Xhevat Mustafa: Përse Lajçak përzien “kot” Kinë e Rusi në bisedimet –Kosovë-Serbi?!

433
Sigal

 

I dërguari special i BE-së për bisedimet Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, në një prononcim për mediet më 3 korrik 2020, nisur më së shumti, nga fakti i pjesëmarrjes dhe rolit në OKB, si dhe nga rezoluta 1244, ka deklaruar, se “Europa (BE) ka pranuar se pa Rusinë dhe Kinën nuk ka zgjidhje të çështjes së Kosovës…”. Në vijim, thekson se “është legjitime që Rusia të tregojë interesim për dialog dhe deri tash nuk ka vërejtur mënyrë negative të përzierjes së saj në këtë proces…”. Sipas vizionit dhe gjykimit tim kjo deklaratë e tij lë hapësirë të bollshme dhe jep arsye të forta për debat e kundërshtime, mbështetur në argumente. Përse të mos mendojmë e të themi në shqip, anglisht, rusisht dhe kinezçe edhe të kundërtën: përse duhet të përzihen në takimet dhe bisedimet Serbi-Kosovë edhe Rusia dhe Kina? Natyrisht, diplomacia ruse e kineze, serbe, vetë Lajçak e disa të tjerë, në aleanca të vjetra me ish Jugosllavinë dhe me lidhje të hershme studimore, nostalgjie rinore, shërbimi diplomatik, sidomos me Rusinë (i laururuar në Institutin MGIMO të Ministrisë së Jashtme Ruse), Lajçak mund të ketë dobësitë e veta personale për diplomacinë ruse, mund të kapen tek argumente historike, gjeografike, demografike, ekonomike, politike, ushtarake. Natyrisht, nuk mund të harrohen, zvogëlohen, kundërshtohen roli, pesha, vlerat dhe kontributi madhor dhe shumëshekullor i Rusisë dhe Kinës për historinë, shkencën, kulturën, letërsinë, muzikën, sportet, mbarëbotërore dhe për përparimin e gjithë njerëzimit, deri në nivelet e sotme. Por, sidomos pas vitit 2000,  me rritjen e pafre të ambicieve gjeostrategjike, për superfuqizmin ushtarak, politik, ekonomik, për të konkuruar  SHBA-nw dhe BE-nw, të dy këta  vende,  pra Rusia dhe Kina , janë larguar ndjeshëm nga vetvetja e mëhershme.

Në vend që të përqëndroheshin brenda hartave të veta dhe të përmirësonin ndjeshëm standardet e pagave e pensioneve,  të mirëqenies, të demokracisë dhe të shtetit ligjor, të zgjedhjeve të lira e të pastra, kanë  hedhur vështrimet dhe duart përtej, në vende, rajone dhe kontinente të tjerë, më shumë për ndikim apo dominim politiko-ekonomik. Të mirëkuptohemi: nuk mund të jemi kundër për synimet dhe përpjekjet e justifikueshme, në respekt të ligjeve dhe detyrimeve doganore e fiskale, për rritjen e niveleve të eksporteve të tyre në vendet e tjera të botës, përreth, fare afër apo shumë më larg gjeografikisht, në të gjithë kontinentet. Për ne shqiptarët, do të kishte edhe më shumë dobi mospërfshirja e Kinës dhe Rusisë në punët e Evropës edhe për faktin se janë dy vendet më të mëdha, që nuk e njohin Kosovën dhe aleatët më të mëdhenj të Serbisë dhe Vuçiçit, me lidhje shumë të vjetra e të shumanshme miqësie, aleancash, traktatesh, interesash të përbashkëta, marrëdhëniesh….Pjesëmarrja e tyre do të rriste ndjeshëm, në dëm të Kosovës dhe në dobi të Serbisë, nivelin e mungesës së reciprocitetit, të padrejtësisë, të njëanshmërisë. Këtë parandjenjë apo paranojë të ne shqiptarëve e nxit edhe fakti historik se në pranverën 1999, kur SHBA-ja dhe vende të BE-së, në kuadër të NATO-s ndërmorën fushatën e sulmeve ajrore kundër Serbisë, dy vendet në fjalë, pra Rusia dhe Kina, nuk e fshehën aspak qëndrimin e tyre mbështetës ndaj Serbisë  së  Milosheviçit  në terren dhe sidomos në OKB, në OSBE. Flet shumë për filoserbizmin tradicional të Rusisë e të Kinës edhe fakti tjetër, i mosnjohjes prej tyre të shtetit dhe pavarësisë së Kosovës si dhe mbështetja e hapur që u kanë dhënë dhe vazhdojnë  t’u japin Vuçiçit dhe Daçiçit në fushatën antidemokratike dhe korruptive  disa vjeçare, për bllokimin e njohjeve të reja dhe anullimin e njohjeve të mëparshme. Nuk mund të harrohet se Rusia, Kina, India, ishin shtetet më me ndikim e rol