Asije Hoxha: Letërsia e vjetër shqipe në tekstet shkollore, pasqyrë e gjymtuar e zhvillimit historik të saj !

374
Sigal

Letërsia e vjetër shqipe në tekstet shkollore pasqyrë e gjymtuar e zhvillimit historik të saj!

Sot në programet mësimore të teksteve të letërsisë 2016-2019 mungon“Shkrimi i vjetër shqip” me dokumentet e para në gjuhën shqipe

Asije Hoxha

 

Më 27 shkurt 1967 Enver Hoxha mbasi mori masa drastike në shkatërrimin e kulteve fetare shprehet: “ Ne nuk kemi lënë asnjë nga shkollat, qoftë edhe të ulëta, nga dilnin klerikët e rinj, për të interpretuar doktrinën e tyre fetare. Kështu që klerikët e çdo besimi në vendin tonë kanë shteruar vazhdimisht si kuadro….”  Në anën tjetër feja vërtitej, pa pushim brenda Shqipërisë. Enver Hoxha mendoi se ia arriti të zëvendësonte Zotin për popullin e vet. Këtë nuk e arriti jo vetëm në ndërgjegjen e njerëzve, por edhe në tekstet shkollore të lëndës: “ Letërsia e vjetër shqipe”. Gjatë tërë kohës bashkëjetonte lufta kundër fesë me ndriçimin e saj rrezatues në aspektin historik dhe kulturor. Në librat shkollorë deri në vitin 1990 letërsia fillonte me “Dokumentet e para të shqipes së shkruar. A mund të hiqej, fraza e parë e shkruar e gjuhës shqipe ?“Nuk di ndonjë tjetër gjuhë ,-shprehet Ismail Kadare që frazën e parë të gjuhës së saj ta fillojë me një formulë pagëzimi! Dhe “Formula e Pagëzimit” hapte tekstin mësimor të letërsisë së vjetër shqipe: “Uhte’paghesont per emetit Atit et birit et spertit senit” 8 nëntor 1462.

Në tekstin mësimor shkollor të vitit 1977 vazhdojmë të lexojmë :- Kryepeshkopi i Durrësit Pal Ëngjëlli, (1417-1467), këshilltar i Skënderbeut, gjatë një vizite që bëri në dioqezën e tij vuri re çregullime në punët e fesë. Me këtë rast ai dha urdhëra dhe udhëzime, të cilat edhe i shkroi. Ndër të tjera , ai jepte lejën që në rast nevoje në atë kohë luftërash prindërit t’i pagëzonin fëmijët duke përdorur shqip formulën e mësipërme të pagëzimit.

Dokumenti i tretë i shqipes së shkruar që jepet po në këtë tekst titullohet “Perikopeja e Ungjillit të Pashkës”, shek XV-XVI: me pjesë të zgjedhura nga Ungjilli, që përdoret gjatë ushtrimit të riteve fetare. Ja dhe fragmenti:: “prej shin Matthe ungjill. Evanshintë e prëmte e madhe. E më nesër që nesër, që ishte më të premte u mbëlodhë priftërinj e farisej, thanë…” (me gjuhën e vjetër shqip)

Nxënësve për të kuptuar përmbajtjen, u shpjegohet në tekst fjalori fetar i përdorur. Kështu lexojmë:

Perikopeja -pjesë e zgjedhur ungjilli, që përdoret gjatë ushtrimit të ritit në kishë. Ungjilli-libër ku jepen elementet themelorë të dogmës së krishterë. Pashkë-festë fetare e të krishterëve etj.

Edhe fillimet e letërsisë shqipe nisin me vepra me karakter fetar dhe me autorë klerikë.

Libri i parë në letërsinë shqipe njihet “ Meshari”1555, i Gjon Buzukut: prift në Malësinë e Mbishkodrës. Rëndësia e këtij libri është e jashtëzakonshme, për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Me gjithë sloganin “Feja opium për popullin”, megjithë që Libri i parë i gjuhës shqipe, Meshari i Dom Gjon Buzukut, ndonëse u botua për herë të parë më 1968 pasi e punoi për dhjetë vite gjuhëtari Eqrem Çabej i porositur nga Instituti i Shkencave, tirazhi i tij u burgos i gjithi në bodrumet e Akademisë së Shkencave: Por Enveri ishte i detyruar t’ia transmetonte nxënësve librin e parë shqip me përmbajtje fetare!

