Prof. Dr. Qemal Lame: Kanzelari Olaf Sholz theksoi të vërtetën për Kosovën dhe Serbinë 

615
Sigal

Kanzelari Olaf Sholz dëshmoi vazhdimësinë e politikës së suksesshme gjermane gjatë vizitës së tij në Ballkan. Ai mbështeti politikën evropiane, vlerësoi Kosovën si partner të besueshëm, kritikoi hapur qëndrimet e lëkundura të Presidentit Aleksandër Vuçiç dhe motivoi për vazhdimin e Procesit të Berlinit.

  1. Sholz me qëllime të paramenduara për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të mbartuar e filloi vizitën e tij në Ballkan në Prishtinë e pastaj në Beograd. Ai vuri në fokus përpjekjet e Kosovës dhe të Serbisë për anëtarësim në BE dhe arritjen e marrëveshjes që bëhet pengesë për këtë objektiv madhor. “Marrëveshja duhet të qartësojë përfundimisht edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që reciprokisht nuk e njohin njëri-tjetrin, të bëhen anëtarë të BE-së”. Kjo deklaratë për njohjen e Kosovës shkaktoi zemërim në Beograd. Por shqetësimi është i pajustifikuar me realitetin politik, i cili është e domosdoshme të pranohet dhe të motivojë për ndryshime pozitive. Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kancelari theksoi reformat për garantimin e sundimit të ligjit dhe lirisë së medias si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Scholz e vlerësoi reformën gjyqësore në Serbi duke shtuar në të njëjtën kohë se tani duhet të pasojnë hapa të mëtejshëm.
  2. Që para vizitës në Beograd Scholz-i i kishte sugjeruar Serbisë të ndryshonte kursin e saj në politikën ndaj Rusisë. Kushdo që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian duhet t’i pranojë të gjitha direktivat dhe rregullat e lidhura me të. Sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Rusisë janë një prej tyre. Në Bograd Scholz deklaroi: “Ne presim që sanksionet të zbatohen edhe nga ato vende që janë të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE”.

Vuçiq tha se Beogradi e kishte dënuar sulmin e Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe organe të tjera, por se vendi i tij ka një qëndrim të ndryshëm ndaj sanksioneve, sepse Serbia gjendet në një “situatë shumë të komplikuar” kur është fjala për furnizimin me energji. Qeveria serbe do t’u garantojë qytetarëve apartamente dhe shtëpi të ngrohta në dimër. Por këtë duan edhe shtetet evropiane, që vendosën sanksione ndaj Rusisë dhe po veprojnë për t’u mënjanuar vartësia nga gazi rus. Vuçiq deri më tani nuk ka ndryshuar kurs. Serbia duhet të përkrahë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, të dënojë krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë, të pranojë përgjegjësinë për genocidin në Kosovë dhe rolin çlirimtar të Nato-s në dallim nga agresioni i Rusisë në Ukrainë. Serbia duhet t’i japë fund politikës së luhatjes dhe të vendosë: a dëshiron të shkojë kah Rusia apo është vërtet e interesuar të antarësohet në BE. Në planin afatgjatë nuk ka kuptim të lidhet me Rusinë dhe të blejë armë nga Rusia dhe Kina. Në Serbi ka edhe shumë kompani që janë pronë e Rusisë. Do të ishte e rëndësishme që këto kompani ose këta individë të përfshiheshin në listën e sanksioneve, siç ndodh në të gjitha vendet e tjera të BE-së. Në marrëdhëniet me Kosovën është e rëndësishme që të intensifikohet dialogu. Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të vazhdojë të konsiderohet një kandidate serioze dhe e besueshme për anëtarësim në BE. Shqetësuese mbeten edhe fjalët e presidentit Vuçiq, kur ai u betua pas zgjedhjeve, se kurrë nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovës. Si mjet presioni mund të përdoren burimet financiare. Nëse Serbia vazhdon politikën e saj luhatëse e largohet gjithnjë e më shumë nga demokracia, atëhere duhen marrë masa për ngrirjen e fondeve dhe paralajmërimit e deri të pezullimit të negociatave të pranimit në BE. Sigurisht që edhe Kosova duhet të afrohet me Serbinë dhe të mënjanohen me mençuri e në kohë reagimet negative si ndodhi për shembull, mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Këto varen kryesisht nga Serbia që kërkon të imponojë në forma të ndryshme politikën e saj dhe të anashkalojë sovranitetin shtetëror të Kosovës. Asnjë shtet nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve për pakicat kombëtare në shtetet e tjera. Të dyja palët duhet të lëvizin drejt njëra-tjetrës. Megjithatë, është e rëndësishme që të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet një perspektivë e qartë evropiane. Është e pakuptueshme, se pse Maqedonia e Veriut të mos fillojë negociatat e anëtarësimit me BE-në, sidomos pas ndryshimit të emrit. Kosova ka plotësuar me kohë kushtet për liberalizimin e vizave dhe nuk ka arësye të zgjatet më tej marrja e vendimit nga BE. Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e bisedimeve.

