm të shahut Kasparov e më pas duke dhënë këshilla se si duhet të mbanin trupin e tyre mësuesit e fizkulturës. Kryeministri dhe ministrja u zotuan se do t’i japin një tjetër rëndësi Edukimit Fizik në shkolla. Madje, gjatë takimit me Kasparov, u zotuan edhe për hartimin e një kurrikule për zhvillimin e sportit të shahut në vendin tonë. Tani pyetja më e thjeshtë për këtë vit të ri shkollor është: Meqenëse u deklarua se Edukimi Fizik do të zhvillohet në tri orë mësimore në javë, a është hartuar dhe miratuar plani i ri mësimor dhe programi përkatës i kësaj lënde? Më tej rreshtohen një sërë pyetjesh: Kujt do t’i hiqen orët e mësimit për t’ia dhënë edukimit fizik? Cili do të jetë fati i mësuesve që do të mbeten pa normë mësimore? A duhen mësues shtesë për zhvillimin e një ore më shumë të edukimit fizik dhe sa do të jetë efekti në buxhetin e shtetit? Pak ditë më parë z. Vejsiu në një postim në rrjetin social Facebook, bëri një përllogaritje të thjeshtë të orëve mësimore, mësuesve që duhen si dhe pasqyrimin e tyre në planin mësimor.

“Në vitin shkollor 2014-2015, lënda e Edukimit Fizik do të zhvillohet me 3 orë mësimore në javë, në të tre nivelet e arsimit parauniversitar:

1-Arsimi fillor, (klasat 1-5), nga 2/javë, në 3 orë/javë

2-Arsimi i mesëm i ulët, (klasat 6-9), nga 2 orë/javë, në 3 orë/javë

3-Arsimi i mesëm i lartë (klasa 10), nga 2 orë/javë, në 3 orë/javë

4- “ “ “ (klasa 11) nga 1 orë/javë, në 3 orë/javë

5- “ “ “ (klasa 12) nga 0 orë/javë, në 3 orë/javë

Në Arsimin fillor (klasat 1-5), 1 orë e edukimit fizik do të zhvillohet nga mësues me arsim të lartë të specializuar për këtë lëndë dhe 2 orë nga mësuesi i klasës, (siç është bërë deri më tani). Kështu shkruhet në një e-mail që i ka shkuar shkollave. Meqë është thjesht një e-mail, po mjaftohem vetëm me një përllogaritje të thjeshtë. Shtohen afërsisht 22100 orë të edukimit fizik. Për vitin shkollor 2014-2015, nëse vërtetë do të jetë kjo situatë në planin mësimor do të duhen plot 920 mësues shtese të edukimit fizik. A thua jemi kaq të pasur, sidomos në fshat? Nuk kam thënë gjë se po kaq mësues të lëndëve të tjera do të duhet të lënë vendin e punës. Uroj që mos ta kenë këtë fat mësuesit e matematikës dhe të shkencave (fizike, kimi, biologji). Jam i sigurt që në udhëzimin e fillimit të vitit shkollor 2014 -2015 nuk do parashikohet një ndërhyrje e tillë në planin mësimor. Mbase këtë gjë e kanë parashikuar ato të Drejtorisë së Sportit (nuk kanë faj, nuk e dinë se si procedohet me ndryshimet e planit mësimor).”

Edhe unë bashkohem me analizën e shkurtër dhe të plotë të z. Vejsiu, duke shpresuar që MAS, t’i japë një përgjigje të shpejtë këtij problemi, ose përndryshe të zhvillojë reformën, duke deklaruar me transparencë sesa mësues do të largohen dhe sa do rekrutohen të rinj, në zbatim të panit të saj për masivizimin e sportit në shkolla. Po kështu, Sindikata e Arsimit si partner social, që mbron të drejtat e mësuesve, duket të kërkojë më shumë transparencë në këtë drejtim. Gjithashtu, nuk duhet harruar fakti se, a ka pasur një studim të mirëfilltë për ta barazuar orët e Edukimit Fizik me orët e Gjuhës Amtare (në klasat 10 dhe 11), si dhe për të hequr orë aty këtu, në lëndë të rëndësishme si Qytetari apo Aftësimi për Jetën? Sa për hartimin e programit dhe kurrikulës së re të Edukimit Fizik, mbase e kanë të gatshme nga Kosova dhe nuk do të kërkojë shumë kohë për ta përshtatur. Gjithsesi, jemi vetëm pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor dhe dimë pak ose aspak për ecurinë e tij.

