Arjana Maçi: 7 Marsi, festa më e bukur për fëmijët dhe mësuesit

1869
Sigal

Flet Arjana Maçi, drejtore e shkollës “Misto Mame”: Festa e mësuesit vjen në shkollën tonë me një sërë arritjesh

“7 Marsi është dita kur puna dhe përkushtimi i mësuesve gjatë gjithë vitit shkollor shpërblehet me dashurinë dhe mirënjohjen e nxënësve të tyre”, shprehet në një intervistë për “Telegraf” znj. Arjana Maçi, drejtore e shkollës “Misto Mame”. Arritjet e shkollës së saj, rikthimi i autoritetit të festës së 7 Marsit si dhe i dinjitetit të mësuesve tregohen më tej në intervistë nga znj. Maçi.

 Çfarë është 7 Marsi për ju?

7 marsi është festa më e bukur për fëmijët dhe mësuesit. Në këtë ditë fëmijët mundohen me të gjitha mënyrat për të shprehur dashurinë dhe mirënjohjen që kanë pikërisht për ata mësues që ua kanë dhënë pa kursim gjatë gjithë vitit këtë dashuri me sjelljen, përkushtimin dhe modelin e tyre.

 Si po e pret shkolla juaj këtë festë?

Shkolla ”Misto Mame” e pret këtë 7 Mars me një sërë arritjesh. Unë do doja të përmendja disa prej tyre. Së pari, e pret me rezultatet më të larta të viteve të fundit në provimet e lirimit si dhe e vlerësuar ne olimpiadën e matematikës së klasave të nënta. Së dyti, duke iu përgjigjur nismës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për ta kthyer shkollën në një qendër komunitare ne kemi arritur të realizojmë:

1-Historikun 70 -vjeçar të shkollës, të dokumentuar si dhe të shoqëruar me një libër historiku, këngën himn të shkollës të realizuar nga ish-nxënësi Edmond Mancaku, si dhe një dokumentar për shkollën

2. Realizimi i një salle polifunksionale në të cilën realizohen jo vetëm shfaqje artistike, por edhe orë të lira mësimore që ndiqen jo vetëm nga nxënës, por edhe nga komuniteti i prindërve. Këto janë vetëm disa nga ato që janë realizuar në shkollë.

 Sa i është kthyer autoriteti kësaj feste në Shqipëri?

7 Marsi quhet festa e dhuratave, apo e mësuesve?

Si të gjithë festat e tjera, edhe 7-8 Marsi zë vendin e duhur dhe pritet shumë bukur në shkollë dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me etiketimet e shëmtuara që mund t’i vihen kësaj dite. Për mua kjo është dhe festa e luleve, se shkollat tona më 7 Mars janë lulishte të bukura, por si nënë e dy vajzave do më pëlqente, pse jo dhe ndonjë libër apo ndonjë kujtim të bukur si dhuratë  për mësuesen. Vetë kur isha nxënëse më ka mbetur kujtim nga fëmijëria që kisha një gëzim të jashtëzakonshëm, kur përgatitja dhuratën për  mësuesen dhe 30 nxënës shkonim te shtëpia e saj. Kjo është vetëm festë e bukur.

 A e ka zënë mësuesi vendin e duhur që i takon në shkollë?

Mësuesi është figura më e afërt, më e dashur dhe një model për fëmijën, por këto, mësuesi duhet të mundohet shumë për t’i arritur. Modele të shkëlqyera mësuesish ka patur arsimi ynë. Sadopak ta kthej kokën dhe më kujtohen një plejadë që nuk kthehen më. Sigurisht, tranzicioni e lëkundi këtë model të shkëlqyer edukimi, po koha ngadalë po thërret në skenë përsëri mësues bashkëkohor me dimensione të larta për të përgatitur qytetarë të denjë të Europës që aq shumë e synojmë.