‘Zëri i Amerikës’: Reforma në drejtësi, largime dhe mungesa

298
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në Tiranë drejtuesit e KLGJ dhe atij të Prokurorisë deklaruan dje, në raportimet para ligjvënësve se për shkak të reformës dhe të vettingut, sistemi i drejtësisë ka ende shumë vende pune bosh për gjyqtarë e prokurorë. Një pjesë e gjyqtarëve u larguan me dorëheqje, një pjesë me shkarkime nga vettingu, ndërsa pjesa e mbetur po ngurron të aplikojë për të zënë vendet bosh. Megjithatë, Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami deklaroi se Gjykata e Lartë mund të vihet plotësisht në funksionim me kapacitete të plota, brenda muajit gusht. “Gjykata e Lartë aktualisht po punon me 5 anëtarë dhe drejtuesja e KLGJ-së tha se, 11 vende janë shpallur atje vakant për drejtësinë penale, civile dhe administrative dhe për këto vende janë paraqitur 23 aplikime gjyqtarësh” – tha zonja Llagami. Gjykatat e Posacme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar po funksionojnë me gjysmën e numrit të gjyqtarëve; me 8 nga 16 në shkallën e parë dhe me 5 nga 11 në Apel. Sipas raportit nga KLGJ-së për parlamentin, sistemi gjyqësor shqiptar gjendet në situatë të vështirë prej shkarkimeve të shumta të gjyqtarëve nga vettingu. Në 3 vitet e fundit janë shkarkuar 75 gjyqtarë, ndërkohë që pjesa e mbetur po hezitojnë të aplikojnë për të hyrë në vendet vakant, gjë që ka sjellë bllokime dhe vonesa në gjykime, sidomos në Gjykatën e Lartë dhe në gjykatat e apelit. Këto të fundit kanë 25 gjyqtarë aktualisht nga 78 që duhet të kenë, pra afro 3 herë më pak. Apeli administrativ po ashtu ka 9 gjyqtarë nga 13 që duhet të ketë. Sistemi i drejtësisë është në pritje të miratimit të një harte të re gjyqësore në Shqipëri, ku zbritjet janë të ndjeshme; nga 22 gjykata rrethesh, pritet të mblidhen në 12 gjykata, nga 6 gjykata administrative do të mbeten vetëm 2 të tilla dhe nga 6 gjykata Apeli, do të mbetet vetëm një Gjykatë Apeli.