Asije Hoxha: Akademia e Shkencave hesht para masakrës së Alfabetit

358
Sigal

 

Kongresi i Manastirit sipas shtypit të kohës 1908-1910

Sot, heshtet për ndryshimin që ka pësuar alfabeti, ndërsa dje shtypi i kohës pasqyroi se si shqiptarët mbrojtën deri në sakrifikim të jetës së tyre shkëndijën e parë të mëvetësisë të një kombi: Abecenë! U shkruan mbi 100 shkrime 1908-1910 duke sensibilizuar të gjithë shqiptarët në mbrojtjen, në përhapjen dhe mësimin e Abecesë.

Me ndjenjën atdhetare “Një komb, një alfabet” shqiptarët në Kongresin e Manastirit 1908 hodhën themelet e gjuhës shqipe duke i dhënë fund çështjes së Abecesë. Shqiptarët, kuptuan se vërtet paska një komb, dhe se vërtet ky komb qenka i gjallë me gjuhë dhe tashmë me alfabetin e tij shqip!

Sot, alfabeti i mbrojtur nga ndërhyrjet e forcave të errta dhe mjerisht edhe nga deputetë shqiptarë në parlamentin turk, që guxuan të thonë se, alfabeti i gjuhës shqipe i miratuar në Kongres, prish fenë myslimane dhe se shqipja duhet shkrojtur me shkronja turqishte, ngriti në këmbë tërë shqiptarët për të mbrojtur alfabetin shqip. Si shenjë e kombit dhe diturisë, ka pësuar tre krisje:

Krisja e parë: – Alfabeti në Abetaret shkollore nuk është i unifikuar. Kështu kemi shkronjën –a– të vogël të shtypit në dy forma grafike: njëra latine dhe tjetra cirilike (sllave) etj.

Krisja e dytë: – Mediat audiovizive pasurojnë alfabetin me shkronja që ndryshe shkruhen dhe ndryshe shqiptohen. Shkruhet Chanel dhe shqiptohet Çenëll  (Ch=Ç ) etj.

Krisja e tretë: – Shkronja angleze –W- në shqip shqiptohet– U– dhe është shtuar si shkronjë e barazvlershme me shkronjën –U- etj.

Sot, heshtet për ndryshimin që ka pësuar alfabeti, ndërsa dje shtypi i kohës pasqyroi se si shqiptarët mbrojtën deri në sakrifikim të jetës së tyre shkëndijën e parë të mëvetësisë të një kombi: Abecenë!

U shkruan mbi 100 shkrime 1908-1910 duke sensibilizuar të gjithë shqiptarët në mbrojtjen, në përhapjen dhe mësimin e Abecesë.

Shfletojmë disa shkrime nga shtypi i kohës

Gazeta “Journal de Saloniqu”

Duke bërë fjalë për Kongresin e Manastirit , botuar në gazetën “Liria”-Selanik 8 nëntor 1908:

“Ky kongres është një mësim për kombet e Tyrqisë. Në një kohë që këta kombe shkojnë kohën me fjalë dhe zihen me shoku-shokun, shqipëtarët që pandehnim se janë një komb i rreptë po merren me ne për të bërë një kongres, për t’u mejtuar për Abecenë dhe për gjuhën e tyre. Me këtë mënyrë shqipëtarët rrëfejnë se janë më të urtë se të tjerët dhe se kuptuan nevojat e tanishme të mëmëdheut. Me të ardhur konstitucioni (shpallja e kushtetutës ) punë e parë e shqiptarëve ishte që të vendosin dhe të hedhin themelet e gjuhës dhe të mësimit, që është burim i çdo mbrodhësie dhe ushqenjës i gjithë kombevet…Shqipëtarët që i pandehnin se janë më të paqytetëruarit e vëllezërve tanë, e kuptuan këtë gjë shumë më parë se kombet e tjerë.

 Konstitucioni ndë turqit

 Gazeta “Shkopi”, 15 nëntor 1908.

