‘Bumi’ i shkollave private

1274
Sigal

Shkollat private të të gjitha niveleve kanë lulëzuar në dhjetë vitet e të fundit në Shqipëri. Ankesa për një sistem publik jo të favorshëm, me mbi-kapacitete dhe mungesë të kushteve, mësuesit që “luftojnë” për një vend pune dhe familjet që shtrëngohen me kuletat e tyre…

 

Pse frekuentohen shkollat private?

 

Shkollat jopublike të të gjithë niveleve janë shtuar shumë në Shqipëri, sidomos në fillim të vitit 2000. Arsyet e frekuentimit të këtyre shkollave private, 9-vjeçare dhe të mesme, lidhen kryesisht me faktin se në ato vite kishte mungesë të theksuar të infrastrukturës në shkollat publike në vend. Pak nxënës, mësues të përkushtuar, infrastrukturë moderne, transport. Shkollat private në vend ofrojnë mundësinë e qëndrimit pasdite në shkollë, ushqimit dhe akomodimit, studimin në ato ambiente, si dhe organizimin e shkollave verore.

 

Zgjedhje të tjera

 

Fëmijët e klasës së mesme në vend fillojnë arsimin privat që nga vitet e para të jetës. Kryesisht në kryeqytet, kemi parë një rritje të lartë të institucioneve parashkollore private, të nxitur nga fakti, se gratë duhet të riktheheshin në punë pas përfitimit të lejes së lindjes dhe se, kopshtet publike kanë kritere moshe për pranim, adresën e banimit për regjistrim dhe një fluks fëmijësh në çdo grup, që ka shkaktuar ndër vite mbi-kapacitetin në një mjedis shpesh pa kushte minimale. Një çerdhe private në kryeqytet kushton mesatarisht 17 mijë lekë. Shpenzimet për shkollat e ciklit 9-vjeçar dhe të mesme rriten më shumë. Mesatarisht, ato kushtojnë 20 mijë lekë në muaj, duke nisur nga 18 mijë për ciklin 9-vjeçar dhe 30 mijë për ciklin e mesëm të studimeve. Megjithatë, ndonëse paga mesatare sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e fundit të 2018 ishte rreth 50 mijë lekë, ajo që i detyron shumë prindër të shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave në edukimin e fëmijëve të tyre, përveç rëndësisë së madhe që i caktojnë shkollës, është performanca e ulët i arsimit publik shqiptar, gjë që u vu re sidomos në fillim të viteve 2000. Sipas disa prindërve në kryeqytet, ka mundësi për një shkollim më të mirë edhe duke frekuentuar shkollat publike, por kjo është gjithmonë e vështirë dhe e shtrenjtë, pasi përfshin pjesëmarrjen e shumë kurseve integruese që mësuesit e shkollave publike shpesh ofrojnë në mënyrë të paligjshme. Shtimin e numrit të institucioneve jopublike arsimore e kanë pritur mirë edhe mësuesit. Për to, është një mundësi e mirë për punësim dhe me pagë të mirë.

 

Treg i lirë por…

 

Tirana ka numrin më të lartë të institucioneve të edukimit jopublik parauniversitar krahasuar me rrethet e tjera, duke qenë se përqendrimi i popullsisë në këtë qark është më i lartë. ‘Bumi’ i përhapjes së shkollave private në të gjithë vendin u shoqërua në disa raste edhe me mungesën e kontrollit. Në nisje të vitit shkollor 2013-2014 u forcuan kriteret për hapjen e shkollave private, ashtu sikurse u mbyllën shumë syresh, kryesisht universitete. Megjithatë, pati mbyllje të shumta të numrit të shkollave private edhe në nivelin parauniversitar. Në këtë vit, u krijua Zyra për Zhvillimin e Arsimit Privat (DZHAP), pjesë integrale e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila monitoron dhe miraton krijimin dhe funksionimin e shkollave private. Të dhëna publike për masa ndaj institucioneve që nuk përmbushin kriteret nuk ka. Megjithatë, ndonëse ka pasur ndër vite mbyllje të shkollave private, numri i tyre është relativisht i lartë dhe reklamojnë aktivitetin e tyre si çdo kompani tjetër private. Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin shkollor 2017-2018, numri i institucioneve të arsimit privat (së bashku me universitetet) ishte 406. Udhëzimi i ministrit të Arsimit që mban datën 18 korrik 2013, sanksiononte standardet normative që duhet të përmbushin objektet që do të funksionojnë si institucione arsimore private. Më konkretisht, sipas këtij udhëzimi, ata janë: Klasë e zakonshme konsiderohet ai mjedis mësimor që ka një normativë sipërfaqeje shfrytëzimi prej 1.3-1.6 m²/nxënës; Nyjat hidrosanitare përfshijnë 1 boks për 40 djem, 1 boks për 30 vajza, si dhe 1 boks për administratën. Numri i bokseve duhet të jetë 3 për një grup, të ndarë me mure nga njëri-tjetri, si dhe duhet të ketë dhe katër lavamanë me ujë të pijshëm. Për edukimin fizik, subjekti që kërkon licencë duhet të ketë në dispozicion një palestër sportive (për shkollat nën 100 nxënës shfrytëzohet një klasë në katin përdhe me përmasa 60 m²) dhe një kënd sportiv jo më i vogël se 100 m². Objektet arsimore që vihen në dispozicion për nivele të ndryshme arsimimi (kopshte, shkollë 9-vjeçare dhe shkollë e mesme) të kenë mjedise që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. Për shkollat e arsimit bazë (sistemi 9-vjeçar) duhet të jenë në dispozicion, minimumi 9 klasa për ciklin e ulët dhe të lartë dhe dy dhoma mësuesish. Për shkollat e ciklit të ulët (6-vjeçar) duhet të jenë në dispozicion, minimumi 6 klasa dhe një dhomë mësuesish. Për shkollat e mesme të përgjithshme/profesionale duhet të jenë në dispozicion, minimumi, 5 dhoma mësimore. Për kopshtet të ketë minimalisht 3 dhoma mësimore. Tarifat për marrjen e licencës variojnë nga 35 mijë lekë të reja për ata që duan të hapin një kopsht deri në 70 mijë lekë të reja për ata që duan të hapin shkollë të mesme të përgjithshme. Për shkollë të ciklit të ulët fillor, pagesa është 45 mijë lekë, për shkollë të ciklit të lartë 9-vjeçar pagesa është 45 mijë lekë, për shkolla të mesme të përgjithshme 70 mijë lekë, për të mesme profesionale 60 mijë lekë dhe për institucionet për kurse plotësuese (IAPPRP) pagesa është 70 mijë lekë.

