Skandali në urgjencën e Korçës/ Mjeku lë pacientin në shtëpi me dhimbje. Pas disa orësh niset në spital me autoambulancë të cilës i mungonte oksigjeni. Si e rrëzuan pacientin nga barrela dhe pse e mbajtën të fshehtë vdekjen e tij

628
Sigal

Skandal ne urgjencën e Korçës, pacienti bie nga barela, autoambulanca nuk ka oksigjen

 

Mjeku lë pacientin në shtëpi me dhimbje. Pas disa orësh qytetari ndërron jetë

 

Një rast skandaloz është denoncuar në media për kushtet e urgjencës së spitalit rajonal të Korçës dhe veprimet e punonjësve të saj. Një ekip i kësaj urgjence i shkoi disa herë në shtëpi një pacienti, duke i rekomanduar se për dhimbjet e mëdha duhet të pinte ujë dhe lëngje. Por, megjithëse pacienti dhe familjarët iu lutën ekipit që ta çonte në spital, mjekja vendosi që trajtimi me “ujë dhe lëngje” të vazhdonte në shtëpi. Pas disa orësh, gjendja e pacientit u përkeqësua dhe herën e tretë, ky ekip vendosi ta transferojë pacientin në spital. Por, ishte shumë vonë! Disa minuta pasi mbërritën në spital, pacienti ndërroi jetë.

Stela Tiko, nga Korça, u ankua për vdekjen e babait të saj, Sotiraqit, 67-vjeç, në datën 1 prill në Spitalin Rajonal të Korçës. Qytetarja thotë, se nga data 31 mars e deri mëngjesin e datës 1 prill, ka kontaktuar disa herë me Urgjencën Kombëtare dhe me mjekët e Urgjencës së Korçës. Madje, ekipi i urgjencës i shkoi dy herë në shtëpi, ku i bëri disa qetësues dhe i rekomandoi të pinte ujë dhe lëngje. Qytetarja thotë se mjekja i ka bërë një qetësues voltaren, kur në fakt, sipas saj, babai i saj vuante nga aritmia. Qytetarja thotë se injektimi i këtij qetësuesi i ka shkaktuar problemet, që më pas i morën jetën. Ndërkohë, qytetarja u ankua se, në momentin që autoambulanca transportoi babain e saj nga shtëpia drejt spitalit, ai i ra nga barela, pasi nuk ishte i lidhur.

Dua të denoncoj dhe një fakt tjetër; Në Spitalin e Korçës bëhen pazare me të vdekurit. Lajmin që babai ndërroi jetë ma dha një punonjës i funeralit. Mjekja dhe personeli u mbyllën në dhomë. Madje, edhe skedën e vdekjes ma solli punonjësi i funeralit” thotë ajo.

Pas denoncimit, qytetarja shkoi në Urgjencën e Spitalit të Korçës, ku takoi shefin e urgjencës, Kujtim Shabani, dhe doktoreshën që i erdhi disa herë, por nuk e mori asnjëherë në spital babanë e saj. Qytetarja i shpjegoi situatën shefit të urgjencës. Ajo i tha se babai i saj vuante nga aritmia, ndërsa doktoresha i bëri një qetësues voltaren. Shefi i tha se qytetarja është një vajzë e mirë. Qytetarja i kërkoi llogari shefit duke i kërkuar, se përse ka marrë skedën e vdekjes nga një punonjës funerali, ndërsa ai i përgjigjet se në të shumtën e rasteve, familjarët autorizojnë punonjësit e funeralit. Për kushtet e autoambulancës, ai i thotë se “nuk je lidhur shumë me realitetin”.

