Virusi dëmtoi blegtorinë, prodhimet mbetën pa shitur

280
Sigal

Fermerët e blegtorët nuk e ndalën punën asnjë ditë shkak të pandemisë së koronavirusit, por edhe këta dy sektorë u prekën. Fermerët thonë se prodhimet u mbeten pa shitur për shkak të masave kufizuese të lëvizjes. Masat kufizuese për shkak të pandemisë së koronavirusit vunë në vështirësi fermerët dhe blegtorët. Puna e tyre nuk u ndal për asnjë çast por tregjet u bllokuan. Nevruz Kasa, nga Seferaj i Belshit thotë se prodhimet i mbeten pa shitur.

“Me virusin u bllokua prodhimi komplet. Më mbeten qingjat pa shit, qumështin e merr baxha me shkëputje.Në vend tjetër nuk kemi ku ta shesim. Djathin nuk e çojmë dot në tregun e Elbasanit se nuk ka transport”. Ankohet për mungesën e mbështetjes. Shpenzimet thotë fermeri nga Belshi nuk mbulohen nga fitimet në fund të vitit.

Ndaj vit pas viti e ka pakësuar tufën e deleve, ndërsa po mendon ta heqë plotësisht. “Pata 270 dele me dokumenta, nuk mora lekët vjet. Ka shpenzime dhe nuk mbulohen. Nga 270 kokë që pata vjet, kam 100 kokë sivjet. Avash avash do të detyrohemi ti heqim”. Mungesa e subvencioneve nga shteti, sipas banorëve të zonës ka bërë që shumë prej tyre të heqin dorë nga blegtoria e bujqësia.