Prof. Dritan Bace/ Për një politikë të arsimit të lartë në shërbim të universitetit të kohës

631
Sigal

Është fakt se politikat për arsimin e lartë në Shqipëri kanë qenë në rastin më të mirë të mangëta. Politika shqiptare e periudhës post-komuniste nuk ka pasur një vizion të qartë për arsimin, dhe gjendja e vendit dhe e arsimit të lartë në veçanti janë dëshmia më e «keqe» e kësaj katrahure. Duke jetuar jashtë që prej 92-shit, nuk mund të pretendoj një njohje të plotë të politikave, por kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me universitetet publike, gjë që më ka lejuar të konstatoj nga afër rezultatin e reformave. Besoj se shumëkush është dakord që liberalizimi dhe masivizimi i pranimit në universitet pati për pasojë, uljen e nivelit të mësimdhënies dhe të cilësisë. Kjo u shoqërua me shumëzimin e universiteteve private deri sa çoi në zhvlerësimin drastik të diplomës. Këto pasoja vazhdojmë t’i vuajmë akoma dhe sot.

Vetëm para pak kohësh, një profesor koleg italian më pohonte që në universitetin e tij imazhi i universiteteve shqiptare vazhdon të njësohet me atë të atij që diplomoi djalin e Umberto Bossit. Në periudhën më të afërt, në zgjedhjet e 2013-s u propozua nga opozita e atëhershme një program për arsimin i admirueshëm (ishte disponibël online). Si rëndom, «premtimet angazhojnë vetëm ata që i besojnë» dhe qeveria e pas zgjedhjeve nuk u angazhua seriozisht për përmbushjen e premtimeve dhe arriti deri atje, sa në fushatën për zgjedhjet e 2017-s nuk u propozua asnjë program për arsimin (të paktën në dijeninë time nuk u publikua asgjë online). Pavarësisht, për t’u përmendur është reforma e fundit (2015) që i jep autonomi të shtuar universiteteve dhe fikson një sërë mekanizmash për këtë. Ligji gjendet online dhe ngjan se prek shumë tema të rëndësishme. Në një këndvështrim makroskopik vërej të paktën dy probleme:

Së pari, lidhet me pjesën e ligjit që rregullon administrimin e universitetit nën frymën e ligjit anglo-sakson duke i dhënë një vend të rëndësishëm arsimit privat. Vende si Anglia kanë një eksperience shumë të gjatë në arsimin ë larte ku arsimi privat zë një vend të konsiderueshëm dhe mbulon një pjesë të mirë të arsimit elitar. Arsimi privat duhet të shihet si komplementar dhe duhet të ketë si objektiv të mbushë boshllëkun që lë arsimi i lartë publik, qoftë në degë të veçanta apo në një arsim të nivelit shumë të lartë që kërkon investime të mëdha. Në Shqipëri realiteti i universitetit privat nuk ka qenë aspak i tillë. Ai ka qenë shpesh një konkurrent i dobët që ka thithur pjesën e tregut të etur për një diplomë të siguruar që në momentin e regjistrimit. Së fundi, dyshoj që zgjedhja e administrimit me frymë anglo-saksone i përshtatet një vendi të varfër ekonomikisht.

Problemi i dytë lidhet me autonominë. Pavarësisht qëllimit të afishuar – (autonomia e shtuar për universitetin që është një ide shumë e mirë në vetvete), qeveria me ketë ligj i lejon vetes të ruaje në një fare mënyrë gjithmonë kontrollin mbi menaxhimin e fondeve nëpërmjet emërimeve që bën qoftë për administratorin, qoftë për bordin e administrimit ku kontrollon shumicën. Mbase një mënyrë për ta tkurrur këtë kontroll dhe për t’i dhënë më shumë autonomi universitetit do të ishte përfshirja direkt e këtij të fundit në propozimin e një administratori si dhe dhënia e një vendi më të gjerë në bord të të zgjedhurve të forumeve universitetit (profesorë, staf administratë, studentë) dhe atyre që vijnë nga shoqëria civile. Në politikën e arsimit në tërësi ndihet ndikimi i ndjeshëm lobeve të universiteteve private pranë qeverisë. Pavarësisht nga të tëra këto, ka pasur dhe iniciativa të mira si projekti Brain Gain i viteve 2009-

