Arratisja e të riut sot në Vlorë ishte një ngjarje e paralajmëruar, nisur kjo nga precedentët e mëparshëm.

Taulant Manaj, 28 vjeç i njohur ndryshe edhe si Taulant Beqiraj i ka shpëtuar policisë, e cila gjatë ditës së sotme do ta kthente në burg në bazë të një vendimi gjykate.
Por kush është i riu i arrestuar me armë e drogë?

Manaj u kap më 23 qershor të këtij viti nga policia e Vlorës, pasi edhe atëherë kishte thyer masën e arrestit në shtëpi dhe lëvizte me armë zjarri në qytet.

28-vjeçari po qarkullonte me automjetin tip “Benz”, në lagjen “28 Nëntori” dhe posedonte një armë zjarri pistoletë pa leje, dy krehëra me 25 fishekë dhe një sasi lënde narkotike kanabisi.

Por i riu gjithashtu kishte thyer Urdhërin e Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi e mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

VIDEO NGA ARRESTIMI NË QERSHOR

Manaj ndiqej penalisht për veprat penale “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, si dhe “Prodhim, shitja e narkotikëve”.

Por 28-vjeçari ishte liruar në gusht të këtij viti, nën masën “arrest shtëpie”, ndërsa së fundmi Gjykata kishte vendosur ta kthente në burg me një urdhër-arrest. Ai nuk është gjetur në banesë, duke u larguar në drejtim të paditur për policinë para se të bëhej urdhër ekzekutimi.

Ky ishte rasti i denoncuar nga KLD dhe Ministria e Drejtësisë, i cilësuar si rast abuziv i Gjykatës së Vlorës.