EURO 2020 (2021)/ Suedia, Çekia dhe Anglia 1 hap më afër kualifikimit në fazën tjetër

272
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kanë vazhduar ditën e djeshme ndeshjet e xhiros së dytë, të fazës së grupeve të Kampionatit Evropian të futbollit, ‘Euro 2020’, i cili për shkak të pandemisë që bllokoi gjithë Botën vitin e kaluar, po zhvillohet këtë vit me një risi, ku nuk do të ketë vetëm 1 apo 2 vende organizatore, por ndeshjet do të luhen në 12 shtete të ndryshme. Ndeshjet që u luajtën ditën e djeshme ishin Suedi-Sllovaki, Kroacia-Republika Çeke dhe derbi ishullor Angli-Skoci.

Suedi 1-0 Sllovaki

E vlefshme për grupin E, ndeshja midis Suedisë dhe Sllovakisë tregoi më shumë për ekipet që mund të kalojnë në fazën tjetër nga ky grup. Të dyja ekipet vinin nga rezultate pozitive të marra në xhiron e parë të ndeshjeve, ku Suedi pati një barazim pa gola ndaj Spanjës, ndërsa Sllovakia “suprizoi” Poloninë, duke i munduar ata me rezultatin 2 me 1. Fati i buzëqeshi sërish suedezëve këtë herë, duke arritur të mposhtinin një Sllovaki të mirëorganizuar në mbrojtje me rezultatin minimal 1-0. Loja nisi me vrull ku në minutat e para të dyja ekipet sulmuan bindshëm, fillimisht suedezët me kapiteni e tyre Seb Larson, i cili këtë ndeshje numëroi performancën e tij të 131-të me Kombëtaren nordike, gjeti një hapësirë brenda në zonë dhe testoi portieri sllovak Dubravka me një goditje të ulët në cepin e portës, por që nuk u përkthye në gol.

Më pas do ishin sllovakët të cilët me anë të sulmuesit Duda dhe kapitenit legjendar sllovak, Marek Hamshik do të testonin defensivën suedeze, por pa mundur dot të gjenin rrugën e rrjetës. Pas këtyrë dy rasteve ndeshja mori një pamje tjetër, më të qetë, me Suedinë pothuajse gjatë gjithë kohës kishte dhe kontrollin e topit. Pritjes do i vinte fundit në minutën e 75’, ku pas një ndërhyrje të gabuar të portierit Dubravka, arbitri do të akordonte një 11-metërsh, që më pas do të përkthehej në gol nga mesfushori suedez Emil Forsberg. Suedezët arritën kështu një fitore më shumë vlera për në rrugën e tyre drej kualifkimit për në fazën tjetër të Kampionatit Evropian, fazë të cilën nuk e arrijnë që prej edicionit të vitit 2004.

Kroaci 1-1 Republika Çeke

Në orën 18:00 startoi sfida mes Kroacisë dhe Republikës Çeke, e vlefshme për grupin D. Kroatët vinin nga një humbje 1 me 0, përballë Anglisë në ndeshjen hapëse të kompeticionit, ndërsa çekët të entiuzasmuar nga fitorja spektakolare ndaj Skocisë, ndeshjen e parë kërkonin që të bënin sërish surprizën. Çekët zgjodhën po të njëjtën skemë loje si me Skocinë, atë të kundërsulmit duke i vënë në vështirësi kroatët, që në fillimin e lojës me këta të fundit që gjuajtjen e parë në portën çeke, e regjistruan në minutën e 20’ pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi, duke treguar kështu se e kishin të pamundur të thyenin skemat e tyre. Në krahun tjetër çekët u hodhën në sulm që në fillim të lojës me Patrik Shik, duke vënë në vëshitrësi ballkanasit me goditjet e tij potente. Në minutën e 37’ pas një aksioni të çekëve, mbrojtësi kroat Dezhan Lovren prek topin me dorë brenda zonës dhe pas konfirmimit nga sistemi VAR, gjyqtari akordon një 11-metërësh, i cili u kthye në gol nga 25-vjeçari i talentuar Patrik Shik.

Me këtë gol Shik mori dhe kryesimin e tabelës së golashënuesve me 3 gola të shënuar në vetëm 2 ndeshje. Me startin e pjesës së dytë Kroacia “u zgjua” nga gjumi dhe nisi ofensivat e saj, të cilat u shpërblyen, kur në minutën e 47’ me një goditje të bukur nga cepi i zonës, mesfushori i Interit, Ivan Perisiç ndëshkon çekët duke barazuar kështu rezultatin. Pjesa e mbetur e lojës nuk do të ndryshonte dot rezultatin, edhe pse të dyja ekipet u hodhën në sulm për të gjetur golin e fitores. Me këtë barazim çekët janë ata që përfitojnë më shumë, pasi shkojnë në kuotën e 4 pikëve në përballjen tjetër kundër Anglisë për të mësuar se cili ekip do të marri vendin e parë në grupin D, ndërsa Kroacia do të përballet më Skocinë, për të mësuar se cili nga ekipet do përfundojë në vendin e tretë për të patur një tjetër mundësi kualifikimi për në fazën tjetër.

Angli 0-0 Skoci

Ashtu siç dhe pritje, derbi britanik i grupit D, dhuroi spektakël, por nuk arriti të nxirrte një fitues, duke vënë në pikëpyetje ekipet që do të kualifikohen për në fazën tjetër. “Tre luanët” e teknikut Sauthgejt, nuk arritën dot të çanin mbrojtjen skoceze të udhëhequr nga kapiteni Andrju Robertson, edhe pse rastet e angelzëve nuk ishin të tepërta, ishin efikase duke vënë shumë herë në vështirësi skocezët. Nga ana tjetër Skocia ia besoi detyrën e sulmit, talentit 24-vjeçar të Sauthemptonit, Çe Adams, i cili jo pak herë rrezikoi portën angleze, por një Xhordan Pikford në superformë ia prishte “ëndrrat” në çdo aksion që vinte nga skocezët. Të dyja ekipet luftuan fort dhe patën raste të shumtë por nuk arritën dot të gjenin golin këtë ndeshje, duke e mbyllur sfidën me rezultatin 0 me 0, një rezultat ky mëse i merituar nga skocezët, të cilët i treguan futbolldashëve “fytyrën” e tyre të vërtetë pas asaj humbje 0 me 2 ndaj Republikës Çeke, në ndeshjen hapëse të kompeticionit.

Me këtë rezultat çdo gjë mbetet e hapur në grupin D, ku në krye të grupi vazhdon të mbetet Çekia me 4 pikë, e ndjekur kjo nga Anglia me po 4 pikë, por me më pak gola të shënuar. Në vendin e tretë ndodhet Kroacia me 1 pikë, po aq sa Skocia por me 1 gol më pak të pësuar. Në xhiron e tretë të ndeshjeve në grupe, Skocia do të përballet me Kroacinë për të kërkuar fitoren e parë këtë edicion dhe pse jo të ëndërrojë për një vend në fazën tjetër, pas një mungese prej 27 vitesh në Kampionatet Europiane, ndërsa Kombëtarja e ‘tre luanëve’ do të përballet me çekët për të mësuar se kush do të jetë kreu i grupit D. Ndërkaq, ditën e sotme do të luhen përballjet Hungari-Francë në orën 15:00, Portugali-Gjermani në orën 18:00 dhe në orën 21:00 Spanjë-Poloni, duke i dhënë kështu fund ndeshjeve të xhiros së dytë në grupe.