… Personalisht, si mjaft të tjerë, kam përfituar nga kjo mundësi dhe për më tepër kjo ka qenë zanafilla e një bashkëpunimi të frytshëm me Universitetin Politeknik të Tiranës, bashkëpunim i cili u ngrit në nivel institucional me Universitetin ku punoj (Universite de technologie de Compiegne) UTC. Qëllimi i këtij statusi është të ndaj me lexuesin një vizion timin mbi universitetin që mendoj se i duhet vendit. Kjo qasje lidhet kryesisht me fushën e Inxhinierisë, por besoj se ka frymë përgjithësuese. Le të vëmë re se çfarë i mungon sot universitetit shqiptar, e cila në të kundërt do t’i shtonte vlerat. Financimi ka qenë në nivele të pamjaftueshme. Një krahasim midis UPT dhe UTC në Francë, të dyja në fushën e inxhinierisë, e shpreh qartë: Për rreth 15000 studentë në UPT ka rreth 750 staf (administratë dhe pedagogë) ndërsa për 4300 studentë në UTC ka respektivisht rreth 850. Raporti i pjesës së stafit të dedikuar një studenti është afërsisht 1 me 4. Krahasimisht në Francë kostoja e arsimimit në një universitet/shkollë inxhinierësh publike të një studenti, varin nga 5000 në 10000 euro për një vit, ndërkohë që tarifa e regjistrimit varin nga 260 ne 370 euros (bachelor dhe master), me të ulëta se në Shqipëri. Formimi i pedagogëve është pothuaj inekzistent. U kërkohet të pajisen me doktoraturë, ndërkohe nuk kanë asnjë ndihmë. Përkundrazi u duhet të sigurojnë të ardhura për të paguar tarifën e lartë të regjistrimit dhe të sigurojnë financa për pjesëmarrjen në konferenca. Në Francë doktoratura konsiderohet si punë e mirëfilltë dhe mund të kryhet vetëm, nëse është e paguar. Në UTC çdo doktorant është i paguar të paktën 1300 euro net në muaj. Në ketë kontekst është urgjente të krijohet një shkollë doktorale me parametra të kohës dhe të reformohet mënyra e rekrutimit të pedagogëve. Në lidhje të ngushtë me më sipër është dhe kërkimi shkencor. Si në shumë aspekte, në Shqipëri i mënjanohemi thelbit, që është cilësia e kërkimit, dhe merremi me politika kontabël, që janë numrat e artikujve si i vetmi informacion i verifikueshëm. Kërkimi shkencor duhet të konsiderohet si pjesë e punës së pedagogut: Në Francë, çdo pedagog/profesor duhet të justifikojë 50% të kohës së punës me kërkime. Organizimi në bazë të laboratorëve shkencore (që duhet të jenë pjesë e fakulteteve) është inekzistent. Dhe për ta mbyllur këtë pikë, rrogat e pedagogeve duhet të ngrihen në nivelin e pritshmërisë që duhet të kemi si komb për stafin akademik si pjesë e rëndësishme e elitës kombëtare. Programet e mësimit (kurikulat) janë në përgjithësi konform kurikulave të universiteteve simotra në Evropë por që jo gjithmonë përkojnë me mësimin efektiv që bëhet. Bile në ndonjë universitet privat mund të vëresh programe të niveleve shumë të larta dhe që kanë nevojë për një zotërim shumë të mirë të një fushë të gjerë. Padyshim që pedagogë të aftë për lëndë të tilla janë të rrallë dhe në vendet me arsim të zhvilluar. Mund të vëmë re mungesën e praktikës që është një element themelor ne formimin e studentëve. Aktualisht në programet e universiteteve shqiptare janë sanksionuar vetëm disa javë praktike gjatë bachelorit dhe disa muaj në fund dedikuar temës së diplomës së masterit, dhe për më tepër shumë pak kryhet në kushte ndërmarrje. Krahasimisht në universitetin tim (UTC) në harkun e tre vjetëve studimi ka dy semestra 6-mujore të plotë të dedikuar praktikave në ndërmarrje. Në Francë e gjitha kjo është shoqëruar me një politikë qeveritare inkurajuese (p.sh., praktikat janë detyrimisht të paguara me një pagë minimale të garantuar). Mungesa e lëndëve shoqërore në komunikim, gjuhë e kulturë të përgjithshme është e dukshme. Kjo pasqyrohet në fjalorin e dobët të studentëve dhe debatet jo mirë të ndërtuara ku marrin pjesë. Shpeshherë mund të vihet re mungesa në shprehje të mjaft studentëve në studiot televizive. Kjo, jo për përmbajtjen por për formën e transmetimit të mesazhit. Besoj se kjo është një e metë e madhe e formimit, përfshirë dhe universitar, aktual në Shqipëri. Si shembull, në universitetin tim 1/3 e mësimit është në fushën e komunikimit, kulturës, ekonomisë etj. Lëndët me zgjedhje janë të pakta, ndërkohë që universitetet kanë pak autonomi për të evoluar programin. Ideja është që të propozohen më shumë lëndë me zgjedhje dhe të hapen vetëm ato që e justifikojnë me kërkesa nga studentët. Kjo nuk çon domosdoshmërish në një kosto shumë më të lartë, sepse çdo student do ndjekë të njëjtin numër lëndësh. Sot është e domosdoshme të adaptohesh me teknologjinë e kohës por dhe të mund të lejosh një diferencim formimi dhe një lloj elitarizimi. Shtimi i lëndëve me zgjedhje ka dhe të mira të tjera. Do të mundësohet një formë e re e gjykimit të pedagogëve nëpërmjet përzgjedhjes së lëndëve/pedagogëve me mësimdhënie cilësore nga studentët. Lidhja me industrinë është pothuajse inekzistente. Kjo do të lejonte të përmirësoheshin shumë indikatorë: studentët do të mund të punonin në kushte të përshtatshme në kohë të kufizuar duke mos vënë në rrezik diplomimin, ndërsa pedagogët me kërkimet dhe eksperiencën e tyre do të mund të viheshin në shërbim të industrisë. Sidoqoftë duket sikur ka një ndërgjegjësim nga ana e qeverisë në këtë drejtim.