Shkëputim një fragment nga Meshari “U Donih Gjoni, biri hi Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonëh nukë kish gjaa të endigluom e nsëh shkruomit shenjtë, së botësë sanëh  desha dhe u mundova për saa meh ditunëh, meh zdritunë pak mendëtë e atyneh që e endiglonjinëh…

Ky libër përmban librin e meshës, prandaj u quajt Meshar. Është jo vetëm një përkthim lutjesh fetare, por dhe një vepër me elemente letrare si parathënia ku autori flet për biografinë e tij, dhe qëllimin e mirë për t’u dhënë shqiptarëve një libër prej shkrimit të shenjtë.

Autor tjetër që lexojmë në tekstin shkollor është prifti PjetërBudi( boton librin me karakter fetar Doktrina e Kërshterë. Në tekst, 1977, është vendosur edhekopertina me titullin DOTTRINA CHRISTIANA, dhe shpreh qartë se kemi të bëjmë me një libër fetar! Pas PjetërBudit në letërsinë shqipe erdhi Frang Bardhi. Edhe Bardhi si Gjon Buzuk e Pjetër Budi ishte prift. Për Frang Bardhin në tekstin mësimor lexojmë:” tue pasun ditë e përditë, të dashunitë e mij, mbasi hina ndë kolegj… (shkollë fetare ku shkoi të studionte Bardhi). Në letërsinë e vjetër shqipe erdhi edhe Pjetër Bogdani, një nga mendjet më të gjera e të ndritura të botës shqiptare. Ai përktheu vepra fetare ndër më e rëndësishmja “Çeta e profetëve”.

Transmetimi i vlerave fetare, realizohej në shkollë nëpërmjet tekstit të letërsisë së vjetër shqipe. Regjimi ishte i detyruar, sepse nuk mund të mësohej dhe shpjegohej fillimi i letërsisë shqipe me Bejtexhinjtë që shkruan në vitet

Nëpërmjet letërsisë ripërtëriheshin herë pas here ndjenjat fetare të mbyllura fizikisht nga regjimi.

Për t’u ardhur në ndihmë mësuesve të lëndëve shoqërore Instituti i Studimeve Pedagogjike botonte ose ribotonte materiale teorike- metodike edhe me karakter fetar si: Libri “Parashtrimi i alfabetit adoptues në Konferencën e ipeshkëvet shqiptarë në Shkodër (maj 1902). Letërsia, arti, kultura shqiptare në fillimet e saj, përfaqësohej nga fetarë që kishin mbaruar në shkolla dinjitoze. Në çdo ngjarje historike, ka venë vulën shqiptari fetar. A mund ta zhdukte një Enver i vetëm me një rregjim totalitar ndjenjën e fesë? Fakti që pas viteve 1990 , populli si i etur e bëri fenë jetë të dytë të tij, është dëshmi e qartë që shpreh se lufta ndaj fesë ishte një përpjekje e kotë.

Kaluan vite dhe Enveri kënaqej me shifra: Në ditën e Bajramit, në përgjithësi, nuk pati mungesa në punë, siç ndodhte vitet e tjera, po ashtu në shkolla nuk pati mungesa të fëmijëve siç ndodhi p.sh. vjet, ku në disa fshatra të rretheve të Krujës, Tiranës, Peshkopisë etj, ditën e Bajramit mungonin shumica e nxënësve. Po kështu ndodhi edhe me Pashkët që ishin në fund të prillit…

Kapitulli “Letërsia e vjetër shqipe”në program 2016, përfaqësohet vetëm me njohuri për disa autorë si Marin Barleti, Pjetër Bogdani, Pjetër Budi. Të habit fakti që libri i parë në letërsinë  shqipe “Meshari” i Gjon Buzukut 1555 , në programet dhe tekstet mësimore në demokraci as si emër nuk përmendet!

