Ja si i torturojnë veterinerët e ISSH-së, pensionistët

    401
    Sigal

    Shkeljet që bëhen për afatin 3- vjeçar të Legjislacionit të Sigurimeve Shoqërore, në nenin 62, pika 2

    Një  thënie monumentale  dhe që është  aktuale për situatën shqiptare nga Abraham Linkoln thuhet se :  “Nderi i kombit fillon me të moshuarit dhe  mbaron te fëmijët”.  Dhe kur flitet  për të moshuarit sigurisht  që primare përveç shumë të tjerave  është  edhe trajtimi i tyre financiar ose lidhja e pensionit me qëllim të plotësimit të nevojave të tyre të përditshme. Pensionet në Shqipëri ndahen në tri kategori: Të pleqërisë: Familjare dhe Invaliditetit. Ndërsa kushtet  që duhen plotësuar për të përfituar pensionin janë : Mosha e cila ndryshon sipas gjinisë, vitet e punës së siguruar, të ketë prerë marrëdhëniet financiare me qendrën e punës shtetërore. Pikërisht këto kanë parasysh qytetarët  të cilët i drejtohen sigurimeve shoqërore për të përfituar të drejtën e tyre që ja njeh dhe ja jep ligji. Por megjithëse shtetasit shqiptarë plotësojnë në kohë dhe afat dokumentacionin ligjor ata janë të detyruar të mbeten pas dyerve të këtyre institucioneve pasi  inspektorët dhe drejtues të papërgjegjshëm në vend që ti respektojnë  këta qytetarë për kontributet e tyre i lodhin, i denigrojnë dhe torturojnë rrugëve. Dhe  kalvari i vuajtjeve të njerëzve që presin të përfitojnë pensionin vazhdon  nga  sigurimeve shoqërore  drejtë  sallave të gjyqësorit, proces i së cilave vazhdon me vite të tëra pavarësisht se, një pjesë e qytetarëve nuk kanë bukë të hanë.  Në përmbledhjen e legjislacionit për sigurimet shoqërore, botim i Qendrës së Publikimeve Zyrtare (shtator 2010).

    Në Nenin  62 e drejta për përfitim në pikën 1  thuhet:

    “Pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por  jo më shumë se për tre vjet.

    – Pensionet e caktuara, por  të papaguara më pak jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për tre vjet.

    – E drejta për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më  vonë se 6 muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit.

    – Personi, që ka përfituar pension ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore,me mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, të cilën e shlyen duke ju mbajtur çdo muaj 50 për qind e këstit mujor të përfitimit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dënimit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në depozitën përkatëse të Kodit Penal”.

    Dhe   kur të mbarojnë gjyqet  do kenë kanë kaluar vite të tëra dhe atëherë këtyre  qytetarëve do tu thuhet se juve keni të drejtë por  ligji thotë se po kaluan mbi tre vjet pa marrë pensionin  këto vite quhen të humbura.  Është e vërtetë që ligjvënësi  e ka përcaktuar një gjë të tillë, por  ai ka pasur parasysh të tjera kritere dhe të tjera arsye dhe jo këtë që ndodhe sot në sigurimet shoqërore shqiptare që të sorollatin dhe të detyrojnë të hapësh gjyq. Përveç këtyre tre viteve qytetarëve u humbet e drejta e përfitimit të shpërblimeve që jepen për festat e fundvitit apo raste të tjera.

    Në Nenin 62, pika 2, paragrafi 2 thuhet:

    “E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre”.

    Është e drejtë e ISSH-së që të bëjë kontroll  të dokumentacionit dhe të dërgojë pranë organeve të hetimit dhe drejtësisë këdo që ka falsifikuar apo të tjerë subjekte për të cilët ajo nuk është e bindur në vërtetësinë e dokumentacionit, por kjo nuk do të thotë që këta qytetarë të vdesin për bukën e gojës prej burokracisë, tekave apo mos njohjes së legjislacionit . Detyrimisht këto ndodhin derisa në krye të disa drejtorive lokale të sigurimeve vendosen sipas preferencave partiake veterinerë ndërkohë që, me dhjetëra specialistë rrinë rrugëve pa punë. Nëse në krye të institucioneve të ISSH-së në qendër dhe në bazë do kishte profesionistë të fushës  ekonomiko-financiare dhe jurist  të aftë (por jo si ata me diploma false) do zgjidheshin të gjitha hallet dhe problemet e qytetarëve në kohen e duhur.

    Në nenin 86 ku bëhet fjalë për Ankimimin  në pikën 3 thuhet:

    “Ankimet e zgjidhura në mënyrë të pafavorshme bëhen në  Gjykatë, vendimi i së cilës është përfundimtar.”

