PPP-të, çmenduria e një piktori që e mendon shtetin si telajo

691
Sigal

Nga Kleo Kostenja

Seanca  parlamentare, përveç teatrit të përjavshëm të kryeministrit me “opozitën e re”, që stekën e debatit mund ta ngrejë deri te përllogaritja e kostos së teritalit, ishte një këmbanë alarmi për të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Dje u risoll në vemendje teza e PPP-ve dhe u rizgjua paketa 1 miliard euro. Një paketë investimesh në infrastrukturë, e cila do ti japi dorën e fundit ekonomisë shqiptare drejt humnerës. PPP-të për të gjithë ata që nuk kanë informacion, janë një formë prokurimi kur një kontraktor merr përsipër realizimin dhe financimin e një vepre të caktuar dhe e mirëmban për një periudhe kohe 15-35 vjet. PPP eshte nje forme prokurimi qe aplikohet për vepra strategjike, të cilat parashikohen të kenë një impakt të konsiderueshëm në ekonomi dhe shteti nuk ka burime te mjaftueshme financiare për të mbuluar kostot e investimit. Gjithashtu shteti duhet të ketë një nevojë të pashmangshme për të trasferuar rreziqet e projektit. Projektet e paketës 1 miliard euro jo vetëm që nuk kanë për qëllim transferimin e ndonjë rreziku specifik që lidhet me realizimin e projekteve, por gjithashtu vijnë si propozime nga sektori privat e jo si një nevojë e shtetit shqiptar. Gjithashtu, nisur dhe nga fakti që për asnjë nga PPP-të e propozuara nuk ka ndonjë studim apo raport që ti klasifikojë si investime strategjike, natyrshëm lind pyetja:

Çfarë e shtyn zotin Kryeministër drejt PPP-ve?

Çfarë e shtyn zotin Kryeministër drejt PPP-ve, kur raporti Special i Komisionit Europian në Nëntor të vitit që shkoi, mbështet faktin, që përfitimet potenciale të PPP-ve në shumicën e rasteve nuk arrihen dhe më e rëndësishmja nuk jane eficiente, efektive dhe ekonomike. Gjithashtu, u identifikua fakti që zakonisht këto projekte mbartin kosto të fshehura dhe janë të ekspozuara ndaj vonesave dhe rritjes artificiale të kostos.

Çfarë e shtyn zotin Kryeministër drejt PPP-ve, kur raporti i Zyrës Kombëtare të Auditit Britanik i cilësoi PPP/PFI-të si një katastrofë ekonomike dhe shpërdorim i parave të taksapaguesve. Në të njëjtën gjuhë foli dhe Thesari i Shtetit Britanik, i cili nënvizoi faktin që PPP-të nuk prodhojnë vlere per parane e investuar . Në bazë të këtyre raporteve, qeveria britanike ka pezulluar PPP-të e planifikuara duke lejuar 0 buxhet për PPP-të dhe pas një eksperience 30 vjeçare përsëri po merret me rishikimin e legjislacionit.

Çfarë e shtyn zotin Kryeministër drejt PPP-ve, kur në Shqipëri ka boshllëqe te konsiderueshme në legjislacionin e prokurimit publik dhe mungesë të burimeve njerëzore për të përballuar kontratat PPP. Eksperienca e shtetit shqipëtar në këtë metodë prokurimi është elementare dhe për pasojë ka mungesë të një strategjie dhe strukturimi institucional për të menaxhuar projektet PPP. Kjo shihet qartë dhe në negocimin e kontratës Balldren-Milot ku vlera u rrit me 32% gjatë fazës së negocimit. Ashtu si u pa qartë dhe deshtimi me sukeses i negociatave te PPP Thumane-Kashar.