Konstitucion (Kushtetutë): domethënë liri për gjithë botën, domethënë një zakon, domethënë një besë për të tërë dhe një qytetërim…Sot do të dukemi se ç’jemi, se dorë më dorë  nuk na ndalon njeri, as qeveria, as kisha, as xhamia. Të bashkohemi si vëllezër që jemi, të hapim shkolla shqipe, të përhapim gjuhën tonë, të kërkojmë të drejtat tona, të kërkojmë më çdo mënyrë të njihet kombësia jonë nga qeveria otomane, të përgatitim vetëqeverimin e Shqipërisë nga shqiptarët dhe ndë gjuhë tonë: për këtë qëllim, në qoftë nevojë të kërkojmë nga Evropa të na dërgojë njerëz të shkëlqyer që të na vënë ndë udhë të përparimit.

Ç’fituam nga Kongresi i Manastirit.

Gazeta  “Liria” Selanik, 22 nëntor 1908

Pa mbledhurë Kongresi kishim frikë se çdo delegat do të mbrojë Abecenë që përdor shoqëria, nga e cila ishte i dërguar, edhe trembeshim fort se kështu Kongresi do të ndahesh pa mbaruar gjë.

Kongresi me shumë arsye mori përpara syvet Abecenë e Stambollit dhe kuptoi gjithë rëndësinë që ka marrë në Shqipëri, meqenëse është më e përhapura dhe më e përdorura. Këtë Abece duke i ndërruar nja dy shkronja pa rëndësi e la ashtu si ishte. Dhe më anë tjetër duke mejtuare dhe, kjo me shumë arsye-se kemi nevojë për një abetare thjesht latine, për një Abece të përbotshme, që të mund të gjendet tek tekdo, e vendosi që të mirret dhe Abeceja latine me 26 shkronja dhe me shkronja të bashkëta për ca zëra, që mungojnë.

Tani, pra, kemi vetëm dy Abece. Dy Abece të njohura zyrtarisht prej gjithë shqiptarëve. Tani e paskëtaj çdo shkronjës është i shtrënguar të përdornjë një nga këto të dy Abece, dhe jo të ngjisin një të re, se tani burim i shpikjes shteroi!

Po ka dhe një pemë tjatrë që është mbase më e madhe edhe më e bukur. Edhe kjo është bashkimi i shqiptarëve. Vërtet gjer më sot kombi ynë s’është bashkuarë kurrë. Shqiptarët s’janë mbledhur për të bërë një punë të duhur për vendin gjer më sot. Ish pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu dhe nga jugu, nga lindja dhe nga perëndimi, ku pamë krahë për krahë gegë dhe toskë, të krishterë dhe myslimanë. Ahere kuptuam se vërtet paska një komb, dhe se vërtet ky komb qenka i gjallë!

Ky kongres qoftë si themel i një bashkimi të përjetshëm, si agim i një jete të re, e një jete urtësije dhe vëllazërije. Mbledhja e Manastirit, sikundrë që na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu dhe botës u tregoi qënien dhe rrojtjen e një KOMBI SHQIPTAR.

Gjuha shqip

Gazeta “Kalendari Afërdita”, Manastir 1910

Çështja e Abesë na ka ndaluar fort në përparim të gjuhës. I ndjeri Naum Veqilharxhi, zuri të shkruajë gjuhën me shkronja thjesht të tijat. Kristoforidhi përdori shkronjat greqisht për toskërishten, dhe ka përdorur në një tok vepra shkruar gegnisht me shkronja latinisht. Po të gjitha këto i mbuloi të përdorurit e shkronjave të Shoqërisë së Stambollit, dhe në këto 30 vjet e fundit  me këto shkronja u përhap mjaft dituria midis toskëve dhe nër disa vende të Gegërisë së Poshtme  Me këto shkronja u botuan veprat e Naim beut, të Vretos e të Sami beut si dhe gazeta “Drita” me përkujdesjen e shoqërive të Bukureshtit dhe të Sofjes. Po në Gegëri më e përhapur qe Abeceja e shoqërisë “ Bashkimi” dhe e cila pothuaj përdorej dhe prej gjithë shqiptarëve, që rronin në Evropë dhe prej cave nga të Misirit.