E fundit, dhe ndër më të rëndësishmet, mungesa e një universiteti/shkollë/masteri elitar

Elita e sotme intelektuale në Shqipëri formohet kryesisht jashtë vendit. Ne dijeninë time nuk ekziston asnjë formacion i nivelit të lartë/elitar në Shqipëri. Kjo nuk është e domosdoshme të bëhet nëpërmjet një shkolle të re. Kjo mund të fillojë si formacion specifik e universiteteve ekzistuese.

Po e mbyll këtë status me një mendim mbi përfshirjen e diasporës në zhvillimin e fushës së arsimit të lartë. Përtej programit Brain Gain që përmenda më lart nuk kam qenë në dijeni të ndonjë iniciative në këtë drejtim. Ndërkohë mjafton të shohim praktikat e vendeve të tjerë. Universitetet kineze, në sajë të një politike inkurajimi nga qeveria, i japin një vend të veçantë profesorëve kinezë në pozicion profesori në universitetet jashtë vendit. Është fjala për të ofruar poste pune me kohë të pjesshme, kryesisht me qëllim drejtimin e doktoraturave dhe ngritjen e nivelit të kërkimit shkencor. Të shumtë janë kolegët franko-kinezë që janë të atashuar në një universitet francez dhe kinez njëkohësisht. Kjo praktikë ka ekzistuar dhe për diasporën polake në vitet 90 dhe fillimi i 2000. Si përfundim, është e qartë që në Shqipëri ka një potencial fantastik studentor që nuk shfrytëzohet siç duhet. Na takon të gjithëve të ndihmojmë për një formim cilësor ne shërbim të të rinjve, duke i bërë kështu një shërbim të çmuar të ardhmes së vendit.