3.Është në interesin evropian dhe euroatllantik që të kemi paqe në Ballkanin Perëndimor. Serbia është një partner shumë i vështirë për Bashkimin Evropian dhe posaçërisht për Kosovën për shkak të historisë dhe fqinjësisë problematike. Ajo nuk është e përfshirë vetëm në konfliktin e Kosovës, por edhe në tendencat separatiste në Republika Srpska. Prandaj duhet ta bëjmë të qartë se nëse duam të mbetemi të bashkuar dhe të kemi paqe e siguri dhe të respektojmë të drejtat e njeriut në kontinentin evropian, vendet kandidate duhet gjithashtu të përfaqësojnë vlerat evropiane. Procesi i Berlinit që lidhet me emrin e zonjës Merkel sigurisht që ka sjellë përparim në rajon. Bashkëpunimi me Komisionin Evropian është gjithashtu një trashëgimi e rëndësishme nga koha e zonjës Merkel në detyrë. Çdo gjë që forcon tregtinë ndërrajonale dhe ekonominë ndërrajonale për të mirën e të gjithë partnerëve është e mirë. Pra, edhe nisma e Ballkanit të Hapur është një alternativë, një element pozitiv. Por nuk duhen anashkaluar mungesa e njohjes së ndërsjelltë, mosbesimi dhe përvoja e hidhur e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. Bashkimi Evropian është e domosdoshme të heqi dorë nga parimi i unanimitetit dhe të mos pengohet në marrjen e vendimeve me të drejtën e vetos. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk arrijnë të kenë politikë të njejtë për zgjerimin dhe ndryshohen standartet për të përfituar kohë për interesa të njëanëshme politike. Bashkimi Evropian është e domosdoshme të qartësojë politikën e zgjerimit, të ketë standarte të përcaktuara, besimin për rajonin për anëtarësimin e plotë dhe të mos bëjë premtime që nuk i mban. Bashkimi Europian është në pamundësi të përcaktimit të afateve të anëtarësimit. Prandaj ka dështuar politika “e gjitha ose asgjë”, apo “një afrim dhe mos anëtarësim”. Është një ndryshim  ideja e një bashkësie të zgjeruar politike në krah të BE, por jo në BE. Por kjo do të thellonte më tej rënien e intersimit për bashkësinë. Nuk inkurajon as ideja që të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’u thuhet nëse kushtet plotësohen, atëherë të paktën do t’iu bëjmë pjesë të hapësirës ekonomike europiane. Një ide e tillë, e paraqitur sërish së fundmi nga Presidenti francez dhe gjithashtu nga të tjerë, mund të jetë vetëm një hap i ndërmjetëm. Ne duhet të konsiderojmë modele, në të cilat këto shtete të mund  të miratojnë pjesë të legjislacionit evropian, sidomos atë të tregut të brendshëm, dhe kështu mund të përfitojnë edhe nga avantazhet ekonomike të BE-së, pa u bërë anëtar me të drejta të plota. Pra, jo në asnjë mënyrë një klub i veçantë i fqinjëve të vështirë. Anëtarësimi në tregun e përbashkët është një hap drejt anëtarësimit të plotë dhe jo një zëvendësim i anëtarësimit të plotë. Ballkani Perëndimor është në Evropë dhe shtetet e rajonit kërkojnë të anëtarësohen konkretisht në BE. Ata janë në pritje që nga viti 1990 dhe duhet të motivohen. Në rast se bashkësia nuk do të qartësojë politikën e zgjerimit, atëhere politikat rajonale do të marrin orientime të tjera. Rritja e ndikimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e dobishme për aleancën euroatllantike. Ndërsa ndërhyrjet e Rusisë dhe Kinës kanë rrezikun potencial të rikthimit të tyre dhe të ndryshimit të gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë së rajonit. Shpresojmë në vendime motivuese deri në fund të qershorit nën Presidencën Franceze.