Një Abece tjatër po më pak e përhapur në Gegëri ishte ajo e shoqërisë “Agimi”, që përdorej në disa shkolla dhe kështu, dijëtarët tanë humbnin kohë duke ruajtur Abecenë e tyre. Për fat të keq dhe Kongresi i Manastirit që u bë motnë që shkoi, për Abecenë, në vënd që të na japë një Abece pas detyrës që kish, vendosi të përdoren përkohësisht deri në marrjen e vendimit dy Abece…

… Shumë nga tanët prap flasin që do të ishte mirë të përdorej dialekti që flitet në Elbasan si më e qëlluar. Sot për sot, duhet të përdorim një gjuhë që të na marrin vesh ata që ndëgjojnë, domethënë librat që do shkruhen veç të Gegënisë dhe veç të Toskërisë. Që të bëjmë diturinë e përnjëshme midis shqiptarëve do shkruarë shumë kohë dhe do bëhet vetiu, kur të zëmë të afrohemi me njeri tjetrin në tregti dhe në qytetërim. Andaj u lutem gjithë atdhetarëve të mos merren me fjalë të kota për dialekte e për Abece, po të bashkohen se atëherë me të vëretetë do vejë kombi shqiptar përpara në dituri.

Rreziku i Abesë

Gazeta “Korça”, 15 janar 1910

S’dimë si ca njerëz dhe mjerisht ca nga deputetët shqiptarë (14) kërkuan në parlamentin turk futjen e alfabetit arab për gjuhën shqipe dhe guxuan të thonë se alfabeti i gjuhës shqipe, i cili është përdorur deri më sot, prish fenë myslimane dhe se shqipja duhet shkrojtur me shkronja turqishte. Dy a tri njerëz dhe njerëz që s’kanë punuar gjer sot kurrë për gjuhën shqipe, s’mund dhe s’kanë fuqi të çrrënjosin punën e kaq mijëra njerëzve, të cilët pas një vendimi të sosur kanë përdorur gjer sot alfabetin latinisht. Po nga ana tjetër, vjen edhe një pyetje e natyrshme: A mund  kurrë një alfabet të prishë një fe? A është dëgjuar kurrë ndë botët një gjë e këtillë? Jo! Gjuha në një komb ka punën e saj dhe s’ka as ndonjë punë me fenë edhe kjo, vërtetohet se deri sot myslimanët dhe të krishterët shqiptarë kanë rrojtur në një harmoni dhe miqësi të plotë si bashkëkombëtarë, megjithë që ndryshimi i fesë është shumë i madh.

 

Çështje e shkronjave

Gazeta “Shqiptari”, Stamboll, 21 janar 1910

Posa që u muar vesh në Shqipëri marrëzia e ca deputetëve që e deshnë me shkronja turqisht mësimin e shqipes, protestat pllakosnë nga të gjitha anët. Në zyrë të gazetës sonë erdhën një tok tejshkrime (telegrame) nga Elbasani, nga Tirana, nga Leskoviku, nga Preveza e gjetkë. Dhe nga deputetë të veçantë erdhën disa tejshkrime dhe kjo rrëfen që mënyra e shkrimit të gjuhës sonë u rrënjos mirë në Shqipëri dhe s’do të ketë asnjë fuqi t’i presë hovin.

 

Mitingu në Korçë

Gazeta “Liria”, 20 shkurt 1910

Dje më ora 7 u mbajt një mbledhje kundër shkronjave arabisht prej 15.000 mijë vetash, sa u çudit i madh dhe i vogël, për dashurinë e shkronjave shqip. Gjithë kaza e Korçës mori pjesë në këtë mbledhje të shënjtëruar për të mbrojtur shkronjat shqip. Të shtunë mbrëma erdhën kolonjarët 1.500 shpirt, 700 qenë kalorës dhe të tjerët më këmbë. Banda doli përpara dhe frynte një marsh me mallëngjim. Gjithë kolonjarët thërrisnin: “ Roftë Abeceja shqip”. Të dielë ora 4 erdhë nga Starova 1000 shpirt, pastaj erdhën nga Devolli 1.500 shpirt me flamur. Pogradecarët  çquanin me këngët kombëtare pas këtyre erdhë fusha, rrëza dhe rreth fshatrat e Korçës 400 shpirt, Opari 800 shpirt. Të gjithë morën rrugën për në breg të “Lirisë”(Shëndëlli)  ku u mbajtën shumë fjalë për alfabetin dhe dhanë besën se do t’i ruajnë shkronjatë  me mish e me shpirt sa të jetë bota.

