Zjarri në fabrikë i mori jetën, flet djali i Besnik Bojakut: Babai u dogj i gjallë, askush nuk erdhi për ta parë, do të hap proces gjyqësor

256
Sigal

Mëngjesin e sotëm ndërroi jetë në QSUT 57-vjeçari Besnik Bojaku, i cili mbeti i lënduar si pasojë e zjarrit të rënë në fabrikën e tullave në Maminas.

Policia e Shijakut arrestoi në lidhje me këtë ngjarje drejtuesin teknik të fabrikës si përgjegjës për mos respektimin e rregullave të mbrojtjes në punë.

djali i viktimës hedh akuza të forta mbi vdekjen e të atit. Ai shprehet se babai i ka thënë ditën e djeshme se dikush ka hapur gazin.

Sipas tij 57-vjeçari kishte eksperiencë në punë dhe nuk mund t’i ndodhte nga pakujdesia.

Për sa i përket personit të arrestuar i biri thekson se përgjegjësinë e mban gjithmonë më i dobëti.

“Shqetësimi im ishte se ditën e djeshme që nga momenti që u paraqit babai në spital dhe deri në mbrëmje nuk u paraqit asnjë për ta vizituar
Babai im ishte i djegur 100% nga koka deri te këmbët.

Kam qenë gjithë kohës me të dhe më thoshte se dikush ka hapur gazin. Babai im kishte eksperiencë, nuk mund t’i ndodhte nga pakujdesia.

Nga 120 punëtorë aty është e çuditshme që askush nuk e pa.

Ato që di do i mbaj për vete do i nxjerr përpara drejtësisë nëse do të ketë drejtësi.

Normal që do të hap proces gjyqësor, babi im vdiq në moshën 57-vjeçare, u dogj i gjallë, vdiq në punë.

Personi i arrestuar ka qenë më i dobëti për mendimin tim. Më i dobëti ka për ta mbajt përgjegjësinë.

Deri më dje ishte babai im më i dobëti, e mbajti ai përgjegjësinë se nuk fliste dot, se ishte i djegur plotësisht.

Mjeku ka qenë njeri shumë i mirë, më ka ndihmuar shumë. Ka qenë një çun i ri dhe atij ja di për faleminderit. Më tha që në fillim që babi është 98% i djegur”, tha djali.