Alterteksti

Pikëpyetje të mëdha ka për Altertekst-in. Çfarë do të bëhet me librin shkollor? Pasi u anatemua e gjithë reforma në tekstet shkollore, u tha se nuk do të ketë më alternativa se do të bëjmë këtë e atë, e së fundi qarkullojnë fjalë se do të ketë vetëm dy alternativa. Në ç’mënyrë do të përzgjidhen dhe kush do t’i përzgjedhë, ende nuk dihet. Vetëm se një gjë e dimë të sigurt, që asgjë të qartë nuk ka në të ashtuquajturën reformë të re të tekstit shkollor. Po kështu po kalon në heshtje hartimi i tekstit të ri unik të historisë për arsimin parauniversitar. Askush nuk di se deri ku ka arritur puna e grupit të përzgjedhur për hartimin e këtij teksti, kur do të dalë ky tekst, kur do të hyjë në shkollat tona etj, etj.?

Matura Shtetërore

Një tjetër dilemë e madhe është sesi do të jetë Matura Shtetërore 2015. Në programin e qeverisë së re të shpallur, pas 23 qershorit 2013, u deklarua se Matura do të ishte një provim dalës dhe jo hyrës. Pra e thënë më qartë, maturantët do të zhvillonin provimet e maturës, me qëllimin e vetëm për të fituar diplomën e shkollës së mesme. Meqenëse nuk u arriti koha, apo edhe për të mos shkaktuar një rebelim të maturantëve në vitin 2014, provimet e maturës, vazhduan të kenë funksion të dyfishtë: Marrjen e diplomës së shkollës së mesme dhe konkurrimin për Universitet. Në muajin maj 2014, MAS botoi një raport paraprak, “Për reformën e sistemit arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, ku në faqen 23 të tij thuhet se, “në respekt të autonomisë së universiteteve, MSH-ja duhet të shërbejë vetëm si provim dalës që pajis nxënësit me diplomë të përfundimit ët shkollës së mesme”. Duke e marrë të mirëqenë këtë fakt, atëherë si do të zhvillohen provimet në Maturën 2015? Sa provime do të japin nxënësit? A janë më të nevojshme provimet me zgjedhje, kur përzgjedhjen për universitet të maturantëve do ta bëjnë këto të fundit?

Nga leximi i Udhëzimit nr. 23, datë 08.08.2014 “Për vitin shkollor 2014-2015 në sistemin arsimor parauniversitar”, të jepet përshtypja se maturantët do t’u nënshtrohen të njëjtave provimeve, kjo për faktin se periudha e provime të MSH, zgjat më shumë se një muaj, nga data 23 maj-30 qershor 2015. Për këtë arsye maturantët, por edhe ata që do të rezultojnë mbetës, apo shqiptarët dhe të huajt që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në Shqipëri në vitin 2015-2016, duhet të njihen që tani me rregullat e reja të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat. Nuk duhet harruar fakti se ndryshimet e paralajmëruara në MSH, Alterteks etj., duhet të shoqërohen edhe me ndryshimin e ligjit 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniveristar”.

A ka kohë për reformat e premtuara?

Pra ka shumë punë për të bërë, në mënyrë që të mos kemi as pështjellim të informacioneve të marra aty këtu dhe as mos të gjenden prindërit dhe fëmijët e tyre para surprizave të pakëndshme.

A ka kohë për t’i dalë përpara kësaj situate? Është e vështirë të thuash se në pak ditë apo muaj, mund të bëhen përmbysje të mëdha. Megjithatë, unë shpresoj shumë, që më së fundi ligjshmëria të sundojë mbi pasionet dhe dëshirat e drejtuesve të MAS, e që të ecim në rrugë të mbarë.

Unë jam i vetëdijshëm edhe për faktin se pas këtij shkrimi, një pjesë do të rrudhin buzët e do të thonë, “edhe ky s’na lë rehat. Të njëjtin avaz ka për arsimin”. Ndërsa ata që kanë gurin dhe arrën, do të përdorin të parin. Në vend të reflektimit, do të shfrytëzojnë çdo rast që të sulmojnë atë që shkruan. Mënyra më e mirë e ndëshkimit, është që të mos lejohesh të punosh më në shtet, e të humbasësh betejën e nisur ligjore me institucionin më të lartë të arsimit në Shqipëri.

Ndërsa sa i takon kritikave në shtyp, ka një mënyrë të njohur tashmë, për ata që qeverisin: Destinacioni i vetëm i këtyre kritikave tyre është harresa. Do të dalë një ngjarje që do të harrojë të parën, do të shpikim një gjë tjetër për të harruar dështimin. E kështu ata që qeverisnin shpresojnë se, të gjithë ata që shkruajnë (që për fat të keq kanë mbetur shumë pak) do të lodhen e një ditë do tundin kokën e do thonë, “E ç’më duhet mua të shkruaj, kur asnjëri nuk e çan kokën?”.

