Rreth 46.070 maturantë në mbarë vendin i nënshtrohen sot provimit të parë të Maturës Shtetërore për këtë vit, konkretisht provimit të gjuhës së huaj me detyrim. Provimi fillon në orën 10:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë plot 2 orë e 30 minuta. Testi i gjuhës së huaj, ashtu si edhe testet për secilin provim të detyruar përmbajnë 25 pyetje, 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim, ndërsa totali i pikëve është 50 pikë. Ndërkohë me rregulloren e Maturës Shtetërore 2015, është përcaktuar që maturantët të cilët i nënshtrohen provimeve, duhet minimalisht te grumbullojnë 20% të totalit të pikëve, që të quhet kalues. Të gjithë maturantët të cilët i nënshtrohen provimeve me detyrim, përfshirë edhe testit të gjuhës së huaj i cili zhvillohet sot, duhet të marrin jo më pak se 10 pikë në secilin prej tri provimeve që të konsiderohen kalues. Risi e këtij viti është rritja e shkallës së vështirësisë së testit të gjuhës së huaj, pasi vitin e kaluar testi ishte i nivelit A2, ndërsa këtë vit ai ka një shkallë vështirësie B1. Edhe këtë vit rezultatet e këtij provimi, nuk do të kenë peshë në formulën e llogaritjes së pikëve që grumbullojnë maturantët për garën në universitetet publike. Testi i gjuhës së huaj me detyrim për Maturën 2015 ndahet në tri pjesë, leximi, përdorim i gramatikës dhe pjesa e tretë, shkrim. Dy pjesët e para kanë secila nga 20 pikë, ndërsa pjesa e fundit, shkrimi, ka vetëm 10 pikë. Këto pjesë, të kuptuarit e një teksti të shkruar dhe përdorimi i gjuhës (gramatikë dhe leksik) kanë secila nga 12 pyetje, pra 24 pyetje. Në total këto dy pjesë të testit të gjuhës së huaj me detyrim kanë 40 pikë, pyetje këto të cilat përbëjnë 80% të testit. Ndërsa pjesa e tretë e testit ka vetëm një pyetje dhe vlerësohet me 10 pikë, pra përbën 20 %të testit.
Ja datat e provime të Maturës Shtetërore
1. 23 Maj, Gjuha e huaj
2. 29 Maj, Gjuha shqipe dhe letërsi
3. 9 Qershor, Matematika
4. 19 Qershor, Provimet me zgjedhje
Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sporti (MAS), përmes një deklarate për shtyp ka njoftuat se janë marr të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit të provimit. Mësohet se MAS dhe Drejtoritë Arsimore kanë hedhur në veprim nga 3 agjentë në çdo shkollë për të monitoruar provimin. Marrja e masave për mbarëvajtje është njoftuar edhe vitet e kaluar, por nuk ka rezultuar e tillë, pasi shumë shkolla janë përfolur se kanë abuzuar duke shkelur rregullat dhe studentët janë ndihmuar nga jashtë ambienteve të klasave. Po thuajse 80% e maturantëve vitet e kaluara kanë qenë të pajisur me telefona celularë dhe testet nuk i kanë zgjidhur vetë por janë ndihmuar nga persona të tjerë nga jashtë, çka ka ndikuar në prishjen e mbarëvajtjes së provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore.