Vlorë, dyshohet se shisnin veshje dhe çanta kontrabandë dhe fshihnin të ardhurat, arrestohet 34-vjeçari

41
Sigal

Një tjetër rast i shitjes së mallrave kontrabandë është goditur nga policia.

Në Vlorë, është arrestuar një 34-vjeçar, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtorja e tij. 34-vjeçari dhe bashkëpunëtorja e tij dyshohet se fusnin veshje dhe çanta kontrabandë në vendin tonë dhe më pas i shisnin në pikat e pakicës, ndërsa nuk deklaronin e ardhurat. Veshjet dhe çantat e sekuestruara kapnin vlerën e 25 mijë eurove. Malli kontrabandë është gjetur gjatë kontrollit që është ushtruar në banesën e 29-vjeçares E.B.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, pas 3 javësh hetime për një rast në këtë fushë, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, operacionin policor të koduar “Tranzit”.  Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetases E. B., në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, veshje dhe çanta me vlerë 25 000 euro, pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e tyre.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja E. B. bashkëpunonte me shtetasin A. L., për magazinimin e mallrave të dyshuara të kontrabanduara, të cilat i shitnin me pakicë në mënyrë të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.