Analizë nga Ilmi Qazimi: Dinjitet apo falsitet ?!

351
Sigal

 Nënpunësi i thjesht fyhet, veterani shpërfillet, dëshmori harrohet, femra përdhunohet dhe shteti hesht.Të rinjtë po lënë atdheun dhe qeveria merret me satelitët

 

Nëpunësi i thjeshtë fyhet, veterani shpërfillet, dëshmori harrohet, i moshuari anashkalohet, femra përdhunohet…Dhe në këto raste, ai që e quajmë ‘shtet shqiptar i së drejtës’ bën sehir. Në rastet e tilla, siç e shohim shpesh e më shpesh, qeveria, ose mashtron, ose hesht, ose bën sikur ndëshkon. Gjykatat shprehin gjendjen e tyre të atrofizuar.

“Dua të jetoj me dinjitet…!” Kështu më tha mbesa  18 vjeçare një ditë marsi para njëmbëdhjetë vjetësh dhe pastaj shtoi: “Këtu, në vendin tim, nuk ma jep as shoqëria e as shteti këtë të drejtë!”Dhe ajo iku në Perëndim…

*

Edhe pse dinjiteti është temë shumë e gjerë, po mundohem të cek sadopak tregues të kësaj pjese të kultivimit të ndërgjegjes më të lartë së qenies njerëzore. Dinjiteti si tërësia e vlerave morale të njeriut, një grupi njerëzish apo një klase shoqërore (nderi, krenaria, dashuria e sinqertë, respekti i ndërsjelltë, ndjenja e dashurisë për punën,vendlindjen, shoqërinë, etj.), në botëvështrimin objektiv, përbën tiparin dallues prej nga ku nis vlerësimi i mëtejshëm për aksecilin në punë, shoqëri, familje. Si kategori e  ndërgjegjes shoqërore dinjiteti ka karakter historik dhe klasor, ndërkohë që ai ,si pjesë e moralit nuk është thjesht individual, por edhe familjar, shoqëror e kombëtar.

Të rinjtë largohen nga atdheu se duan të fitojnë më shumë me punë të rënda andej tutje oqeanit, kurse kryetari i qeverisë akaparon një satelit për Shqipërinë!?

Pak përvojë nga e kaluara e afërt

Në shoqërinë socialiste, që të rrimë shtrembër e të flasim drejt, shumësia e vlerave që përbënin dinjitetin e individit qëndronte në krye të listës së edukimit të njerëzve me të gjitha format e metodat e shumta, të kujdesshme dhe të durueshme të bindjes; edukim që kryhej i planifikuar, racional, i pandërprerë dhe rigoroz, në të gjithë institucionet dhe përshkallëzimet shtetërore, shoqërore, shkencore , shkollore. Dhe ky edukim ishte i detyrueshëm për të gjithë shtetasit shqiptarë, pavarësisht moshës, gjinisë, ngjyrës, rracës, intelektit, vendit të punës apo postit shtetëror a politik, gjendjes sociale. Kuptohet që ky proces masiv e cilësor edukativ nuk shkonte kudo si në vaj ndaj edhe , pasi  mbaronin format edukuese nisnin të përdoreshin format shtrënguese, të cilat për të pandreqshmit e paktë, shkonin deri tek privimi i lirisë. Por edhe atje, në burg, edukimi vijonte me anë të punës më të vështirë në minierë e në ndërtim, me anë të dhunës dhe me anë të vlerësimit të mirave sado të pakta individuale për të bërë të mundur të arrihej në ridhënien e lirisë të privuar individit. E tërë kjo gamë aktivitetesh edukuese komplekse realizohej sipas ideologjisë marksiste-leniniste dhe mësimeve të Enver Hoxhës. Kjo metodologji pune brumosëse synonte krijimin dhe ruajtjen e dinjitetit të personit, emancipimin e tij tërësor dhe krijimin e vlerave të reja shoqërore në përshtatje zhvillimin e forcave prodhuese e të marrëdhënieve socialiste në prodhim , të cilat kishin bazë themelore pronën shoqërore, atë kolektive dhe ato pak marrëdhënie private të mbetura nga rendi i mëparshëm shoqëror. Sundonte për ato 45 vjet,1944-1990, koncepti i disiplinës si ndjenjë lirie dhe puna e dobishme shoqërore si ndjenjë, që ushqen të vetmin burim të moralshëm të të mirave materiale. Kishte rend të caktuar të lidhjeve dialektike midis detyrave dhe të drejtave të gjithsecilit. Sundonte etja për dije, dëshira për personalitet të qëndrueshëm, nevoja për familje të fortë dhe ndëshkohej deri ligjërisht gjithkush që nuk punonte atje ku caktohej për të punuar.

