Vepror Hasani: Abaz Hajro, babai i serenatave Korçare, prej vitesh me bust të dëmtuar

507
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Korçarët: Busti i tij të jetë në qendër të Korçës, ai u bën nder të gjithëve

Busti u vendos në lagjen e tij, në periferi, sepse i përket komunitetit rom

Kompozitori Abaz Hajro njihet si “babai” i serenatave korçare. Këngët e tij këndohen edhe sot me shumë dëshirë dhe mall. Për këngëtarët, Abaz Hajro ishte i adhuruari i tyre, gjithnjë prisnin të merrnin një këngë prej tij. Me qenë se ai ishte një kompozitor i madh dhe me kontribute të mëdha muzikore, pas largimit nga kjo jetë, i ngritën një bust modest. Banorët e Korçës dëshironin që busti i tij të vendosej në qendër të qytetit, sepse ai u bënte nder të gjithëve, por Hajron e vendosën në lagjen e tij, në periferi, sepse i përket komunitetit rom.  Veç kësaj, busti i tij vijon të mbetet pa asnjë lloj kujdesi nga institucionet përkatëse. Aktualisht ka mbetur në këmbë vetëm bazamenti prej betoni ndërsa busti i mjeshtrit të madh të serenatave, mungon prej vitesh. Për këtë arsye menduam ta denocojmë këtë pavëmendje të pajustifikuar ndaj një njeriu të madh dhe me vlera të rralla. Por kush ishte Abaz Hajro, vijoni leximin, portretin e tij e ndërtuam nga kujtimet e kolegëve dhe dashamirësve të tij:

Abazi, njeri i çuditshëm

Abazi ishte njeri i çuditshëm. Gjithnjë i menduar kur dilte mëngjeseve prej shtëpie, kur ecte në rrugë, kur vinte në studio, kur ulej në tavolinë e ngrihej prej saj, kur hynte në lokal e dilte prej andej. (Abazit i pëlqente edhe të pinte). Ata që e njohën nga afër, i njohën edhe trishtimin që sytë e tij nuk e fshihnin dot. Pse ndodhte kështu? Çfarë e mundonte kompozitorin Abaz Hajro? Fal qëmtimit që i ka bërë jetës së tij gazetarja Shirma Minga, sot njohim misterin e të menduarit të tij të përhershëm. Të fshehtën e misterit të Abazit e zbulojnë kujtimet e aktores dhe këngëtares së mirënjohur, Dhimitra Mele, e cila tashmë nuk jeton më:  “Abazi ishte një kompozitor i mrekullueshëm dhe një ekzekutues gjithashtu shumë i mrekullueshëm. Kishte aftësira të veçanta. Gjithnjë e shihja të menduar: Abaz, pse rri kështu? – e pyeta një herë. Po mendoj për diçka të re që dua ta kompozoj… -m’u përgjigj.” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)

Kompozonte pa instrument

Misteri i Abazit ndriçohet më tej prej muzikantit Viktor Çani. Abazi kishte aftësi të kompozonte pa instrument, kudo që ndodhej:  …Për Abazin ruaj kujtime shumë të mira. … shquhej për aftësitë e tij. Nëse të tjerët donin orë të tëra të studionin, Abazi i thithte në pak kohë dhe jepte rezultate.… Ishte i zoti në instrument, luante “a prima vista” – “me një të parë”. …Kishte aftësi të veçanta në kompozicion. Kompozonte pa instrument, rrinte në tavolinë dhe shkruante…”. (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)

Kishte shpirtin e revoltës së heshtur

“Pjesën tjetër të së vërtetës e gjejmë te rrëfimet e  Vasil Ballaurit: “Abazi ishte intelektual, ishte artist, ishte fisnik. Ai kish një botë shpirtërore me thellësi të tillë që mund të matej vetëm kur kompozonte meloditë e tij me vargjet e Alfred de Musesë, kish shpirtin e revoltës së heshtur, dufin e së cilës e nxori gjithë jetën ose duke lëshuar lot anës syve kur pushtonte gjithë pasion fisarmonikën ose duke pirë. Unë të paktën personalisht, Abazin nuk do ta harroj.” (Vasil Ballauri, “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, f. 61)

Muzika e tij ishte hyjnore

Këngëtari Nystret Frashëri rrëfen muzikën hyjnore të Abaz Hajros, e cila la të mahnitur banorët e Shkodrës. Ishte koha kur bëheshin olimpiada teatrore. Regjisori Dhimitër Orgocka kishte vënë në skenë dramën “Shtëpia në Bulevard” të Fadil Paçramit. Pjesë të saj ishin ilustruar me muzikën e Abaz Hajros. Ishin në Shkodër për konkurim kombëtar: “Pas shfaqjes një grup njerëzish më pyetën:  Ç’ishte ajo muzikë që dukej sikur binte nga qielli? Unë iu përgjigja: autori i saj është Abaz Hajro!” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)

