Vladimir Duraj: Përparim Kolasi – Doktori duarartë i Teknikës

322
Sigal

Ishte viti 1983! Në Kuçovë vjen Sali Dibra, komisar i Aviacionit Ushtarak Shqiptar. Teksa dilte nga kafeneja e Shtëpisë së Oficerave, i shoqëruar nga Harrilla Rebi, komandant i Regjimentit të Aviacionit në këtë qytet, Saliu përballet me një surprizë të bukur, por edhe paksa “bezdisëse” për të. – Ç’ne ky ”Zuk” i ri këtu ? – pyet Harrillën duke mos e hequr vështrimin nga ”Zuk”-u i parkuar në oborrin e Shtëpisë së Oficerave, pranë të cilit qëndronin komandanti i kompanisë së transportit në regjiment, Përparim Kolasi dhe shoferi i “Zuk”-ut, Fatmir Lace. – Ju na e premtuat, shoku Sali, por ne arritëm ta merrnim vetë ”Zuk”-un e ri – i’u përgjigj Harrilla buzagaz. – E morët vetë ? Po unë kam luftuar kaq shumë për t’u sjellë një mjet të ri…..ministri i Tregëtisë së Jashtme më ka thënë se për momentin nuk e disponojnë një të tillë…ndërkohë që mjeti paska ardhur këtu….çka, çka, do ketë punë me mua ministri – i thotë më tepër vetes se sa Harrillës, i miri Sali, me pamje paksa jo të zakontë. – Jo shoku Sali, nuk e kemi marrë në ministri, ky ”Zuk” është si i ri falë duarve të arta të këtij djaloshi – i thotë Harrilla, po buzagaz, duke treguar me dorë nga Papi.

– Thirreni të vijë këtu që ta njohë edhe unë këtë duarartë – i tha Saliu, Harrillës. Harrilla nuk u mendua gjatë! Ishte rasti më i mirë për ta promovuar beniaminin e tij në majën më të lartë të kupolës në Aviacion. – Eja, Papi, eja këtu – i bëri zë Papit që, pas 5-6 sekondash, u ndodh pranë tyre dhe shtërngonte duart me Sali Dibrën. – Të përgëzoj, Papi, për punën e shkëlqyer që bën në repart. M’u duk i ri ai “Zuk”, si i ardhur nga fabrika, kur Harrilla më tha se ai është produkt i mendjes dhe duarve të tua. Të lumtë dhe kështu vazhdo…ndërsa ju, Harrilla, shiheni si aset të çmuar këtë djalë, t’i plotësoni çdo kërkesë a nevojë, që mund të ketë – përfundoi Saliu duke iu drejtuar të dyve. Në fakt Harrilla nuk kishte nevojë për porosinë e Saliut, Papi ishte dobësia e tij, ashtu siç do të ishte më vonë edhe për të tjerë komandantë repartesh ku ky i fundit shërbeu. Nuk e di nëse Harrilla, në qasjen e tij ndaj Papit kishte parasysh vendin nga ky vinte, Kolonjën e burrave e grave të penës e pushkës, atdhetarë e dijetarë të spikatur, njerëz që fisnikërinë e kishin shtrat të ngrohtë mbështetës dhe mirësinë shoqëruese të përherëshme.

Nuk e di nëse Harrilla e dinte që Papi kishte lindur për t’u bërë dikush, që ishte një nxënës i rrallë e që brenda vitit mori dy klasë njëherësh, duke kaluar nga klasa e tretë në të pestën vetëm duke dhënë provimet e klasës së katërt në vjeshtë. Nuk e di nëse Harrilla e dinte qenien e Papit bir të një familje me tradita, bir të një babai me vlera sa një mal i lartë, bir i Teki Kolasit dhe, thënë këtë, kuptohet lehtësisht madhështia te djaloshi simpatik në pamje e i superbukur në shpirt. Do të isha i padrejtë nëse nuk do të përmendja këtu edhe nënën e Papit, burimin e mirësisë te Ai, si edhe vëllezërit e motrat e tij që, të gjithë bashkë, përbënin atë oaz lumturie të bekuar nga vet perëndia… Nuk e di nëse Harrilla i dinte këto. Por edhe nëse nuk i dinte, nuk prishte gjë. Harrilla ishte burrë i zgjuar , me intuitë për t’u pasur zili…ishte kjo e fundit që atij i thoshte: ”

– Pap Kolasi është mal i lartë, është si Tekiu, i jati. Papi është djalë me norma, i zgjuar, i ndershëm, punëtor, duarartë, i dashur, modest, fisnik: mor fisnik që nuk e gjen dot një të dytë.” Dhe Harrilla i bindej intuitës për atë ç’kish qënë e nga vinte Papi, por po ashtu i bindej edhe asaj çfarë ai shihte e perceptonte në përditshmëri tek beniamini i tij. Dhe çfarë ishte ajo që dukej nga të gjithë te Papi ? Ç’kishte bërë Papi në Regjiment ? Ja me pak rreshta, me konçizitet maksimal: “Papi u identifikua shumë shpejt si mjeshtër në profesion, aq sa vetëm pak kohë pas ardhjes së Tij në regjiment atë e pagëzuan me epitetet “duararti” dhe “doktori i teknikës”. Vepër e mendjes dhe duarve të tij ishin bërja si të reja e mikrobuzit të shtabit dhe autobuzit të pilotëve. Kur Harrilla dhe Viktor Vangjeli, komisar i Regjimentit, panë se “Zuk”-u i premtuar nga Komanda e Aviacionit për ushqimin e pilotëve po vonohej, vendosën t’i drejtoheshin Papit: – As Ministria dhe as Komanda e Aviacionit nuk po na e dërgojnë mjetin e ri për transportin e ushqimeve të pilotëve, rëndësinë e të cilit ti e di – i thanë Papit në zyrën e tyre. Jemi në dorën tënde, bëj si të bësh dhe na e zgjidh këtë problem – vazhdoi Harrilla që nuk e fshihte simpatinë dhe admirimin për djaloshin simpatik. Papi e vlerësoi maksimalisht këtë kërkesë në kufijtë e lutjes dhe pas një kohe jo shumë të gjatë realizoi mrekullinë që Sali Dibra kishte para syve. ”Zuk”-u dallonte si i ri.