Flet Tinka Kurti, “Nderi i Kombit”: Ne jemi artistë dhe zemra jonë është skena

308
Sigal

Jetën në rini e fillova si sportiste, ndërkohë që në filmin e parë shqiptar, luajta rolin e Tanës. Nostalgjia për kinematografinë dhe pse nënë Pashako do të mbetet figura më monumentale e nënave burrnesha të Shqipërisë. Aktorët dhe regjisorët që bënë histori dhe dashuria ime për Shkodrën.

 

-Kam nostalgji për nënë Pashakon, në filmin “Yjet e netëve të gjata”

-Në rini kam qenë sportiste, madje një atlete kampione në garën e 100 metrave.

-Kur shoh filmat e mi shoh dhe ku kam gabuar, e ndërkohë grindem me veten dhe rolin.

– Fati më ndihmoi të merrja pjesë në filmin e parë shqiptar “Tana”.

-Kur ndodhem jashtë vendit mendjen e kam tek Shqipëria ime, kur jam në Tiranë, mendjen e kam në Shkodër

– Jam dhe aktorja e filmit të fundit “Dasma e Sakos”, pasi kohët e fundit në Shqipëri nuk po prodhohen filma shqiptarë

– Me dramën “Gjaku i Arbërit” kemi dhënë shtatëmbëdhjetë shfaqje me radhë.

-Nuk harroj kurrë kolegët në Shkodër, Zef Jubanin, Bep Shirokën, Lec Bushatin, Ymer Balën, Vitore Ninan, Agron Dizdarin, Violeta Sekujn, Antoneta Fishën e të tjerë …

Fadil Shehu

Tinka Kurti (Thani lindi me 17 Dhjetor 1932) është një nga aktoret më të njohura shqiptare. Puna e saj, përfshin 60 vjet sheshe xhirimesh dhe skenë ku ka më shumë se 50 filma artistikë dhe 150 shfaqje teatrore. Ajo është vlerësuar me medaljen “Artist i Popullit” dhe “Nderi Kombit”. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.

 

Përse i ka munguar vitet e fundit “Nder i Kombit” Tinka Kurti publikut shqiptar?

Pyetja juaj është e dhimbshme, në mënyrë të veçantë për artistët e moshës sime, që si në teatër ashtu dhe në film, kemi shpalosur kryevepra të autorëve shqiptarë dhe atyre botërorë. Ne artistët e harrojmë moshën, sepse me sa duket paskemi lindur për skenën. Mungesa në skena ka të bëjë edhe me mënyrën time të përzgjedhjes së veprave, të cilat vitet e fundit kanë qenë me pikatore.

 

Si arriti Tinka Kurti, që në trupën e vogël të teatrit “Migjeni” të Shkodrës të shndërrohej në një aktore e  preferuar nga publiku mbarë shqiptar?

 

Është e vërtetë se kolektivi i teatrit “Migjeni” ka qenë i vogël në numër, po kështu është më se e vërtetë që në gjirin e këtij grupi ka patur edhe ka aktorë tepër të talentuar, ku unë së bashku me partnerë të ndryshëm, kam arritur të krijoj figura të bukura në skena shqiptare dhe ato kosovare. Kur punon e jeton me artistë të talentuar, padyshim do të kesh sukses.

Këto ditë ndodheni në Durrës dhe jeni angazhuar në vënien në skenë të një roli me artistët e këtij qyteti…

 

Po. Drama“Trokitje në dyert e dhimbjes”, e vënë në skenë nga regjisori i mirënjohur Serafin Fanku me trupën e Durrësit, është një thirrje për familjet shqiptare, për kohën që përjetojmë. Përveç aktorëve durrsakë këtu luajnë Ema Andrea, aktore e kompletuar nga Tirana dhe aktori i shkëlqyer fierak, Dritan Boriçi.

 

Këtu ju luani rolin e nënës. Ju lutem diçka rreth figurës së nënës…

 

Them se figura e nënës, e cila në këtë dramë është një figurë qendrore, që përballet me katrahurën e luftës së pashpallur të vitit ‘97, vetë autori Fanku jep mesazhe tepër të skalitur të gruas së vërtetë shqiptare. Dihet se nëna është gjithçka në familje. Nëse ajo do të tolerojë, kjo sjell shkatërrim të familjes. Ndërsa unë si nënë në këtë shfaqje, luftoj me çdo mënyrë për të sjellë në rrugë të mbarë djalin tim që ende drogohet e jeton me një prostitutë.