Pjesëmarrja në arsimin publik në rënie

Sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT, numri i të regjistruarve gjithsej në arsim, në vitin shkollon 2017-2018 ishte rreth 653 mijë persona. Në krahasim me vitin akademik 2013-2014 kemi rreth 134 mijë të regjistruar më pak. Rënie ka te të gjitha ciklet, por më e forta është në studentët e arsimit të lartë (-44 mijë), më pas në ciklin e mesëm (-32 mijë). Në vitin shkollor 2017-2018, në arsimin parauniversitar ishin të regjistruar 520.759 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 2,9%, krahasuar me vitin shkollor 2016-2017. Rënia e numrit të nxënësve në vlerë absolute, ndjek rënien e popullsisë së grupmoshës që i përket arsimit parauniversitar. Në vitin shkollor 2017-2018, në arsimin parashkollor e frekuentuan 81.026 fëmijë, ose 80,3% e popullsisë së kësaj grupmoshe, duke shënuar ulje prej 1,2 pikë përqindje, krahasuar me vitin paraardhës. Raporti i Regjistrimeve Neto (numri gjithsej i nxënësve sipas grupmoshës teorike për një nivel të caktuar të arsimit të regjistruar në atë nivel, i shprehur si përqindje e popullsisë në atë grup moshë) për fëmijët në kopshte është 76,3%. Në vitin shkollor 2017-2018, numrin i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ishte 319.671, duke shënuar një ulje prej 2,5%, në të dy ciklet e arsimit 9-vjeçar. Të regjistruarit e grupmoshës 6-14 vjeç, përbëjnë 96,5% të të regjistruarve në arsimin 9-vjeçar, me rritje prej 4,2 pikë përqindje nga viti shkollor 2016-2017. Në vitin shkollor 2017-2018, u regjistruan 92,7% e nxënësve të arsimit 9-vjeçar në institucionet e arsimit publik dhe 7,3% në privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9-vjeçar, vajzat zënë 47,4%. Në vitin 2017-2018, pjesëmarrja e nxënësve në arsimin e mesëm është 93,9%, duke shënuar rritje prej 0,8 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë. Pjesën më të madhe të nxënësve në arsimin e mesëm e përbëjnë nxënësit e gjimnazit prej 79,4%. Në vitin shkollor 2017-2018, arsimi publik përfshin 88,4% të nxënësve të arsimit të mesëm gjithsej. Në vitin shkollor 2017-2018, mësuesit e arsimit 9-vjeçar janë 24.790, ndër të cilët 73,9% e tyre janë femra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 17,8 dhe në atë privat është 15,0. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9-vjeçar, raporti nxënës për një mësues në publik është 10,1 dhe në atë privat 7,7. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm është 8.941 prej të cilëve 66,2% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm është 13,8 në arsimin publik dhe 8,7 në atë privat.

Shqiptarët me shpenzimet më të larta për arsimin në Evropë. Të dhënat e INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës, treguan se pesha e shpenzimeve për arsim arriti në një nivel rekord, prej 4.4% të totalit të konsumit në 2017, nga 1.7% që ishte një dekadë më parë. Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit në fund të vitit 2017, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian. Mesatarja e Bashkimit Evropian është 2.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin shkollor 2016/2017, numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në arsim në Shqipëri ishte 596 mijë, nga të cilët 24% ndiqnin arsimin e lartë.

Nga Deada Hyka