Edi Rama, i vetëm në shtëpi

458
Sigal

Nga Gentian Gaba 

Edi Rama është kryearkitekti i listave të mbyllura. I
duheshin për të vendosur nën hyqëm një parti që nuk
udhëhiqte dot. I ka mbrojtur ato me fanatizëm, derisa 5
qershori krijoi një moment të ri politik. Ky i fundit nuk erdhi
si pasojë e zemërgjerësisë së Ramës ndaj opozitës, dhe
nuk ishte vetëm një çast në të cilën u gjet ‘paqja’ politike
midis palëve.
Ishte shumë herë më shumë se kaq. Me pranimin e
‘Këshillit Politik’ si dhe me pranimin e produktit të tij, 5
qershorin, mazhoranca miratoi pozicionimin e saj si pala që
kishte shkaktuar konfliktin, duke marrë kësisoj, në sytë e
vendorëve dhe të huajve, përgjegjësitë për dosjet 184 dhe
339.
Ndonëse në konferencat e stërzgjatura për shtyp të këtyre
ditëve po përiqet ta pikturojë veten si lëshuesi i madh, Edi
Rama nuk ka dhënë, por çdo gjë i është hequr.
Nëse mazhoranca do të ishte e qashtër në të shkuarën e
saj zgjedhore, do të kishte forcën morale për të
kundërshtuar çdo zgjidhje ‘sui generis’. Por skeletet që
dolën nga dollapi i gazetës Bild e nxorrën mazhorancën nga
Parlamenti, për ta ulur tek Këshilli Politik.
Aty ku opozita mori shumçka kishte kërkuar, dhe mbetet në
pritje të dy kushteve të rëndësishme të Bundestagut dhe
Bashkimit Europian, sikurse janë hetimi dhe ndëshkimi i
krimit zgjedhor dhe shqyrtimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve të
30 qershorit.
Pamundësia e Ramës për të prodhuar një alibi për Dibrën
dhe Durrësin, bashkë me mungesën e reflektimit kundruall
përzgjedhjes së vazhdueshme të individëve me rekorde
kriminale, edhe pas miratimit të ligjit të ‘Dekriminalizimit’, e
detyroi atë të ishte vetëm një nënshkrues i thjesht i 5
qershorit.
Nën këtë hyqëm, me zgjedhjet që afrojnë dhe llogaritë që
nuk i dalin, Edi Rama po përpiqet të sabotojë marrëveshjen
me shpresën se në këtë mënyrë mund t’i krijojë shance të
reja vetes në zgjedhjet e ardhshme.
Për ta bërë këtë zgjodhi të bëjë të tijën, njëkohësisht duke e
bërë pis, kauzën për listat e hapura. Andaj futi në një
turravrap deputetët e tij, të cilët vetëm në dy javë prodhuan
ndryshime kushtetuese në formë digjitale. Sigurisht këto
arnime të pjesshme, 1/3 e listave, vendet e pëllumbave,
mbeten të mbyllura, që për qëllim kryesor nuk kishin
ndryshimin e sistemit por ndalimin e koalicioneve.
Sikurse thotë edhe shprehja, “Djalli nisi të citojë Biblën për
interesat e veta”, dhe nga mbyllësi i listave, në një natë
vere, Rama u kthye në ithtarin më të madh të listave të
hapura. Dhe falë fuqisë mediatike që pushteti i siguron,
nëpërmjet vuvuzelave në ekrane dhe portale, po përpiqet të
kornizojë debatin publik në mënyrë të tillë që mazhoranca
të duket prijëse e ndryshimit, ndërsa opozita si bllokuese e
tij.
Anipse kjo është një lojë e vjetër, që dikur i dilte mbarë,
është mëse e kuptueshme se, pas një katastrofe 7 vjeçare
shumë dimensionale, listat e hapura janë një gjethe fiku
mbas të cilave ai kërkon të fshehë frikën e tij zgjedhore.
Ngase debati për sistemin është një nga më themelorët për
një demokraci, dhe nuk mund të çohet përpara nga një
mazhorancë që sipas raportit më të fundit të Freedom
House është kthyer në varrmihëse të saj, që për më tepër
gëzon një epërsi negociuese fiktive në Parlament, për
shkak të votave të rrëmbyera në bashkëpunim me krimin,
nuk mund të kryehet si pasojë e frikës nga proceset
zgjedhore dhe as si një hile për t’i shpëtuar gjykimit të votës
së lirë.
Sidoqoftë manovrën e Ramës nuk e ka lexuar lehtë vetëm
opozita, por edhe ndërkombëtarët. Reagimi Zv.kryetarit të
Grupit të CDU-CSU, e trandi pasditen politike që pasoi
votimin e ndryshimeve në komisionin parlamentar, i ndjekur
një ditë më pas nga hezitimi i pafshehur nga kreu i
diplomacisë gjermane për të ardhmen e negociatave dhe
duke shkëputur përfundimisht fatin e Shqipërisë nga ai i
Maqedonisë.
Qëndrime që na kujtojnë edhe njëherë se hëna e mjaltit e të
huajve me Ramën ka perënduar prej kohësh, e për pasojë
ai vetë është shndërruar në hënën e keqe për të ardhmen
tonë europiane. Një kosto e papërballueshme për një vend
të vogël, i cili çdo ditë humb një mundësi përparimi sa herë
që Edi Rama vendos mbijetesën e tij politike përpara
interesit publik.
Qartësisht një fanepsje pas pushtetit që është tipike e
xhinsit me të cilin janë gatuar autokratët, dhe që në rastin e
kryeministrit të këtushëm po përzihet me frikën që nxit
vetmia. Sepse pa aleatë dhe pa mbështetje ndërkombëtare,
ngjason me personazhin e filmit që shoqëron mbrëmjet e
ndërrimit të viteve, ‘I vetëm në shtëpi’.
Një vetmi që ka kultivuar me keqqeverisjen e tij. E cila do të
përkthehet në izolim ndërkombëtar të Shqipërisë, që do të
zgjasë derisa të kuptohet se e ardhmja e një vendi është
më e rëndësishme se frika e një njeriu nga e ardhmja e tij.