    Pra ky nen dhe kjo pikë ka të përcaktuar në mënyrë taksative që pas vendimit në gjykatë (dhe jo gjykatave) sikurse pretendon ISSH-ja i lidhet menjëherë pensioni cilit do shtetas. Nga ana e vetë  organi i sigurimeve shoqërore lë të vazhdojë shkallët e tjera të gjykimit dhe nëse ndodh e kundërta, atëherë zbatohet neni 62  paragrafi 4 për mbajtjen e pensionit,  procedimin penal  etj..  Ndaj dhe ligjvënësi për analogji të atyre që e kanë fituar pensionin dhe kanë marrë më shumë në nenin 62 pika 3 ka vënë klauzolën që do i kthehet ISSH-së shuma e përfituar tepër por jo për kohën që ka kaluar 3 vjet.  Vetëm kështu ne mund të respektojmë njëkohësisht edhe qytetarin edhe shtetin ligjor. Ndajë specialistët e ISSH-së nuk mund tua bllokojnë pensionin qytetarëve  të cilët kanë fituar gjyqin në shkallën e parë me pretendimin se e kemi dërguar në gjykatën e apelit. Ata le ta çojnë ankimimin në apel, por qytetari do të marrë pensionin për t’u ushqyer dhe për të plotësuar nevojat minimale. Kur të respektohet kjo e drejtë atëherë ne kemi të drejtën të themi se  Abraham Linkolni  është kuptuar edhe në Shqipëri nga ISSH-ja.

    DENONCIMI/ SI I SOROLLATIN ME VITE TË TËRA USHTARAKËT PËR PENSIONIN SUPLEMENTAR

    Ushtarakët në rezervë në ditët e sotme janë të detyruar që të presim me vite të tëra dhe të marrin shpërfilljen e punonjësve të drejtorive përkatëse. Duke parë si të vetmen rrugë gazetën “Telegraf” ushtaraku në rezervë Xhevdet Hamzai ka folur për pengesat. Zoti Hamzai ka dy vjet e gjysmë që ka plotësuar dokumentet dhe moshën për pension, por që nuk po arrin që ta marri pensionin që i takon, për arsye pa vend.

    -Zoti Xhevdet, ku qëndron problemi që ju nuk po merrni pensionin tuaj suplementar si ushtarak?

    -Unë kam punuar 24 vjet e 6 muaj në organet e policisë, nga poshtë deri tek shef policie. Në 1992 kam dalë në pension nga reforma dhe kam vazhduar punën në privat deri në vitin 01.06.2010 që plotësova moshën për të marrë pension. Aplikova për të marrë pension pleqërie plus edhe aplikova për të marrë pension suplementar si ushtarak për 24 vjet e 6 muaj. Pensionin e përgjithshëm ma dhanë në minimum, por gjithsesi nuk fola sepse mendova që ashtu e kanë gjykuar.

    -Po me pensionin suplementar çfarë ndodhi?

    -Unë kam plotësuar vitet siç ju thashë edhe më lart dhe në 01.06.2010, mua më takonte sipas rregullores që të merrja pensionin suplementar. Por realisht që nga kjo datë, deri më tani që jemi në nëntor të 2012, unë ende nuk e kam marrë këtë pension që më takon.

    -Ku qëndron problemi, a i keni dërguar dokumentet, dhe çfarë përgjigje keni marrë?

    -Tani nuk e di, unë i kam dërguar të gjitha dokumentet dhe më thonë shko tek “x” zyrë, shko tek tjetra, pastaj thonë që nuk na kanë ardhur dokumentet nga “x” zyrë. Këto janë përgjigjet që më kanë dhënë. Dokumentet janë në rregull dhe nuk më mungon asnjë gjë, por ato nuk duan që ti japin siç duket dhe unë kam dy vjet e gjysmë që po sorollatem dhe nuk po marr asnjë gjë. Përgjigje nuk më kanë dhënë thjesht më thonë shko këtu shko atje e të tjera si këto.

    NONDA BUXHUKU

    Specialisti Nonda Buxhuku është shprehur për “Telegraf” se: “Ligji që është marrë nga Kodi Civil thotë që vetëm brenda tre vetëve jepen pensionet. Por zvarritjet janë të qëllimshme, ose duhen ndryshuar ligjet, ose duhet të mos zvarriten gjërat. Por se di tani kur i zgjat gjykata gjërat, se kuptoj përse duhen bërë këto gjëra sepse rëndojnë mbi qytetarët. Por këto ndodhin si shumë gjëra të tjera, por ligji është ligj dhe nuk duhet shkelur”. Ndërkohë që ka shtuar se “qëndrimi i ISSH-së më duket i padrejtë që i sorollat qytetarët. Por vendimi i shkallës së parë Apelit është i prerë dhe duhet të zbatohet. Pengesat që vijnë më pas janë të paduhura. Më vonë çështja mund të dërgohet edhe në shkallë të tjera, por nuk është e nevojshme”.

    AVOKATI IDAJET BEQIRI

    Avokati Idajet Beqiri është shprehur për “Telegraf” se: “Nëse një qytetar ka probleme me pensionin dhe e ka dërguar çështjen në Gjykatë dhe e fiton ai ka të drejtë që sipas ligjit të marri pensionin që i takon për tre vjet. Nëse ai ka më shumë se 3 vjet, pa marrë lekët dhe e dërgon çështjen në gjyq, atëherë ai ka të drejtë që të marri ato tre vjet, por jo pjesën tjetër që mund të ketë mbi tre vjet”. Më tej zoti Beqiri është shprehur se: “Zvarritjet e pensionistëve janë bërë praktikë pune. Dhe është krijuar një handikap i madh në lidhje me ligjin e pensioneve, sepse ka një urdhër nga drejtorët e institucioneve që qytetari të bëjë ankimimin në Apel dhe kjo bëhet më shumë për zvarritje. Edhe në rastin e pensioneve ka raste kur qytetarët dërgohen pas shkak në gjykata”.