Luante edhe pa partiturë

Ashtu siç e shkruante krijmtarinë e tij, pa instrument, ashtu e arkivonte edhe në kujtesën e tij, për ta nxjerrë prej andej kur i duhej, pavarësisht nga koha kur ishte shkruar. Një histori të tillë rrëfen Agron Pojani: “Ishim në Vlorë. Abaz Hajro kishte harruar në shtëpi partiturën e operetës “Agimi”. U kujtua vetëm pak çaste më parë se të luante operetën. Po tani? Kjo ishte pyetja e tij dhe e të gjithëve ne. Mbetëm të hutuar. Ai luajti pa partiturë. Gjithçka kishte qenë e fiksuar në shpirtin e tij. Na mahniti të gjithëve!” (Referuar kujtimeve të Agron Pojanit, valltar) 

Busti i dëmtuar i Abaz Hajros

Këngët e Hajros të drithëronin

Prej këngëve të Abaz Hajros drithëroheshin gjithë këngëtarët. Ishte virtuoziteti i tij që emociononte si këngëtarët me përvojë ashtu edhte këngëtarët e vegjël. Kompozimet e tij ishin njerëzore, të kapshme, të pëlyeshme, emocionuese, të paharrueshme, sikur vinin prej qiellit. Në festivalet e fëmijve çonte këngët të mrekullueshme. Jorgjeta Lalazi rrëfen fëmijërinë e vet si këngëtare: “Kënga më bënte të drithërohesha e gjitha. Kisha nisur të këndoja që kur isha në klasë të parë. Kisha marrë pjesë në të gjitha festivalet e fëmijëve dhe çdo vit isha vlerësuar me çmime. Këndoja me shoqen time Alma Subashi, me Astrit Koçibellin, me Afërdita Laçin, me Arsen Buzalin, me Ilir Qafzezin etj. Tasi Poda ishte udhëheqës artistik, Abaz Hajro dirigjonte, kompozonte dhe luante në fizarmonikë.” (V. Hasani “Solistja e grupit ”Nostalgjia”, Jorgjeta Lalazi: Ju rrefej jetën time”)

Kompozonte edhe për estradën

Abaz Hajros i duhej të mendonte për këngët e muzikës së lehtë, për këngët popullore, për këngëtarët e Estradës së qytetit, për  kupletet, paroditë, pantonimat etj: “Me krijimin e Estradës së Ushtaritë e cila ishte e dyta që u hap në Shqipëri, pas asaj të Tiranës, Spanja u aktivizua duke kënduar këngë popullore e të muzikës së lehtë. Në vitin 1960, në Estradën profesioniste të qytetit të Korçës, ajo doli si soliste kryesore me këngë të kompozuara nga Abaz Hajro dhe kompozitorë të tjerë…” (Raimonda Moisiu, “Tingulli i zemrës e ka emrin serenatë”)

 Njihte çdo dashuri të qytetit

Abaz Hajro njihte çdo dashuri të qytetit, çdo dhimbje dhe brengë, çdo pikë loti të rënë prej syrit. Njerëzit i kërkonin që loti i padukshëm i tyre të bëhej serenatë, dhe ai ulej dhe kompozonte. Këngëtarja Spanja rrëfen: “Abaz Hajro ua u gjente “telat” serenatave. Këto ishin tamam serenata, si përshembull “Sofati”. Kjo serenatë lindi për dy të dashuruar që “takoheshin” vetëm me sy, se vajza rrinte te sofati duke qëndisur:

Shkoj përditë rrugës sate si më parë,
por më parë të kisha ty,
sot kam mall.
Kjo serenatë më dukej sikur më këndohej mua, më ngjiti mua!(Qesh).

Serenata tjetër e Abaz Hajros:

“Ti më erdhe në netët e qeta”. Po iu them lidhjen time, sekretin e shpirtit dhe sinqeritetin e zemrës që mbartte kjo serenatë. Jeta ka çaste të bukura, çaste mërzitje e gëzimi, veçmas kur je e dashuruar. Isha vetëm 19 vjeçe dhe isha nën “ethet” e dashurisë së parë. Isha e trishtuar dhe melankolike, po bënim provat e Estradës. Më pyet Aleko Skali, dirigjenti: -Çfarë ke? Dy pika loti rrëshqitën nga sytë e mij. Vetëm kaq ishte dialogu, që solli tekstin e serenatës, që përmenda më lart”. (Rajmonda Moisiu, “Spanja Pipa, artistja që theu tabutë”)

Edhe trishtimi i tij ishte i bukur

Edhe kënga e mëposhtme u kompozua prej Hajros në pragun e një viti të ri, kur jashtë dëbora shtrohej si qilim, kur bota festonte, por dikush e vetmuar rrinte në shtëpi…I këndohet trishtimit që ndoshta ngandonjëherë vjen edhe pa arsye, por ndoshta edhe nga diçka që duhet mbajtur e fshehtë, edhe pse brenga të mundon:

“Sonte festë ka e gjithë bota,
botë moj gjithmonë paç gëzim,
verë e kuqe derdhet nëpër gota,
bora jashtë shtrohet si qilim.