Qytetarja i kërkoi disa herë se përse ekipi i urgjencës nuk e dërgoi në spital babanë e saj. Fillimisht, shefi i urgjencës thotë se ka qenë keq dhe nuk mund të transportohej në spital. Më pas i thotë se gjendja nuk ka qenë aq e keqe. Dhe në fund, i kërkon llogari se përse nuk e mori vetë qytetarja ta dërgonte në urgjencë. Në bisedë me qytetaren, shefi fillon të dredhë një cigare brenda ambienteve të urgjencës, ndërsa i thotë se urgjenca vetëm këto bën. Sipas tij, nuk bëhet as EKG, as Eko. Ai justifikohet se nuk mund t’i marrë 50 pacientët që vizitohen në shtëpi në spital, pasi urgjenca ka vetëm 10 shtretër, ndërsa i thotë se “urgjenca nuk është për të sëmurët kronikë, urgjenca është për të sëmurët akutë”. Në lidhje me pirjen e lëngjeve dhe ujit, shefi i urgjencës i përgjigjet se “përdorimi i ujit ka hyrë masivisht, mos të duket shaka”.

Më pas, në zyrën e shefit të urgjencës, mbërrin edhe mjeke Silvana. Qytetarja i kërkon shpjegime se përse nuk e dërgoi më shpejt në spital dhe ajo i përgjigjet se “nuk i parashikojmë dot zonjë! Unë e kam ndërgjegjen shumë të qetë, se unë pash parametrat që duhet të masja”.

“Fiks Fare” mori kontakte me drejtues të Spitalit të Korçës, të cilët na u përgjigjën se “në rast se doni t’ju japim informacion me shkrim, adresa e e-mailit është spitalikorçë@shëndetësia.gov.al. Nëse dëshironi intervistë, na lajmëroni t’ju lidhim me mjeken”. Por, disa çaste më vonë, Drejtoria e Spitalit, na kontaktoi sërish dhe na komunikoi se mjekja nuk dëshiron të japë intervistë.

“Fiks Fare” kërkonte informacion se përse autoambulancat në Korçë nuk kanë barelë? Përse nuk ka defribilator apo EKG? Çfarë duhet të pësojë një pacient në shtëpi që të shoqërohet për në spital?

 

BALLAFAQIMI MES QYTETARES, SHEFIT TË URGJENCËS DHE DOKTORESHËS

 

Qytetarja – Në orën 3 të natës përsëri i ka bërë një qetësues dhe i jam lutur shumë që ta merrte në spital, në ekzaminim dhe nuk pranoi. Dhe më the që nuk mund të pësojë diçka nga një gur në veshka.

Doktoresha – Të kam thënë, për momentin ankohet për këtë pjesë, anën e dhimbjes nga guri i veshkave.

Qytetarja – Se të thashë, që ai mund të pësojë diçka, ta bëra të qartë.

Doktoresha – Mund të pësojë dhe unë pas një ore.

Qytetarja – Ta bëra të qartë. Pse nuk më erdhi mua një skedë, të më merrje ti mua si mjeke dhe të më thoshe që babai jot pësoi këtë goditje. Pse të shkruhet këtu që babai im ka vdekur nga “policitemia vera”, kur babai im në ato momente mund të kishte kaluar një hemorragji cerebrale. Vendi i vdekjes, shtëpi. Unë dua kush e ka plotësuar skedën e babait tim.

Shefi i urgjencës – E kam plotësuar unë skedën e vdekjes.

Qytetarja – Po të neglizhohen vdekjet e njerëzve dhe pas meje të vijë një funeral direkt, direkt. Pas ambulancës të më vijë funerali, është kulmi për njeriun. Ai nuk kishte vetëm dhimbjet e veshkave, ai kishte sëmundje tjetër.

Doktoresha – Për momentin vetëm atë ankonte moj zonjë.

Qytetarja – Dhe kima kujdes të thashë, se mund të kalojë diçka tjetër.

Doktoresha – Nuk i parashikojmë dot zonjë!

Qytetarja – Ndërgjegjja mos ta lejonte ty vetë ta lije në atë gjendje, po të ma merrje këtu.

Doktoresha – Unë e kam ndërgjegjen shumë të qetë, sepse unë pash parametrat që duhet të masja.

Qytetarja – Një mjeke më është përgjigjur në telefon, të të ngre unë ty urgjencën në 4 të mëngjesit.

Doktoresha – Është Tirana.

Qytetarja – Fola me Tiranën dhe Tirana më tha do të lidhë me ekipin e Korçës. Dhe më lidhi me Korçën.

Doktoresha – Nuk ka lidhje Tirana drejtpërdrejt, të lidh me mjekun e Tiranës.