 

12 qeshor 2022   17:13

 

Presidenti serb Dobrica Çosiç ka thënë: “Gënjeshtra është virtuti më i madh moral i serbëve.” Presidenti Vuçiç, në 10 qershor 2022, gënjeu kur tha se: “Ne nuk e kemi dëgjuar kurrë prej ndonjerit në BE që ata të kërkojnë njohjen reciproke, askush nuk na ka folur asnjëherë për njohjen reciproke, me përjashtim të amerikanëve”.

Angela Merkel në Beograd në 13 shtator 2021. Pra para dhjetë muajsh kancelarja Merkel i deklaroi presidentit serb Vuçiç se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kusht që ajo të bëhet anëtare e BE. Në 14 shkurt 2018 ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ishte për vizitë në Beograd dhe në bisedime i deklaroi presidentit Vuçiç kushtin që Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës me qëllim që t’i bashkohet BE-së. Serbisë i është shpallur ky kusht nga BE qysh në vitin 2014, kur u hap konferenca ndërqeveritare me BE pas marrjes së statusit të shtetit kandidat, dhe Vuçiç ishte kryeministër i Serbisë. Presidenti serb Nikoliç në 5 dhjetor 2014 shprehu mospëlqimin e qeverisë serbe për kushtin e vënë që Serbia të njohë Kosovën para se të anëtarësohet në BE. Në 31 janar 2020 përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e jashtme Josep Borrell në bisedimet me presidentin serb Vuçiç i deklaroi atij: ”BE e ka bërë të qartë që kyçi për anëtarësimin e Serbisë në BE është normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën nëpërmjet një marrëveshje mirëkuptuese legalisht të detyrueshme”. Përveç kësaj Borrelli theksoi: ”BE e njeh. Kronika diplomatike dëshmon se sa e padenjë është rrena presidenciale serbe se gjoja e dëgjoi për herë të parë në 10 qershor kushtin e kancelarit gjerman. Kjo e detyroi kancelarin gjerman që me elegancën e njohur diplomatike të hidhte poshtë po atë mbrëmje në 10 qershor në Beograd rrenën e presidentit serb: “Pikëpamja jonë për Kosovën nuk është e re. Ka qenë e njohur për një kohë të gjatë”. Atëhere duhet të ketë disa arsye për këtë tronditje psiqike të presidentit të Serbisë, që rren në konferencë shtypi para kancelarit gjerman dhe para mediave se ai e dëgjon për herë të parë kushtin e njohjes së Kosovës për anëtarësimin e Serbisë në BE. Tronditja psiqike, që prodhoi rrenën vulgare të presidentit serb, lidhet me gjendjen pa rrugëdalje, ku ndodhet tani Vuçiçi prej kërkesës kategorike të kancelarit gjerman që Serbia duhet të njohë Kosovën nëse don të hyjë në BE. Kancelari gjerman i bëri të qartë prerazi Vuçiçit se Serbia nuk ka rrugëdalje dredhuese, por duhet të plotësojë dy kërkesa të detyrueshme: të njohë Kosovën dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Situata e re e acaruar ndërkombëtare me agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe aleancën flagrante të Serbisë me Rusinë, kanë detyruar kancelarin gjerman që t’i tregojë kufijtë e presidentit serb, që të mos vazhdojë taktikat bizantine të shtirjes si proeuropian dhe të fjetjes me Kremlinin. Ndaj kancelari Sholc i vuri presidentit serb dy provat e mëdha kategorike: Serbia duhet të njohë Kosovën dhe të vendosë sanksionet ndaj Rusisë.