përcaktues, me votë kundër e veto, për kushtëzimin e ndjeshëm dhe për mbikqyrjen  ndërkombëtare të pavarësimit të Kosovës, si shtet me integritet gjeografik e politik, nëpërmjet  Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, miratuar më 10 qershor 1999,  dhe  Planit Ahtisari. Krahas të tjerave, këto dokumente i njohin pakicës serbe në Kosovë,  trajtim special, fare afër autonomisë dhe një përfaqësim me 10 deputetë, pavarësisht përqindjes së popullsisë reale dhe rezultatit në zgjedhje, çka përbën edhe një favorizim të hapur të Serbisë dhe një casus belli për të qenë tejet e pranishme politikisht dhe si “gozhda e Nastradinit” në Kosovë. Sikur  të mos mjaftonin ato që ka deklaruar më 3 korrik 2020, duke iu referuar njoftimeve mediatike dhe sidomos analizës tejet profesionale dhe vizionare të diplomatit dhe analistit elitar Shaban Murati në “BOTA SOT”, më 14.07.2020, Miroslav Lajçak, zhvilloi një takim me 13 korrik me ambasadorin e Rusisë në BE, Vladimir Çizhov, në selinë e ambasadës ruse. Me të drejtë, ambasadori Murati këtë e shqipëron shumë saktë si adoptim nga Lajçak të qëndrimit e Rusisë për Kosovën dhe i bën thirje Prishtinës  “të refuzojë kurthin e Rezolutës 1244, si bazë bisedimesh me Serbinë”.  Njëherazi, thirrja e tij është edhe një këmbanë e fortë alarmi, për diplomacinë e Kosovës dhe të BE-së. Edhe konsultimet e shpeshta Vuçiç-Putin, para takimit të dështuar  të 27 qershorit në Uashington, janë shumë shprehëse për të kundërshtuar  Lajçakun “për  mos përzierjen e Rusisë në bisedimet Serbi –Kosovë…”. Njëkohësisht, edhe për “sinqeritetin e diplomacisë ruse”, nga e cila nuk përjashtohet që rastin e Kosovës ta shfrytëzojë edhe për një plan apo skenar tjetër, që lidhet me hartën e ish Rusisë të perandorëve e të carëve si dhe të BS-së. Në këto kushte, kur qëndrimi apo tifozllëku proserb i Rusisë dhe Kinës është i padiskutueshëm dhe i pafshehshëm as me maskat anticoronavirus, pala shqiptare, pra qeveria e Prishtinës,  ka të drejtë të kërkojë mospjesëmarrjen e këtyre dy vendeve në procesin e bisedimeve  Kosovë-Serbi. Vuçiçi mund të kapet fort për të kundërtën, duke kundërsulmuar me kartën se edhe SHBA-ja dhe BE, përderi sa e çliruan më 12 qershor1999 dhe e pavarësuan më 17 shkurt 2008 Kosovën, logjikshëm del të jenë mbështetëse të Kosovës. Ky argument i tij, nënkuptueshëm edhe i diplomacive ruse e kineze, mund të kundërshtohet dhe çvleftësohet krejt nga plot fakte. BE-ja ka hapur negociatat e pranimit të Serbisë në gjirin e saj, shumë më herët se sa me Shqipërinë dhe pa bërë akoma liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu, BE-ja  ka në gjirin e saj 5 vende që nuk e kanë njohur Kosovën dhe nga dy vende të këtij grupi, ka zgjedhur dy shefa të saj. Fjala është për spanjollin Josep Borrelli, shef i diplomacisë së BE-së dhe për sllovakun Miroslav Lajçak, i dërguar special i BE-së për bisedimet Serbi-Kosovë. Për paanshmërinë e SHBA-ve, këtyreve mund t’u shtonim edhe një detaj rastësor: qenien si Përfaqësues Special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor “i dhëndërit të Serbisë”, Matthië Palmer…Pjesëmarrja e Rusisë dhe Kinës bashkë me SHBA dhe BE-në në bisedimet Serbi-Kosovë, do të hapte edhe një apo pengesë problem tjetër. Në momentin e marrjes së vendimit përfundimtar, ndarja e palëve apo votat, mund edhe të ishin 2 me 2, çka nënkupton tejezgjatje të proçesit me vite apo për në “Kalendat greke”… Kundërshtimi ynë për përfshirjen e Rusisë dhe të Kinës në proçesin e bisedimeve Serbi-Kosovë, mund të vazhdojë edhe me një kënvështrim tjetër analize, duke u kapur tek roli negativ, destabilizues, destruktiv, agresiv, sidomos i Rusisë, në Ukrainë, në republikat baltike, Poloni…Ambicjet për ndikim të shumanshëm të Rusisë janë të ndjeshme e në rritje edhe në të gjithë Ballkanin, sidomos pas strategjisë Obama –Trump për kufizimin e forcave