Zhbllokohet Kakavija, riparohet defekti kompjuterik, rinis lëvizja

442
Sigal

KAKAVIJE – Riparohet në orët e para të mëngjesit të sotëm defekti në sistemin kompjuterik në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Anomalia në sistem e cila kishte mbajtur të bllokuar këtë pikë kalimi në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë që prej mesditës së djeshme, dhe që kishte krjuar radhë të gjata, u riparua rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm. Zhbllokimi i situatës në Kakavijë, ka bërë që të rinisë normalisht lëvizja e emigrantëve në doganë. Ditën e djeshme defekti kompjuterik, riktheu përdorimin e regjistrave çka bëri që në këtë pikë të lejohen të hyjnë në Greqi, vetëm ata që kishin pasaporta greke, dokumenta 10 vjeçare si dhe shtetasit e huaj. Vetë pala greke ditën e djeshme, në një komunikatë të bërë për shtyp njoftoi se riparimi i defektit kompjuterik, nuk do mund të kryhej, të paktën deri nesër në mesditë, ndërsa iu bënte thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë me pasaporta biometrike të mos nisen pasi nuk do të lejohet kalimi i tyre. Nga ana tjetër disa burime konfirmuan dje se dy persona, shtetas greke kishin vendosur një kuti në një aneks të barazlarguar nga Pika Kufitare Greke e Kakavijës ku u kërkonin qytetarë të votonin për çështjen e Himarës. Në një copë letër ata u kërkonin shqiptarëve të shkruanin nëse ishin pro apo kundër bashkimit të Himarës me Vranishtin, siç është planifikuar në ndarjen e re territoriale të vendit.   Ndërkaq, defekti i djeshëm krijoi radhë të gjata makinash në të dyja anët e kufirit që shkonin deri në 3-4 km duke shkaktuar dhe irritim te emigrantët. Sipas tyre pala greke lejonte kalimin vetëm për minoritarët grekë, ndërsa për shtetasit shqiptarë sipas tyre vijonte i njëjti trajtim diskriminues.