Qëndrimi i kancelarit gjerman është i rëndësishëm, sepse i mbylli dyert spekullimit të Serbisë, e cila po përpiqet gjatë këtyre katër muajve të agresionit rus në Ukrainë që të mashtrojë diplomacinë e BE dhe në shkëmbim të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë të marrë nga BE lëshime për Kosovën dhe sidomos të heqë kushtin e njohjes së Kosovës për anëtarësimin në BE. Kancelari gjerman i preu rrugën këtij spekullimi dhe bëri të qartë se njohja e Kosovës është kusht i anëtarësimit të Serbisë në BE dhe nuk lidhet me sanksionet. Kërkesa kategorike e kancelarit gjerman në Beograd për njohjen e Kosovës si kusht i hyrjes në BE përbën një rrethanë të re pozitive dhe një ndihmë të madhe në planin diplomatik për Kosovën. Kjo tregon se Gjermania është e vendosur që ta detyrojë Serbinë të plotësojë kushtin e njohjes së Kosovës, nëse don të hyjë në BE. Kjo i jep fund demagogjisë dhe lojrave meskine të Beogradit për të ashtuquajturin orientim të integrimit europian. Nëse Serbia dhe presidenti i saj nuk zbatojnë kërkesën e kancelarit gjerman, kjo do të thotë se ata nuk janë realisht të interesuar për anëtarësimin në BE. Kërkesat e kancelarit gjerman në Beograd në 10 qershor janë një ndihmë e madhe për orientimin e drejtë dhe qëndrimin efikas të qeverisë së Kosovës lidhur me vazhdimin e dialogut me Serbinë. Pas SHBA dhe presidentit të saj Bajden, edhe kancelari i ri gjerman dhe Gjermania i drejtuan Serbisë kërkesën kategorike për njohjen e Kosovës, që do të thotë se qeveria në Prishtinë duhet të ndjekë autostradën diplomatike të përcaktuar nga SHBA dhe nga Gjermania dhe të mos dëgjojë këshilltarët jugosllavë në Bruksel apo në Prishtinë, që duan ta ngatërrojnë në rrugicat qorre diplomatike proserbe. Kërkesat e vendosura të kancelarit gjerman në Beograd për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia si kusht i anëtarësimit në BE shkaktuan alarm të madh në Moskë. Sepse Rusia është e interesuar nga pikëpamja strategjike që konflikti i hapur midis Serbisë dhe Kosovës të mos zgjidhet dhe Serbia të mos e njohë Kosovën, me qëllim që edhe konflikti të rrijë ngrirë, edhe Serbia të mos hyjë në BE. Zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, në 10 qershor sulmoi kancelarin gjerman për deklaratat e tij në Beograd: ”Kancelari i RFGJ deklaroi se Serbia pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk hyn në BE. Beogradi për asgjë nuk i detyrohet Brukselit, përkundrazi Perëndimi u ka serbëve një borxh të papaguar”. Zëdhënësja zyrtare e diplomacisë ruse i bën thirrje direkte Beogradit, që të mos zbatojë kërkesën dhe kushtin e BE dhe të mos hyjë në BE. Rrjeti mediatik i kontrolluar nga Kremlini në mënyrë masive sulmuan kancelarin gjerman për kushtin e njohjes së Kosovës. Gazeta ruse “Vzgljad” shkruante në 14 qershor se “kancelari i RFGJ Sholc i shpalli publikisht ultimatum Serbisë: Ose njihni Pavarësinë e Kosovës, ose harroni ëndrrat për të hyrë në BE”. Agjencia proqeveritare ruse “Regnum” shkruante në 11 qershor se “Ultimatumi gjerman i rradhës për Serbinë është se nuk ka integrim europian pa njohjen e Kosovës dhe se Serbia duhet të ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë”. Alarmi i diplomacisë dhe i shtetit rus vjen nga fakti se kancelari gjerman vendosi tani kufij të qartë për sjelljen dhe politikën e Serbisë, kufij që do të qartësojnë përfundimisht nëse Serbia është për integrimin europian apo për integrimin