Vidhen shinat e hekurudhës për skrap, bllokohet linja Elbasan-Librazhd

581
Sigal

Reduktohet numri i rojeve. Policia nuk ka zbuluar autorët, ku të dyshuar janë vetë punonjësit

Hekurudha Elbasan-Librazhd mbetet përsëri një problem i pa zgjidhur. Pas mbylljes së linjës Librazhd-Përrenjas, ku pati dhe një shkurtim drastik të numrit të punonjësve, treni punonte vetëm në linjën Elbasan-Librazhd, por edhe këtu më një numër të reduktuar punonjësish. Një linjë rreth 25 kilometra e gjatë vazhdon të jetë një problem dhe rrezik për qarkullimin e trenit të pasagjerëve dhe një nga burimet e vazhdueshme të aksidenteve.

Vjedhjet

Shkak për të gjitha problemet në rrjetin hekurudhor për linjën Elbasan – Librazhd – Përrenjas janë vjedhjet që po i bëhen gjatë gjithë kohës kësaj linje, ku vidhen pa mëshirë shinat, të cilat më pas shiten për skrap. Reduktimi i numrit të rojeve sidomos gjatë natës është një tjetër çështje që kërkon zgjidhje. Hekurudha nuk mundet të ruhet nga punonjës pasi vështirësitë e punës, distanca dhe rreziku nga hajdutët që kërcënojnë në çdo moment, përbën një rrezik si për punonjësit ashtu dhe për trenin që qarkullon në këtë linjë. Vjedhjet janë bërë në të gjithë aksin Librazhd-Elbasan, duke marrë bulona dhe më pas hajdutët ju janë rikthyer vjedhjes së shinave. Në këtë rast përmendim vendin e Mirakës te stacioni dhe më gjerë, ku është vjedhur një distancë e gjatë e kësaj linje. Megjithëse policia ka shoqëruar disa persona madje dhe nga stafi që punon për mirëmbajtjen e kësaj linje, por pa mundur të bjerë në gjurmët e hajdutëve. Nga vjedhjet e shumta që i janë bërë hekurudhës edhe kjo distancë është e destinuar të mbyllet.

Problemet

Problem janë disa vende, ku ndër, të cilat mund të përmendim urat si në Murrash, ura e Rrapunit, tunelet e Murrashit. Ndërsa nga Librazhdi deri në Pogradec treni prej një viti nuk e bën më këtë linjë dhe askush nuk e di se, çfarë bëhet me këtë linjë hekurudhore dhe mbi të gjitha nuk dihet nëse do të ketë ndonjë projekt për fillimin e kësaj linje, në një kohë kur është folur edhe për linjën hekurudhore midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, e cila do të kalojë nga fshati Lini i qytetit të Pogradecit. Banorët, të cilët udhëtojnë me tren i kërkojnë instancave përkatëse që të marrin masa të menjëhershme, pasi më bllokimin e linjës, ata dëmtohen nga ana ekonomike, duke qenë se bila e udhëtimit është shumë herë më e ulët se ajo e mjeteve të transportit rrugorë.