Xhevat Mustafa: Turp për ata që u bënë spektatorë !

323
Sigal

Shembja e Teatrit Kombëtar, “çvarrosje” e kolosëve…

Turp, për ata që e shkatërruan tempullin tonë, turp edhe për ju që e lejuat me miratim apo me mosveprim, duke bërë spektatorin!

Nga Xhevat Mustafa

Kur shikoj gërmadhat që kanë mbuluar vendin ku deri më 16 maj ngrihej imponues dhe mbresa-ringjallës godina e Teatrit Kombëtar, sinqerisht, ndjenj një lëmsh ndjesishë.  Keqardhje dhe dëshpërim, që nuk është më, ashtu siç ishte, një nga simbolet e trashëgimisë sonë teatrore kombëtare. Respekt e mirënjohje për ata, që nga skena e tij na dhanë për gati një jetë emocione të paharrueshme si dhe për ata që për rreth 3 vjet e mbrojtën, duke sakrifikuar nga koha e lirë dhe e dëfrimeve, e gjumit, e krijimtarisë si dhe duke duruar fyrje, thashetheme, kërcënime, akte dhune fizike, morale, psikologjike, mediatike e ballë pëer ballë..! Përbuzje, neveri e revoltim për ata të plotpushtetshëm, që firmosën, vulosën, urdhëruan dhe drejtuan nga larg e nga afër, nga lart e nga poshtë këtë mënxyrë dhe barbari ndaj njerës prej simboleve të pakta të mbetura nga trashëgimia jonë kulturore dhe nga identiteti ynë kombëtar në këtë fushë…!Qysh nga paraditja e 17 nëntorit, nuk më bëjnë më zemra dhe këmbët të kaloj nga Pedonalja apo rruga mes ministrive, nga duket ish Teatri Kombëtër. Më bëhet e duket sikur atë ditë, bashkë me teatrin, me shembjen e mureve dhe tavaneve të tij, u kanë hapur varret dhe nxjerrë eshtrat Mihal Popit, Naim Frashërit, Sandër Prosit, Kujtim Spahivoglit, Pjetër Gjokës, Esat Oktrovës, Bexhet Nelkut, Gjon Karmës, Ndrek Lucës, Ndrek Shkjezit, Marie Logorecit, Besa Imamit, Behije Çelës, Kadri Rroshit, Sulejman Pitarkës, Prokop Mimës, Vangjush Furxhiut, Roland Trebickës, Agim Qirjaqit, Luan Qerimit, Violeta Manushit, Drita Pelingut,Marika Kallamatës,  Ferdinand Radit, Fadil Kujovsës, Mihallaq Luarasit, Maks Velos dhe të tjerëve, figura të spikatura dhe kontribuese  në historinë dhe trashëgiminë e teatrit dhe të kinematografisë sonë! Janë në këtë listë, që mund të shtohet me emra të tjerë, edhe aktorë të shquar, që po të ishin gjallë, me shumë gjasa, me bindjet e tyre të njohura politike, mund t’i kishin emrat tek lista e firmëtarëve për shembjen e Teatrit Kombëtar, të cilit i dhanë vërtetë shumë, por edhe që ua ktheu bollshëm. Sepse në atë godinë, nga 17 maj i zi 2020 shndërruar në gërmadha, ata u bënë edhe më të talentuar,  më të njohur, më të dashur dhe respektuar nga masa e teatër-dashësve shqiptarë, në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë, në trevat shqiptare e në diasporën shqiptare. Përfytyrimi im, gjithsesi me dozë shumë më të dobët makabriteti se ajo kasaphanë, që bënë Rama-Veliaj me policët dhe fadromistët e tyre, më shtyn deri sa të më duken se ata, aty mbi gërmadha, ulërijnë sa kanë fuqi zërash: ku jeni ju, o të gjallë! Si fjetët dhe po “flini në këmbë” apo në krevatë komodë, edhe gjatë gjithë ditës, kur “inkuzicionistët modernë” na bënë këtë mënxyrë e gjëmë?! Si nuk iu plasin sytë, shpirtrat dhe zemrat?!Po juve, o firmëtarë të shkatërrimit, si ua bënë duart, zemrat, mendjet, gojët ta miratoni? Si harruat se në skenë, karrige, dhomat e provave e të veshjes, në garderobë, në veshjet… janë jo vetëm erërat dhe djersët tona të trupit, por edhe tuajat?! Turp, për ata që e shkatërruan tempullin tonë, turp edhe për ju që e lejuat me miratim apo me mosveprim, duke bërë spektatorin!