Në raportin e mira me të keqen,(pozitivitet-negativitet) sundonte në shumicën dërrmuee të rasteve, e mira; ajo propagandohej, vlerësohej, stimulohej moralisht, nxitej dhe kërkohej që të arrihej nga ana e të tjerëve. Raporti vlerë -antivlerë njihej dhe ushtrohej vetëm si çmim i punës së secilit dhe të mirat (të këqiat) që ai i sillte ai shoqërisë, familjes dhe vet sektorit ku ishte caktuar. Se çfarë raporti zinte edukimi  i dinjitetit në tërë shoqërinë mjafton të kujtojmë se ofendimi më i shpeshtë për dikë që kryente akte të pamoralshme (sharje, fyerje, qëndrime rrugaçërie fillestare, etj) ishte fjalia :” Ik tutje, i pa edukatë!”Dhe me të, pastaj merrej organizata e rinisë, shkolla, familja etj. Ishte kërkesë parësore që drejtuesit e të gjitha rangjeve, nga komandanti i skuadrës, përgjegjësi i grupit me dy vetë deri tek drejtori, ministri, sekretari i parë i partisë, të jepnin kudo e kurdoherë shembullin pozitiv personal në fjalor, sjellje publike, qëndrimin e tyre politiko-moral si person e si familje, etj. Dhe kjo gjithësi rregullash ishte e detyrueshme. Sa thashë më lart është histori e gjallë e jetuar nga disa breza qytetarësh, fshatarësh e intelektualësh në Shqipërinë tonë, e nuk është përrallë apo trillim. Për sa më sipër,ne që e jetuam atë rend në plotësinë e vet pozitive dhe në shfaqjet e tij jo të shumta negative, e themi pa frikë dhe me kokën lart se atë kohë ruhej dinjiteti dhe jeta bëhej në tërësinë e vet normale, dinjitoze dhe luftarake drejt më së mirës së atdheut, shoqërisë, familjes dhe individit.

Po në ditët e sotme?

Në këto tridhjet vite të shoqërisë ‘demek’ demokratike ku është , si krijohet e qysh ruhet dinjiteti i personit? Cilat janë metodat e edukimit dhe çfarë vlerash stimulohen? Çfarë shembulli japin udhëheqësit, drejtuesit, politikanët,  deputetët? Cilat shkolla apo universitete punojnë sistematikisht për të kultivuar dinjitetin e nxënësit shqiptar e për të ruajtur dinjitetin e mësuesit atdhetar? Si përgjigje është i bollshëm informacioni mediatik i përditshëm i ekranit dhe i shtypit, i internetit dhe i rrugës, për moralin e shthurur, për fjalorin më të ndyrë e të pabesueshëm. Janë videot me sjelljet antinjerëzore nëpër shkolla, veprat e përsëritura penale, vjedhjet, vrasjet, arrestimet, dënimet. E tejkalojnë masën për shpërfilljen dhe përdhosjen në mënyrë të pakorrigjueshme të dinjitetit njerëzor emisionet televizive si “Përputhen” ,”Big Brother”, “Zonë e Lirë”, “Klanifornia”. Liria e shfrenuar, mungesa e edukimit sistematik njëzetë e katër orësh i njeriut, nxitja e urrejtjes ndaj punës dhe vendit të lindjes, goditja e unitetit familjar deri tek devijacionet biologjike dhe kthimi i femrës në një plaçkë të rëndomtë tregu, servilizmi ndaj bosit, janë tregues të cilët e përjashtojnë ekzistencën e dinjitetit njerëzor në çdo mjedis shoqëror e në çdo kohë. Ndaj ky sistem ekonomiko-shoqëror që e përdhos dinjitetin njerëzor, që gjithçka ia beson teknologjisë, imoralitetit, mashtrimit, zinxhirit të bizneseve vjedhës e manipulues dhe antivlerave të shoqërisë,nuk mund të ketë të ardhme të gjatë.

Në qoftë se në Amerikë, tek e cila , fatkeqësisht shqiptarët e të sotmes shohin shtetin më demokratik, një tufë rrugaçësh i thonë policit” distinktivi yt këtu tek ne, nuk pi ujë” dhe i kthejnë prapanicën, në Shqipërinë tonë të tashme, rrugaçi, vjedhësi, përdhunuesi, drogazhiu polici,  i cili  realisht është në çdo çast përballë keqbërësit, krimit e kriminelit,  e vret pa pikë qederi! Dhe më tej akoma: nëpunësi i thjeshtë fyhet, veterani shpërfillet, dëshmori harrohet, i moshuari anashkalohet, femra përdhunohet…Dhe në këto raste, ai që e quajmë ‘shtet shqiptar i së drejtës’ bën sehir. Në rastet e tilla, siç e shohim shpesh e më shpesh, qeveria, ose mashtron, ose hesht, ose bën sikur ndëshkon. Gjykatat shprehin gjendjen e tyre të atrofizuar. Prokuroritë janë thuajse anemike. Dinjiteti i njeriut ose del në plan të fundit ose përbaltet rëndë. Ndërkohë që propaganda e drejtuesve qeverisës, ulërin për të drejtat e njeriut!? Pëllet kryetari i qeverisë për t’i ardhur në ndihmë popullit, për të rritur pagat e punëtorëve, për të shtuar vendet e punës… Të rinjtë largohen nga atdheu se duan të fitojnë më shumë me punë të rënda andej tutje oqeanit, kurse kryetari i qeverisë akaparon një satelit për Shqipërinë!? Mashtrime, gënjeshtra, hipokrizi. Jetesë false!Vaj  medet ku po shkon shoqëria shqiptare!

Një ditë të këtij viti të dytë të mallkuar pandemik mbesa duke biseduar në telefon nga Nju Jorku më tha: “Gjyshi, atë që kërkoja aty në atdhe, u përpoqa goxha ta gjeja këtu, por nuk munda, sepse këtej qenka edhe më keq. Sado që me punë të stërmundimshme dhe me pagesat e rënda të ligjëruara, arrita të zë një detyrë të zilishme si profesoreshë, përsëri eprorët e mi më përçmojnë e më trajtojnë si emigrantë nga …Shqipëria.”