A do të arrijmë në këtë pikë, për atë sektor që na dhemb më shumë dhe që përcakton në një masë të madhe të ardhmen e vendit tonë: Arsimin?

 Malaj: Do mbyllim 13 shkolla të mesme private

 Përpos mbylljve të bujshme të universitetve, MAS do të mbyllë këtë vit shkollor dhe 13 shkolla të mesme private. Zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit Nora Malaj, është shprehur se do të ketë monitorime të forta për regjistrimet në shkollat e mesme po ashtu edhe inspektime në shkollat e mesme private ku 13 prej tyre këtë vit do të mbyllen. “Një grup i Ministrisë së Arsimit do bëje një inspektim tematik të përcaktuar, jo për t’ i parë ata me negativitet, por për të parë cilat janë pikat e dobëta dhe të forta, për të parë rastet, praktikat më të mira, por edhe të mos lejojmë abuzivitetet”, u shpreh Malaj.

Provimet maturës të sezonit të dytë

Maturantët që kanë ngelur në provimet e maturës apo nuk janë paraqitur në testim do do të japin provimet e vjeshtës në shtator. Data e provimeve janë: Më datë 10 shtator provimi i Gjuhës së Huaj, 13 shtator provimi i Gjuhës Shqipe dhe i Letërsisë, 16 shtator provimi i Matematikës dhe 22 shtator provimi i Lëndëve me Zgjedhje.

  Kaosi, studentët e universiteteve të mbyllura, pengje të MAS-it

 1 shtatori është afati i fundit për studentët, të cilët janë të regjistruar në 18 universitetet private, që u mbyllën me vendim qeverie, për të tërhequr dokumentacionin e çregjistrimit, në mënyrë që të regjistrohen në një universitet tjetër. Numri i studentëve që është prekur nga ky vendim është 5820, ndërkohë që pranë Ministrisë së Arsimit janë regjistruar me dhjetëra ankesa të këtyre studentëve, pasi nuk po arrijnë të marrin dosjet me dokumentacionin e domosdoshëm për të bërë çregjistrimin. Ankesat kryesore të studentëve kanë të bëjnë me mungesën e numrit të matrikullimit që duhet të ketë çdo student. Mungesa e këtij numri u ka sjellë studentëve probleme, pasi dosjet e tyre konsiderohen të pasakta në mungesë të këtij numri personal.

VKM-ja

Duke iu referuar VKM-së, se institucionet e arsimit të lartë që ju është hequr licenca kanë detyrim të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore-shkencore për vitin akademik 2013-2014, të plotësojnë dosjet e studentëve që janë në vijim të studimeve deri në fund të muajit gusht. Afati i fundit është data 1 shtator dhe nëse ka studentë që nuk kanë kërkuar të marrin dosjet, universitetet private e kanë detyrim që ato t’i dërgojnë në Ministri të Arsimit deri në datë 10 shtator. Ndërkohë që në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit në “Facebook”, studentët janë ankuar pasi u kanë shkruar personave përgjegjës në adresat e tyre elektronike, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Konkurset, nis maratona për artet dhe sportet

 Të gjithë kandidatët të cilët janë regjistruar në degët të cilët janë me konkurs, do iu nënshtrohen këtyre të fundit nga data 1 deri në 6 shtator. Ministria e Arsimit, ka përcaktuar datat për Universitetin e Arteve dhe atë të Sporteve.

 Universiteti i Arteve

Në Universitetin e Arteve më shumë rëndësi ka konkursi, pasi kandidatët do të fitojnë 70% të pikëve totale nga konkursi, ndërsa nga matura shtetërore vetëm 30% të pikëve totale. “Në Universitetin e Arteve të Tiranës rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore) të llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70%. Kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit, në programin ku ka konkurruar, sipas përcaktimit për program studimi, nuk fiton të drejtën e studimit” thuhet në udhëzim.

Universiteti i Sporteve

Ndërsa në Universitetin e Sporteve të Tiranës, po sipas të njëjtit udhëzim të MAS, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 50%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 50%.

Rezultatet e konkurseve

Konkurset e pranimit do të monitorohen nga përfaqësues të autorizuar të MAS, si dhe të Rektoratit. Ndërsa dekanët e fakulteteve janë përgjegjësit kryesorë për zbatimin e Rregulloreve të konkurseve të pranimit. Rezultatet e konkurseve të pranimit do të hidhen në portalin e Maturës Shtetërore online nga sekretaritë e fakulteteve, sipas procedurave të Udhëzimit teknik të dërguar nga AKP. Më pas listat të dërgohen brenda tre ditëve në Rektoratet përkatëse, në tre kopje, në formë shkresore dhe elektronike (në CD).