me Rusinë. Moska u alarmua, sepse detyrimi i Serbisë për të njohur Kosovën i jep fund interesave gjeopolitike ruse në Ballkan. Ekspertja ruse për çeshtjet e Ballkanit, profesoresha e Akademisë Ruse të Shkencave, Ana Filimonova, e përcaktonte hapur në 11 qershor në “regnum.ru” se “njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të thotë largim i Rusisë nga Ballkani”. Ka një element shumë të rëndësishëm, që duhet theksuar lidhur me kërkesën e kancelarit gjerman në 10 qershor në Beograd. Formula gjermane Sholc bashkohet plotësisht me formulën amerikane Bajden. Si kancelari gjerman në 10 qershor 2022, ashtu dhe presidenti amerikan Bajden në 7 shkurt 2021, kanë përcaktuar formulën e artë të zgjidhjes së dialogut Serbi-Kosovë me njohjen reciproke midis tyre. Eksperti zyrtar rus për Ballkanin, Oleg Bondarenko, shqetësohej në 10 qershor se “Gjermania pranoi si bazë doktrinën antiserbe të SHBA”. Kërkesa e vendosur e kancelarit gjerman në Beograd është një mësim shumë i madh diplomatik për gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor se si duhet t’i ndërtojnë ata marrëdhëniet me Serbinë. Por ajo është një leksion shumë i rëndësishëm sidomos për Shqipërinë. Sepse del pyetja e madhe tronditëse: Kur Gjermania nuk pranon hyrjen e Serbisë në BE pa njohur Kosovën, si mundet Shqipëria pranon të hyjë në grupimin serb “Ballkan i hapur” pa njohur Serbia Kosovën?. Kjo pyetje është kriteri bazë dhe lakmusi profesional për të kuptuar dhe përcaktuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Ballkanin e hapur” serb. Shqipëria duhet të mësojë nga Gjermania dhe nga kancelari gjerman për të mbrojtur interesat e saj politike, diplomatike, gjeopolitike dhe kombëtare. Sepse kur presidenti serb arrin të guxojë të rrejë në mënyrë vulgare në prani të kancelarit të shtetit më të fuqishëm europian, a e mendoni se sa me lehtësi ai u servir rrena suvarijve të vegjël të Ballkanit Perëndimor, që i kanë hypur karrocës serbe të “Ballkanit të hapur”. Objektivi afatgjatë i Serbisë për vendet pjesëmarrëse të nismës së Vuçiçit është distancimi i tyre nga integrimi europian dhe nga aleancat me Perëndimin. Është në kufijtë e skandalit fakti se si nuk kullohet qeveria e Shqipërisë që të kuptojë piketat strategjike antiperëndimore, që i përcaktoi “Ballkanit të hapur” presidenti serb në fjalën e tij në Ohër në 8 qershor, në prani edhe të kryeministrit të Shqipërisë. Ja fjala e presidentit Vuçiç në ligjëratë të drejtë, e transmetuar nga portali i njohur serb “B92”: “Ballkani duhet t’u përkasë popujve të Ballkanit. Fuqitë e mëdha kurrë nuk duan ta lejojnë këtë. Interesi i popujve të Ballkanit duhet të jetë i joni, jo i fuqive të mëdha”. Fuqitë e mëdha të pranishme në rajon nëpërmjet anëtarësimit të shteveve ballkanike në BE dhe në NATO janë fuqitë e mëdha perëndimore dhe organizatat e tyre perëndimore. Presidenti serb ridel me thirrjen e vjetër hegjemoniste serbe “ballkani për ballkanasit”, që Serbia si shteti më i madh ta sundojë ajo Ballkanin Perëndimor. Diplomati serb Vladimir Kërshljanin, këshilltar i lartë në Ministrinë e Jashtëme të Serbisë deklaronte në 7 qershor se “aleanca serbo-ruse është garanci edhe kusht për Ballkan të hapur”. Është vështirë të parashikohet se kur diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë do të ulen të nxjerrin ndonjë mësim nga mesazhet ballkanike të kancelarit gjerman dhe nga rrugëtimi serbo-rus i “Ballkanit të hapur”.