Alfabeti shqip

Gazeta “Liria” Selanik, 20 shkurt 1910

Një këshillë për qeverinë turke…po a asht punë, që ky komb fisnik edhe asllan, i cili për qindra vjet ka mbet i patundur prej çdo rreziku sot ky komb  ta lemë t’i bahet një poshtërsi kaq e madhe? Nëqoftëse në këtë mënyrë duen të na shujnë atëhere gënjehen fort se edhe s’asht harrue kanga e Vaso Pashë shkodranit:

Përpara se të na shuhet gjuha edhe kombi jonë, atëhere le të shuhet e gjithë Shqipnia edhe kambë prej arbënorit mos të mbetet mbi dhe.

Miting në Berat

 Gazeta  “Korça”, 18 mars 1910

Mitingu i Beratit prej 15 mijë njerëzve pati një rëndësi mjaft të madhe midis gjithë shqiptarëve dhe të gjithë kundërshtarëve tanë. Në atë miting të shënuar u dogjnë dhe ato libra, që u gjetën me shkronja arabisht. Ky miting i bëri të mendohen shumë kundërshtarë të gjuhës shqipe, kur nga ana tjetër tërë shqiptarët i mbushi me një flagësirë të plotë për të mbrojtur Abenë tonë.

 

Telegram nga Berati

Gazeta “Shqiptari”, Stamboll, 25 mars 1910

Berat 23 mars. Lajmërojmë në emër të gjithë popullit për së dyti, se kurrë nuk do të qasim shkrimin hieroglif (arab), para ca ditë bëmë një miting të madh dhe lajmëruam qeverinë. Tani përsëritim se jemi prapë gati, posa që të dojë të bëjmë miting dhe me 25 mijë veta. Qeveria duhet të marrë në sy të drejtat tona.

 

Kongresi që do të mbahej në Janinë më 20 qershor të vitit 1910, për të vendosur se cili alfabet do të miratohej, si alfabet i vetëm i gjuhës shqipe, nuk u mbajt për vetë rrethanat e krijuara në atë kohë.

Si u vendos alfabeti latin si alfabet i gjuhës shqipe na e thotë akademiku M. Domi: “Jeta e zgjidhi përfundimisht problemin pa pasur nevojë për mbledhje, komisione e vendime, duke lënë në përdorim një alfabet të vetëm. Alfabeti latin i papërzjerë, i përpunuar nga Kongresi, kishte të mirën se ishte homogjen për nga karakteri i germave, i lehtë në të shkruar dhe mjaft i volitshëm në shtyp, se nuk kërkonte shtypshkronja me germa të posaçme, prandaj mund të bëhen botime me të në çdo vend. Kjo qe arsyeja kryesore që më pas, sidomos pas vitit 1912, alfabeti i Stambollit mbeti në një përdorim gjithnjë e më të kufizuar. Nga fundi i Luftës së Parë Botërore, alfabeti thjesht latin, i Kongresit të Manastirit, ishte alfabeti i përbashkët i gjithë shqiptarëve, alfabeti i vetëm i shqipes. Është alfabeti i sotëm i gjuhës sonë.” Ky alfabet do të tregonte vlerat e veta në shkrimin e shqipes e përhapjen e arsimit e të diturisë në mbarë trojet shqiptare.

 

Sot “HESHTJA”, të krijon iluzione, se në kuadrin e globalizmit edhe alfabeti mund të ketë ndryshime, pasurime; mund të mësohet shkrimi me shkronja shtypi; mund të mos përdoret shkrimi me shkronja dore; mund të shkruhet me një përzierje të shkronjave të shtypit dhe …