VOA: Gazetari shqiptaro-amerikan Frank Shkreli nderohet në Malësi të Madhe

99
Sigal

Ceremonia e dhënies se titullit “Qytetar Nderi” gazetarit dhe veprimtarit të njohur shqiptaro-amerikan Frank Shkrelit u zhvillua këtë të premte në mjediset e Bashkisë “Malësi e Madhe”, në qytetin e Koplikut.

Gazetari shqiptaro-ametikan Frank Shkreli nderohet në Malësi të Madhe

“Për vlerat e larta në fushën e gazetarisë ( sidomos tek media më e njohur ndërkombëtare “Zëri i Amerikës”-VOA), si publicist që me shkrimet e tij i ka bërë dhe i bën jehonë çëshjtes kombëtare shqiptare, duke qenë edhe një faktor shumë i rëndësishëm i Komunitetit shqiptar në Amerikë, si edhe për rolin e tij në lidhjet ndërkulturore mes shqiptarëve dhe popujve kudo nëpër botë, duke forcuar vazhdimisht kontributin e tij në lartësimin e trevës tonë Malësi e Madhe e më gjërë”.

Kryetari i Bashkisë “Malësi e Madhe”, Tonin Marinaj, tha gjatë ceremonisë se, vlerësimi për Frank Shkrelin si Qytetar Nderi është vazhdim i përpjekjeve për të vlerësuar figurat më në zë të Malësisë, të cilët kanë dhënë kontribut të shquar për lartësimin e emrit të Malësisë së Madhe, kulturës, traditave dhe atdhetarizmit të kësaj treve.

“Këshilli Bashkiak i Malësisë së Madhe, Frank Shkrelin e shpalli “Qytetar Nderi” për kontributin e tij të çmuar sidomos në proceset demokratike që, nga vetë pozicioni ku punonte, mund të them se Zëri i Amerikës ishte shtytësi kryesor për ndryshimet që erdhen në ’92-shin në Shqipëri”, tha ai.

Duke falenderuar për vlerësimin e dhënë nga Bashkia Malësi e Madhe, prej nga e ka origjinën edhe familja e tij, gazetari shpiptaro-amerikan Frank Shkreli vlerësoi marrëdheniet mes Shqipërisë dhe Amerikës.

“Nga Amerika e largët, me kolegët e mi kemi mundur të kontribuojmë për të njëjtat qëllime dhe ideale të shenjta kombëtare; për lirinë dhe demokracinë e këtij populli të lashtë e të vuajtur ndër shekuj, për Kosovën, por edhe për rivendosjen e miqësisë se përhershme midis dy popujve tanë – Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kombit shqiptar. Këto marrëdhenie janë të paprekshme dhe nuk janë pronë e ndonjë individi apo partie, por janë marrëdhënie historike midis dy kombeve dhe popujve tanë. Ashtu duhet të mbeten në të ardhmen”, theksoi zoti Shkreli.

Me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, familja e Frank Shkrelit largohet fillimisht në Amull të Ulqinit, për t’u arratisur më pas, në vitin 1969, nga ish Jugosllavia komuniste duke mbërritur në Shtetet e Bashkuara si refugjatë politikë.

Frank Shkreli gjatë gjithë veprimtarisë së tij në Amerikë, e ka dëshmuar veten si mbrojtës i lirisë së fjalës dhe shtypit, i të drejtave të njeriut dhe si avokat i çështjes shqiptare.

Për një kohë të gjatë punoi si gazetar e deri drejtor i seksionit të Euro-Azisë në Zërin e Amerikës, prej nga doli në pension për të vazhduar aktivitetin si veprimtar shoqëror dhe publicist, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri dhe Kosovë.

Frut i kësaj veprimtarie janë edhe tre vëllimet e librit të tij “Demokracia nuk pret” botuar në Shqipëri rreth tre vite më parë. Frank Shkreli vazhdon të jetë një figurë e shquar dhe aktive në komunitetin shqiptar të Amerikës.

Ai është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit në përhapjen dhe mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë.