Vetëvendosje: Të lirohen drejtuesit e ndaluar nga policia e Tiranës

40

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri kundërshton arrestimin e paligjshëm të aktivistit Boiken Abazi dhe qytetarëve protestues Kastriot Qema dhe Flamur Dardeshi. Në një deklaratë ata i kërkojnë Policisë lirimin e tyre të menjëhershëm, si dhe pushimin e akuzave.

“Arrestimi i aktivistit Boiken Abazi është bërë me urdhër politik për shkak të aktivizmit të tij në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Gjatë protestës së sotme aktivistët tanë kanë ushtruar të drejtat e tyre si qytetarë kundër bandës në pushtet që po abuzon me tërmetin dhe pandeminë për tju shërbyer interesave private dhe mafioze.

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri nuk kanë ushtruar dhunë ndaj policisë së shtetit, por ka qenë policia ajo që ka ndërhyrë dhunshëm mbi protestuesit, duke tërhequr shumë prej tyre në komisariatet e kryeqytetit.

Qendra e VV në Shqipëri ende nuk ka një informacion të plotë por beson se në komisariatet e tjerë ka edhe aktivistë të tjerë të VV. Pas shumë orësh pritje, ndërkohë që një numër i madh i të ndaluarve nga Policia u liruan ditën e sotme, tre të sipërpërmendurve iu komunikua masa e arrestit. Qendra në Shqipëri e Lëvizjes Vetëvendosje e kundërshton me forcë trajtimin selektiv, me qëllim frikësimi dhe tendencioz ndaj të tre të arrestuarve dhe kërkon lirimin e tyre të menjëhershëm.

Asnjë metodë frikësimi i pushtetit nuk do t’i ndalë protestat tona për të mbrojtur të drejtat kolektive dhe interesin publik. Brutaliteti dhe dhuna nuk do të kalojnë! Ata që rezistojnë sot, nesër fitojnë!” – thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes qendra në Shqipëri.