Të gjitha shoqet në gostira vanë
vetëm unë sonte nuk festoj,
trimin e zemrës, që s’e kam pranë,
me mendime do ta shoqëroj…”.

Kështu u krijua edhe kënga tjetër ku dhimbja dhe dashuria, ndarja dhe malli rrinë bashkë, por ti nuk ia thua dot askujt; vetëm kënga të çliron shpirtin:

Ti më erdhe në netët e qeta,
në krahët e mia si demon,
më dehe me puthjet e fshehta,
si ëndrra që vjen edhe shkon…

Fizarmonika e Abaz Hajros nuk heshti asnjë çast; ajo ishte atje ku ishte dhimbja dhe trishtimi i njerëzve. Vasil Ballauri sjell një panoramë më të plotë të përpjekjeve të Abaz Hajros:  “Për rreth 25 vjet (a më tepër), në dekadat e vështira të viteve ‘60 e ‘70, në botën e vërtetë shpirtërore të rinisë, botë kjo që shfaqej fshehurazi e trazuar prej melodive e këngëve gjatë mbrëmjeve të dikurshme të vallëzimit, një rol qendror në qytetin e Korçës, luajti fizarmonika e papërsëritshme e rrënqethse, vajtuese dhe sidomos virtuoze e Abaz Hajros.” (V. Ballauri, “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, f. 61)

Këngët e tij mbetën gjallë edhe në kohën e diktaturës

Abaz Hajro mbajti gjallë serenatat e Korçës edhe në vitet e komunizmit, kur këto këngë nuk i shihnin me sy të mirë. Kështu shprehet muzikologia Mikaela Minga: “Nuk janë kënduar me lehtësinë e viteve të para apo kohës së lulëzimit, por në Korçë serenatat janë kënduar gjithmonë. Krahas saj ka pasur edhe autorë që kanë krijuar këngë të cilat ndonse nuk këndoheshin në skenë u bënë shumë të njohura. Ndër ta shumë të rëndësishëm për t’u përmendur janë kompozitori dhe fisarmonicisti Abaz Hajro, apo autori i vargjeve Aleko Skali” (Ani Jaupaj, “Si u ruajtën serenatat korcare”)

Kontributin e Abaz Hajros për ruajtjen e serenatës Korçare e vë në dukje edhe Spanja Pipa: “Serenatat nuk janë kënduar në skenë në atë kohë, më duhet të theksoj se kompozitori dhe fisarmonicisti i shquar korcar Abaz Hajro ua gjente “telat” serenatave. Ato ishin tamam serenata…” (Rajmonda Moisiu, “Rrëfehet Spanja Pipa me serenatën ndër buzë”) Krijimtaria e Hajros është gjallë edhe sot e kësaj dite. Ende këndohen serenatat e tij. Ai ishte pjesëmarrës i përhershëm në  koncerte e festivale, krijues i këngëve qytetare të Korçës; pjestar i Orkestrës Simfonike me dirigjent Kristo Konon. Drejtues i Orkestrës së Estradës Profesionistë të Korçës që nga viti 1956. La pas më shumë se 100 këngë e melodi. Lindi më 25 mars 1930 dhe u nda nga jeta në 6 shtator 1996. (V. Hasani, “Sazexhinjtë e Korçës në dasmën e mbretit Zog”)

Ishte njeri me botë të madhe

Kurse këngëtari Gaqo Prifti thotë: “Mjafton të dëgjosh vetëm këngët e tij dhe do të kuptosh sa i madh ishte dhe çfarë botë të gjerë shpirtërore kishte.” (Shirma Minga, “Gishti i tij rridhte mjaltë”)

Në shenjë nderimi ndaj vepër së Abaz Hajros, prej disa vitesh, ai ka bustin e tij në lagjen ku lindi dhe jetoi, por shumëkush mendon se Hajro nuk ishte krijuesi i një lagjeje por kompozitori që i këndoi me pasion Korçës, ndaj busti i tij duhet të jetë në qendër të qytetit. Kështu mendon edhe skulptori Bujar Sula, i intervistuar nga gazetari Tonin Froku, i cili thotë se Abazi i dha jetën Korçës:  “Abazi ishte ikona, e serenatës korçare, këngët që ka bërë Abazi janë të pavdekshme, janë korniza të mrekullueshme për kengën. Abazit i takon të jetë në qendër të qytetit. Këngët e Abazit i këndojnë korçarët e mirëfilltë, njerëz me kulturë, njerëz me horizont. Ishte i jashtëzakonshëm. Ai i dha jetën Korçës…” (Tonin Froku, “Ku duhet të vendoset busti i Abaz Hajros”) Dalja në skenë e kompozitorit të famshëm Abaz Hajro nuk ishte e rastësishme, Korça ka patur shoqëri muzikore që nga vitet 1661, dhe më parë, por kjo e vërtetë ishte lënë në heshtje, patëm rastin ta themi për here të parë tek gazeta “Telegraf”