DAR Vlorë “vret” ëndrrën e fëmijëve të talentuar

1399
Sigal

Si u spostua fituesja e Olimpiadës së Matematikës në Vlorë, nxënësja Seli Lulaj. Flet babai: Më traumatizuan vajzën

DAR Vlorë “vret” ëndrrat e fëmijëve të talentuar. Nxënësja Seli Lulaj, fituesja e vendit të parë të Olimpiadës së Matematikës për klasat e shtata në Vlorë, dje u traumatizua kur pa një vajzë tjetër në vend të saj në Olimpiadën Ballkanike që u zhvillua dje në Durrës. Të bën habi “lufta” që bëhet për t’ia hequr të drejtën nxënësve të talentuar dhe për t’ia dhënë atë një fëmije tjetër, sepse kështu dëshirojnë të rriturit. Fëmijët nuk bëjnë luftë, ata thjesht sfidojnë dijet e tyre. Ndërsa institucionet arsimore shtetërore duhet të mbështesin fëmijët e talentuar si Seli dhe të mos plagosin ëndrrat e tyre. “Më bëjnë përshtypje gjithë këto intriga të turpshme, edhe me fëmijët”, shprehet për “Telegraf” babi i nxënëses, Bujar Lulaj. Ai tregon për gëzimin e vajzës dhe të familjes kur u shpall fituese e vendit të parë në Olimpiadën e Matematikës në Vlorë për klasat e shtata. “Na uruan të gjithë: mësuesit, të afërm, shokë e miq. Nuk mund ta kuptoni dot gëzimin e vajzës sime. Puna dhe mundi iu shpërblyen”, thotë z. Lulaj. Madje ai tregon se edhe pse vajza kishte fituar vendin e parë, ai kishte shkuar të ankohej për pikët, pasi vajza ishte e sigurt që meritonte shumë më tepër. Seli kishte fituar  58 pikë nga 75 të mundshmet. “Por edhe pse e kërkova që të rishikohej dhe një herë testi, punonjësit e DAR Vlorë u habitën duke më thënë: Akoma nuk je i kënaqur, ka fituar vendin e parë?”, tregon babai i Selit.

 Odiseja e babait të Selit

 Gjithsesi për Selin dhe familjen e saj nuk kishte mbaruar gjithçka. Ata prisnin me padurim Olimpiadën Ballkanike ku Seli do të merrte pjesë si përfaqësuese e rrethit të Vlorës. Ajo e pyeste çdo ditë të atin se kur do të zhvillohej olimpiada dhe i ati përditë pyeste te “Qendra e fëmijëve” për të marrë vesh. 2 javë para se të zhvillohej olimpiada e djeshme, z. Bujar Lulaj merr vesh se vajza e tij ishte postuar “me shumë lezet” nga DAR Vlorë dhe “Qendra e fëmijëve”, duke vënë në vend të saj si fituese të vendit të parë një tjerë vajzë, me pretekstin se Seli dhe shkolla e saj e kishte refuzuar marrjen pjesë në Olimpiadën Ballkanike të Matematikës. Menjëherë z. Lulaj shkon të sqarohet me drejtuesit e shkollës së vajzës, por drejtori i shkollës e përgënjeshtroi këtë skandal si në Drejtorinë Arsimore, ashtu dhe te “Qendra e fëmijëve”. “për 12 ditë rresht kam bërë ecejake sa te drejtoria arsimore, sa te “qendra e fëmijëve, deri sa më mbushën mendjen se vajza ime do të merrte pjesë në olimpiadë. Ndërkohë vajzës sime unë nuk i kisha treguar asgjë, se nuk doja që ajo të vuante”, thotë z. Lulaj. Kur shkuam në Durrës, edhe ne hymë bashkë me prindërit dhe nxënësit e tjerë pjesëmarrës në këtë olimpiadë. Çdo qytet kishte emrin e përfaqësuesit të vet të shkruar mbi tavolinë. Edhe Vlora kishte emër dhe mbiemër, por nuk i përkisnin vajzës sime. Vajza u traumatizua, s’po kuptonte asgjë. Ndërsa unë ngrita zërin për të kërkuar të drejtën e vajzës sime. Po ç’faj më kishin mua ata? Të tjerë ishin mëkatarët. Duke qenë se çdo qytet kishte vetëm një përfaqësues, ata nuk deshën të fusnin vajzën time në radhët e moshatarëve të vet. Gjithsesi e futën në një cep, duke parë gjithë vendosmërinë time për t’i shkuar deri në fund të drejtës. Më erdhi keq për vajzën time. Ç’faj kishte ajo? Epo të arrijë intriga dhe poshtërsia dhe te një fëmijë!” flet i revoltuar dhe i prekur babai i Selit. Z. Lulaj nuk do të flasë për vajzën tjetër. Për të, edhe ajo fëmijë është, s’ka pse të diskutohet. “faji është i sistemit, i të rriturve. Fëmijët nuk bëjnë luftë” thotë babai i selit.

 Si u ndërruan vendet e fituesve

 z. Lulaj tregon se edhe pse vajza e tij ishte shpallur fituese, kishin kërkuar fort edhe për një fituese tjetër (se kush?). Ata e kishin barazuar me pikë me vajzën e tij dhe kaq kishte mjaftuar për t’i zënë vendin e parë Selit. Mjaftonte që të shpiknin refuzimin e Selit dhe çdo gjë ishte në rregull. Z. Lulaj akuzon DAR Vlorë dhe “Qendrën e Fëmijëve”  për ëndrrën e vjedhur vajzës së tij. Ai thotë se të dy këto institucione mund ta kishin bërë diferencën midis vajzave që në Vlorë, pa ardhur deri në Durrës. “Unë s’mund ta vendos më vajzën në kushte të tilla. Ajo kurrë s’do mund të konkurrojë më si më parë. Unë di që vajza ime doli fituese e vendit të parë në Vlorë dhe ai vend në Durrës, në Olimpiadën Ballkanike, i takonte asaj dhe askujt tjetër. Vajza që mori pjesë në olimpiadë në vend të saj, kishte fituar vendin e tretë”, përfundon z. Lulaj.