Por realiteti foli ndryshe:

Po në muajin nëntor të vitit 1990, sapo filluan lëvizjet demokratike në zemrën e popullit të Shkodrës një prift katolik, Don Simon Jubani, i vuajtur burgjeve komuniste, si të gjithë priftërinjtë e tjerë, me guximin dhe përshpirtmërinë që e karakterizonte, mbajti meshën e parë, 23 vite pas meshës së fundit me një dritë shprese drejt lirisë së fesë. Mitizimi që i bëri Enveri vetes, si një zot që kishte zëvendësuar fenë, duke krijuar kultin e tij të individit u shkërmoq po në muajin nëntor.

Koincidencë apo rastësi nuk ka rëndësi. Feja është rrotulluar në shekuj brenda një muaji, brenda muajit nëntor: Përkime që në fund të fundit kthehen në origjinë.

NËNTORI i PARË. 8 Nëntor 1462. Fraza e parë në gjuhën shqipe është me karakter fetar: (Unë të pagëzoj për emënit Atit e t’ birit, e t ‘shpirtit të shenjtë).

NËNTORI i DYTË. 8 Nëntor1941. Paralajmërim për luftën ndaj fesë me sloganin “Feja opium për popullin”

NËNTORI i TRETË. Nëntor 1990. Mesha e parë pas 23 vitesh si një “nëntor” i bardhë për Shqipërinë.

 

Po historia e fillimit të shkrimit dhe letërsisë shqipe si pasqyrohet sot?

Shfletojmë:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT

Kurikula e bërthamë –Lënda : Letërsi –Klasa  X  2016

FOLKLORI – Tiparet dhe vlerat e folklorit. – Llojet e krijimtarisë gojore. – Vlerat e lirikëspopullore. – Epika popullore, nënndarjet, vlerat e saj. (Eposi “Cikli i kreshnikëve”)… ANTIKITETI – Vështrim i përgjithshëm për letërsinë greke dhe latine. – Përfaqësuesit dhe veprate tyre kryesore… Homeri – Eskili – Euripidi −  RILINDJA EUROPIANE − Vështrim i përgjithshëm rreth zhvillimit të Humanizmit dhe të Rilindjes Europiane si lëvizje e rëndësishme kulturore, letrare dhe artistike. − Filozofia dhe zhvillimi i saj. − Përfaqësuesit kryesorë në Europë. Aligeri − Barleti − Momentet kryesore të jetës dhe krijimtarisë së Marin Barletit. − Vendi që zë Barleti në kulturën dhe historinë tonë. Marin Barleti (vepra “Histori e Skënderbeut. Letërsia e vjetër shqipe − Vështrim i përgjithshëm. − Përfaqësuesit kryesorë dhe veprat e tyre. Letërsia e vjetër shqipe (Bogdani “Këngët e sibilave” dhe disa poezi të Budit) Servantes − Shekspir – Klasicizmi – Vështrim i përgjithshëm. – Tiparet dhe parimet estetike. – të klasicizmit në letërsinë shqipe (Ethem Haxhiademi). Molier −(komedia “Tartufi”.

 

Këto janë temat mësimore që duhet të përbëjnë përmbajtjen e tekstit mësimor “Letërsia X.

Pra: Sot në programet mësimore të teksteve të letërsisë 2016-2019 mungon“Shkrimi i vjetër shqip” me dokumentet e para në gjuhën shqipe. Enver Hoxha, megjithëse e shpalli Shqipërinë, vendin e parë “ ateist” në botë, zhduku kultet dhe ritet fetare duke vepruar ligji me gjithë egërsinë e tij. Mjafton të kujtojmë ngjarjen në vitin 1971, ku Dom Shtjefën Kurti, pushkatohet vetëm se kishte pagëzuar një fëmijë.

Rasti i Nënë Terezës, megjithëse e njohur në botë si bamirëse shqiptare , përkundër lutjeve të saj për të ardhur në Shqipëri dhe për të takuar nënën e vet, Enveri nuk e lejoi asnjëherë të shkelte në tokën shqiptare, një grua që në emër të fesë bënte bamirësi.