Çfarë e shtyn zotin Kryeministër drejt PPP-ve, kur kompania propozuese për rrugën Balldren- Milot pretendon të investojë një shumë prej afro 295 milionë eurosh, ndërkohë që vlera e kompanisë sot përfshirë asetet nuk i kalon 17 milionë euro. Në rastin më të mirë kompania do të përdorë bankat për të financuar projektin dhe shteti shqiptar do të përdoret si garanci. Po perse duhet shteti shqiptar të dalë garant për financimin e një projekti me normë interesi mbi 5%, kur mund ta marrë vetë financimin me një normë interesi disa herë më të vogël. Në rastin më të keq ky investim do të kthehet në një lavatriçe për paratë e përfituara në rrugë të paligjshme.

Çfarë e shtyn Kryeministrin drejt PPP-ve, kur kostoja e rrugës dhe mirëmbajtes është disa herë më e shtrenjtë në krahasim me format tradicionale të prokurimit publik. Një raport i publikuar nga Zyra e Auditit Britanik tregon qe në shumicën e rasteve projektet PPP kanë rezultuar më të kushtueshme se ato të realizuara me forma alternative prokurimi. Mbështetur kjo dhe nga Plani i veprimit 2016-2020, ku qeveria shqiptare me asistencën e Bankës Botërore kishte planifikuar ndërtimin e këtij aksi me një kosto prej vetëm 6 milionë eurosh për kilometër në krahasim me 15 milionë euro për kilometër që është tenderuar sot.

Arsyet që e shtyjnë kryeministrin mund të jenë të shumta. Mund të jenë fitimet marramendëse të miqve të tij pa ndërmarrë asnjë lloj rreziku dhe sigurimi i një biznesi fitimprurës disa vjeçar në kurriz të shqiptarëve. Ashtu dhe siç mund të jetë pastrimi i parave të pista dhe përgatitja për zgjedhjet e parakohshme. Për të mos u marrë shumë me arsyet e kryeministrit duhet të merremi më shumë me arsyet pse duhet ndaluar menjëherë kjo çmenduri. Cmenduria e një piktori që e mendon shtetin si telajo ku mund të shkarravisë.

Për një periudhë 15-35 vjeçare, në varësi të kontratës kompanitë që kanë propozuar PPP-të do të fusin duart çdo vit në buxhetin e shtetit. Fakti, që këto projekte janë të propozuara nga sektori privat dhe të prokuruara me negocim të drejtpërdrejtë, ka asgjësuar çdo mundësi për garë dhe kanë cënuar interesin e takspaguesve shqipëtarë.

Prokurimi i PPP-ve në Shqipëri ka mungesa të analizave cilësore dhe sasiore të cilat do të rrisnin transparencën dhe do të qartësonin pozicionin e këtyre PPP-ve në krahasim me prokurimin tradicional publik. Në një vend normal, përpara se qeveria të vendosë të përdorë PPP-të duhet të justifikojë dhe të provojë që kjo është mënyra më e përshtatshme për realizimin e projektit. Në Europë dhe Britani përdoret kryesisht ai që quhet ‘Krahasuesi i sektorit publik’, i cili krahason mënyrat e ndryshme të prokurimit.

Problemi tjetër kryesor, është që me miratimin e këtyre kontratave në parlament, shteti shqiptar mund të bëjë zgjidhjen e kontratave vetëm në arbitrazh ndërkombëtar ku përgjigja me shumë gjasa do të jetë si ajo e çështjes Becchetti ku shteti shqiptar tanimë i detyrohet një kompanie një shifër që i tejkalon 140 milionë euro.

Debati në ditët e sotme është i përqendruar te zgjedhjet dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Por duhet patyr parasysh qe lidhja e këtyre kontratave do e çojë ekonominë drejt humnerës dhe pavarësisht çfarë sistemi do të kemi dhe pavarësisht kush do ti ketë frenat e pushtetit në dorë, shteti shqiptar do të jetë i detyruar të zbatojë këto kontrata, sado qesharake e korruptive qofshin ato. Prandaj, le ti parandalojmë përpara se të jetë shumë vonë!

*Autori është diplomuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka studiuar veçanërisht Partneritetin Publik Privat