amerikane në Europën Perendimore, (në Gjermani) si dhe në Ballkan, kryesisht në Kosovë e në vende me luftra civile shumëvjeçare. Në të kundërt me këtë strategji amerikane, Rusia synon e përpiqet ethshëm të mbushë hapësirat, që lëshon vullnetarisht e në dobi të paqësimit global, SHBA. Në këto kushte, jo vetëm ne ballkanasve, me përjashtim të serbëve, na jepet e drejta të mendojmë e të shprehemi edhe për hipotetiken, të mundshmen apo të përjetueshmen, se pa ndërhyrjet dhe ndikimin e Rusisë dhe të Kinës, gjithë Evropa dhe Ballkani, pra edhe Shqipëria dhe Kosova, mund të kishin qenë shumë më të zhvilluara, të qeta e të stabilizuara…! Sepse do të harxhonim shumë më pak miliarda për armatime dhe mbrojtje; për të përballuar ambicjet ruso-kineze të superfuqizimit, të hegjemonisë dhe të ndikimit sa më të madh gjeostrategjik. SHBA dhe Europa Perëndimore do të kishin pasur më pak miliona emigrantë nga Kina dhe Rusia komunisto- socialiste, mes të cilëve jo pak janë spiunë të shërbimeve sekrete ruse e kineze apo kriminelë nga mafia ruse e kineze…Nëse Rusia dhe Kina do të hiqnin dorë nga shpenzimet, përtej këllqeve të tyre, për garën e armatimeve dhe për t’u bërë sa më të barazvlefshme  me SHBA-nw, merret me mend se milardat e kursyera do t’i investonin për rritjen e ndjeshme të pagave, pensioneve, të mbështetjes sociale, të mirëqenies së shumicës së qytetarëve të tyre, për uljen e nivelit të polarizimit ekstrem në vendet e tyre. Në një klasifikim botëror të publikur në Radion “Deutsche Welle” më 27.04.2020,  Rusia kishte shpenzuar për ushtrinë më 2019, rreth 65,1 miliardë dollarë ose 4% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Po, sipas këtij informacioni, krahasuar me vitin 2018, shpenzimet ushtarake të Kinës u rritën me 261 miliardë dollarë. Sipas një raporti të Bankës “Credit Suissse”, publikuar më 2017, Rusia kishte 92.000 milionerë dhe 74 miliarderë…Kjo nënkupton se Rusia mund të ketë edhe rreth 100 milionë qytetarë të varfër dhe të mesëm, të nivelit allashqiptar. Në një informacion për Rusinë publikuar në “SCAN” më 23 dhjetor 2109, paga mesatare mujore në Rusi është 670 dollarë ose 42.413 rubla, rreth 6 herë me e ulët se në SHBA dhe Gjermani, kur dihet se çmimet në Rusi janë ndër më të lartat në botë. Sipas Irish Times, 19.3 milion rusë jetojnë nën kufirin e vvarfërisë…Sipas Wikipedias, ku Rusia jo rastësisht nuk fut të dhëna për nivelet e rritjes ekonomike e të mirëqenies, prodhimi i Brendshëm Bruto për banorë i Kinës më 2109 ishte 7.518 US$. Ndërsa SHBA, po në këtë vit, e kishte GDP rreth 52.392 dollarë ose 6.5 herë më të lartë se Kina. Gjithashtu, sipas një raporti të vitit 2019, Kina ka rreth 800 miliarderë dhe 4.4 milionë milionerë”. Por, mund dhe duhet të kerë edhe rreth 1 miliardë qytetarë të varfër e të mesëm…, një varfëri, lakuriqësia e të cilës nuk fshihet nga kullat, komplekset, urat, rrugët, raketat, satelitët, dronët, miliona televizorët, kompjuterat, celularët, çipat në G5…, më shumë shprehje gjigandomanie se sa mirëqenie dhe demokracie. Së fundmi, po të mos kishin prapa dhe në mbështetje të tyre Rusinë dhe Kinën nuk do të guxonin të sfidonin SHBA-në kaq gjatë, vende vasale të tyre si Korea e Veriut, Kuba, Venezuela. As Serbia nuk do të bënte shpenzimet më të larta në rajon për ushtrinë dhe mbrojtjen, nënkuptueshëm jo për t’u mbrojtur nga SHBA, NATO, Kroacia, Bosnje –Hercegovina, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi…Këto fakte e shifra të qarta shprehin mesazhin se është në të mirën e Rusisë dhe të Kinës, të shumicës së popujve të tyre, që qeveritarët dhe shtetarët rusë e kinezë, të merren shumë më tepër me vendet dhe popujt e vet se sa të humbin kohë dhe miliarda për të mbështetur Serbinë dhe Korenë e Veriut e për të dëmtuar vende dhe popuj të tjerë, sidomos SHBA-në, Gjermaninë, Kosovën, Ukrainën, Afganistanin, Sirinë, Libinë,…!