Po nëse djali juaj i vërtetë në jetën e përditshme do të mbarte këto vese, si do të ndiheshit si nënë?

Do të ishte fatëkeqësia më e madhe e jetës sime. Si nënë ndjehem krenare për fëmijën tim.

 

Mendon se në mesazhin e dhimbjes keni prekur disi ndjenjat e publikut?

Mendoj se në këtë shfaqje ne po i biem një këmbane,

madje të fortë dhe publiku është mirë ta dëgjojë. Zoti nuk na ka ndëshkuar ne. Ai është i mëshirshëm me çdonjërin prej nesh dhe të fal. Ja disa fjalë nga sekuencat tona në shfaqje ku Xhelal Tafaj, aktor i Durrësit thotë në skenë:“Nuk është koha, o nënë, e ke gabim. Përse e mallkojmë gurin që na del përpara e ne vrasim këmbën, kur sytë i kemi në ballë? Përse vallë hapim pellgje gjaku, që aty fëmijët tanë të lozin me lundra prej letre? Përse nuk shohim përpara duke lënë në harresë të kaluarën”?. Mendoj se çdo shfaqje, çdo artikull apo intervistë e bukur, është mesazh që thërret për të ardhmen edhe më të bukur.

Këto ditë në Kanë po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i filmit, ku do të marrë pjesë dhe një film shqiptar me regjisor Gjergj Xhuvani. Çdo të thoshit për këtë ngjarje për artin shqiptar?

 

Nuk diskutohet që kur Shqipëria merr pjesë në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, për çdo shqiptar endet një ndjenjë krenarie. Një ndjesi të tillë unë së bashku me regjisorin e madh Viktor Gjika, e provuam pak vite më parë në Francë, në festivalin e filmit mesdhetar. Edhe pse filmi shqiptar ishte i ftuar nderi, ai u pëlqye nga juria e përbërë nga mjaft  shtete të Evropës.

Ndoshta, këto motive i shijuat edhe në filmin Zemra e nënës”, i cili në Festivalin Ndërkombëtar meritoi  medalje argjendi.

 

Do të thosha, jo për faktin se në këtë film është brenda Tinka Kurti, por sepse në festivalin ndërkombëtar në Venecia, u vlerësuam me meritë arti dhe artistë shqiptarë. Përsa i përket këtij filmi them se realizimi me sukses i tij, u arrit edhe në sajë të përkushtimit serioz të aktorit Besnik Bisha dhe skenaristit të shkëlqyer Nexhati Tafës, ndonëse filmi pati dhe ndërprerje disa mujore gjatë xhirimit.

 

Çfarë bën konkretisht “Nder i Kombit’’ Tinka Kurti kur pas shumë kohësh ndjek në televizion filmat ku ajo ka interpretuar?

 

Shpesh herë shikoj filmat e mi në televizion, ku njëkohësisht falenderoj drejtuesit e këtyre televizioneve, që përherë po japin filma të zhytur në pluhurin e harresës. Unë shkoj dhe mbyll ekranin. Unë aty shoh dhe gabimet e mia, e ndërkohë grindem me veten dhe rolin, duke thënë: Ah, sikur..! Pra kjo do të thotë, sipas fjalës së popullit, se: “Të bëhem dhe një herë nuse, pa di unë si të nusëroj”. (Qesh).

Njiheni si aktorja e filmit të parë shqiptar dhe aktorja e filmit të fundit shqiptar…

 

Fati më ndihmoi të merrja pjesë në filmin e parë shqiptar “Tana”. Gjithësesi them se gjithçka kam arritur është bërë e mundur vetëm me përkushtim e netë të tëra të pagjumë. Dëgjo, do të them se për koecidencë unë jam dhe aktorja e filmit të fundit “Dasma e Sakos”, pasi kohët e fundit në Shqipëri nuk po shfaqen filma shqiptarë.

 

Zonja Tinka, keni luajtur mëse 150 role në skenë dhe 70 e ca role në kinematografi dhe përsëri nuk po ju kuptojmë se për cilën prej këtyre dy gjinive ndjeheni më e suksesshme, pasi për të dyja këto flisni me pasion e dashuri?

