VIDEO/ Tërhoqi qenin të lidhur pas makine, ndalohet shoferi vlonjat

141
Sigal

Policia e Vlorës bën të ditur se ka ndaluar shoferin vlonjat që kishte lidhur qenin pas makinës dhe e tërhiqte.

Bëhet fjalë për Shpëtim Hajrulla, 55 vjeç i cili është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Vlorës.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, e filmuar në rrethrrotullimin e Babicës, në bypass-in e Vlorës, ku shfaqet një drejtues automjeti që tërhiqte një kafshë shtëpiake me automjetin e tij, ju sqarojmë se:

Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar në pamjet filmike, por dhe nga telefonatat e adresuara nga qytetarë të ndryshëm, në sallën operative të DVP Vlorë, u bë identifikimi dhe shoqërimi në ambientet e Policisë, i shtetasit Sh. H., 55 vjeç, banues në Vlorë.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin Sh. H., për veprën penale ‘Keqtrajtimi i kafshëve’.

Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar nga Policia Rrugore, me masë administrative 62.000 lekë të rinj, në bazë të dispozitave të Kodit Rrugor, për shkeljen e neneve 15, 191, 79 dhe 182.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.