Por, ndaj shkrimit të vjetër shqip Enveri u ndodh në udhëkryq! Megjithëse dokumentet e para në gjuhën shqipe kishin karakter fetar dhe autorët ishin klerikë i dha notë kaluese, sepse shtrembërohej historia. Historia e shkrimit të vjetër shqip nuk mund të kuptohej pa shkrimet e para në shqip! “Formula e Pagëzimit”, “ Ungjilli i Pashkëve ” „Meshari‘ etj. Feja vërtitej- dhe futej natyrshëm edhe në tekstet shkollore.

Ndërsa tekstet e sotme shkollore e kalojnë këtë periudhë në heshtje duke mos dhënë asnjë udhëzim në programin mësimor.

Kapitulli “Letërsia e vjetër shqipe”në program 2016, përfaqësohet vetëm me njohuri për disa autorë si Marin Barleti, Pjetër Bogdani, Pjetër Budi. Të habit fakti që libri i parë në letërsinë e vjetër shqipe “Meshari” i Gjon Buzukut,1555, megjithëse me karakter fetar dhe shkruar nga një prift mësohej në tekstet e periudhës komuniste, ndërsa në programet dhe tekstet mësimore në demokraci as si emër nuk përmendet!

Gjon Buzuku është autor i parë shqiptar dhe tekstit të parë letrar shqip. Si mund të fillojë letërsia shqipe me Pjetër Bogdanin sipas këtij programi një shekull më vonë se Gjon Buzuku!?

Gjon Buzuku nuk është thjesht përkthyes. Meshari përmban librin e meshës, por kemi dhe disa mendime krijuese dhe shpirtërore të Buzukut në shënimet e pakta autobiografike në parathënien e libri.; ose te “Kënga e Këngëve II” kemi një tekst poetik ku tekstin biblik e rindërton mbi bazën e dialogut midis të dashuruarve. Pra, interpretimit biblik Buzuku i jep një interpretim të tij letrar! Nëpërmjet këtij përkthimi kemi edhe përshtatje, që përbën elementet e para të zhvillimit të letërsisë së vjetër shqipe. Në kohën e monizmit edhe pas ndalimit të fesël, jepeshin disa njohuri edhe me karakter fetar, për të treguar rrugën historike të zhvillimit të letërsisë shqipe. Sipas Eqerem Çabejt shkrimtarët filobiblikë me përkushtim fetar dhe atdhetar përbëjnë një periudhë të rëndësishme letrare shqiptare. Librin e parë të letërsisë shqipe,” Meshari ” i Dom Gjon Buzukut, Eqrem Çabej e studioi për dhjetë vite., E bija e E.Çabejt shprehet :” babai deri në fund të jetës së tij nuk e hoqi “Mesharin” nga çanta”, si një dokument të pazëvendësueshëm gjuhësor dhe letrar i shqipes.

Edhe Kapitulli “Vjershëtarët bejtexhinj” që bëhej edhe në kohën e monizmit si letërsi e zhvilluar në shekullin e XVIII, është hequr nga programi (kurrikula). Themelet e kësaj letërsie laike dhe qytetare, bazën e së cilës e hodhën vjershëtarët bejtexhinj Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, me trahananë e tij të famshme, Muhamet Kyçyku, Pjetër Zarishi është fshirë në kurrikulën mësimore 2016 Letërsia shqipe, klasa X.

Letërsia shqipe ka mbetur në udhëkryq siç mbeti Enver Hoxha ndaj luftës kundër fesë.

Çfarë i kushtonte autorëve të programit të udhëzonin shtëpitë botuese dhe autorët e teksteve të letërsisë me norma historiko-letrare të ndarë në kapituj:

  1. Shkrimi i vjetër shqip: Formula e Pagëzimit 1462. Fjalorthi i ArnoldVonHarfit 1497. Ungjilli i Pashkëve shek XV.
  2. Letërsia e vjetër shqipe në gjuhë të huaj: Barleti dhe humanistët.
  3. Shkrimtarët filobiblikë: Gj Buzuku, P Budi, P Bogdani, F Bardhi, J Variboba etj.
  4. Vjershëtarë –Bejtexhinjtë.

Presim kohën kur një ditë, ashtu si feja do të kthehemi në origjinën e zhvillimit të shkrimit dhe letërsisë shqipe, sepse faktet dhe dokumentet ende nuk janë zhdukur.

Dom Shtjefën Kurti

Rrafshimi i objekteve të kultit