 

Janë të dyja këto gjini vërtetë shumë të bukura. Aq sa dua teatrin, dua edhe filmin. Nuk ka dyshim se në teatër emocioni dhe suksesi te çdo artist janë më të pranishëm se sa në film. Emocione të pashlyera unë nuk kam shijuar në Shkodër apo në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, në mbarë vendin, ku do të veçoja Fierin, ku me dramën “Gjaku i Arbërit” kemi

dhënë shtatëmbëdhjetë shfaqje me radhë.

Me ju artistët shkodranë ndodh diçka e veçantë. Nga intervista të zhvilluara me Avni Mula, Bik Ndoja, Bujar Qamili, Veli Rada, kemi mësuar se më parë kanë qenë sportistë në sporte të ndryshme. Po kështu ndodhi sot edhe me ju, pasi keni qenë atlete, edhe pse një jetë në art  përsëri syrin e mendjen e keni tek “Vllaznia”.

 

(Qesh). Ndoshta ky është një privilegj për të gjithë shkodranët. Është e vërtetë se edhe unë kam qenë sportiste, madje një atlete kampione në garën e 100 metrave. Ndaj është dhe kjo arsyeja që jam tifoze e “Vllaznisë” që është pranë titullit kampione e Shqipërisë. Do t’ju thosha diçka. Kur unë ndodhem jashtë vendit, mendjen e kam tek Shqipëria ime, kur jam në Tiranë, mendjen e kam në Shkodër dhe shkoj në lagjen time të shtrenjtë e më pas, pushoj në shtëpizën time, që është teatri “Migjeni”.

 

Përse disa artistë, madje të respektuar në gjithë vendin, kanë mbetur disi në hije. Është kjo harresë e regjisorëve, mosha, apo…?

 

Do të thosha se për artistin nuk ka moshë. Florenc Oliveri luajti në skenë deri në ditën e fundit, të vdekjes. Të bisedosh me mjaft artistë, do të thonë se vetëm vdekja i ndan nga skena. Të njëjtën përgjigje do të merrje edhe nga unë. A duhen lënë në stol artistet e mëdha shqiptare Margarita Xhepa etj,? Kurrësesi, jo. Ne nuk jemi sportistë ku duhet përgatitja fizike e mosha e rinisë. Ne jemi artistë dhe zemra jonë është skena.

Vitet e fundit jetoni në Tiranë. A ju mungon Shkodra dhe teatri Migjeni” në këto momente?

 

Padyshim, pasi unë jam bijë e tyre. Edhe sot flas me mirënjohje e respekt për Zef Jubanin, i cili ishte vërtetë një artist fenomenal, që me përmasa botërore lartësoi figurën e Harpagonit. Po kështu, do të flisja për Bep Shirokën, Lec Bushatin partneri i suksesshëm i mjaft roleve, Ymer Bala, Vitore Nina, Agron Dizdari, Violeta Sekuj, Antoneta Fishën e të tjerë, të cilët i dhanë emër “Migjenit”. Tek të gjithë aktorët shkodranë, ata që nuk jetojnë më dhe ata që ende ndodhen në skenë, kam fituar mjaft si artiste.

 

Kur po punoja për realizimin e dokumentarit kushtuar Nderi i kombit” Kadri Roshi, më thotë në një bisedë : Do të më mbetet peng nëse deri në fund të jetës sime, nuk do të mund të realizoj dot figurën e Pashait të Janinës”. Po “Nder i Kombi” Tinka Kurti, a e mban peng ndonjë dëshirë e tillë?

 

Si aktor me potencë kolosale Kadri Roshi i ka rënë në shenjë asaj çka ai ka kërkuar të realizojë. Duke mos qenë aspak lokaliste, edhe unë them se brenda shpirtit tim, vazhdon të qëndrojë gjallë figura madhore e Trina Smaljas, një burrë më shumë se çdo burrë tjetër. Pra ajo historikisht u kthye në një emër legjendë. Ndoshta një ditë kjo figurë do të bëhet e pranishme edhe tek unë. Shpresoj. Ju them sinqerisht se sa herë shoh rolin tim për nënë Pashakon, në filmin “Yjet e netëve të gjata”, vetja më duket shumë e vogël para figurës monumentale të kësaj nëne burrneshë. Për mua nuk ka rëndësi nëse Trina Smaljas është nga Shpati i Elbasanit, Myzeqeja e Fierit apo Labëria e Vlorës. E rëndësishme është që këtë figurë ta realizoj me vërtetësi e origjinalitet, ashtu siç njihet ajo në piedestalin e historisë shqiptare.

F I E R.