Xhevat Mustafa: Çmimet rriten përditë, e jo nga një ‘çikë’!

348
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Deri kur do të mbyllni sy, veshë, gojë, për të ndjerë, përjetuar, reflektuar dhe reaguar si qytetarë, para rritjes  së çmendur të çmimeve, sidomos në periudhat e pushimeve verore në plazhe, para rritjes së pandërprerë të kostos së jetesës apo shqip fare, të varfërimit të përditshëm të të gjithëve, pra, edhe  ju, si qytetarë e pjesë e popullit konsumator?

Si qytetar e familjar, po ju drejtohem sot për një dukuri të moçme në këta 30 vjet. Fjala është për rritjen e fshehtë, të padeklaruar e të pajustifikueshme nga logjika ekonomike dhe periudha pandemike të çmimeve të shumicës së artikujve të ushqimit të përditshëm, si të vajrave të lulediellit ‘Olim’, ‘Fioriol’, ‘Gold’, ‘Teuta’, ‘King’…,  djathrave, vezëve, ujërave ‘Lajthiza’,  ‘Qafë Shtama’, ‘Tepelena’, ‘Selita’, ‘Kristal’, të disa zarzavateve, frutave( shalqiri, pjepri, pjeshkët, kajsitë, qershitë, fiqtë, lëngjet e frutave…Këtyre duhet t’u shtojmë edhe rritjen e faturave të energjisë elektrike, të ujit, internetit….Kjo rritje e çmendur e çmimeve vihet re në ‘BIG’, ‘SPAR’….e natyrshëm edhe në minimarkete dhe tregje të vogla në anë të trotuareve! Padashur ta politizoj, por mbështetur në përkimin kohor, këtë e kemi “peshqesh” nga 1 prilli i 2021, dita kur hyri në fuqi indeksimi me 2.8% i pensioneve dhe pas 25 prillit, i “fitorjes historike” të PS- RILINDJES në zgjedhjet alla shqiptarë të asaj dite. Kujtojini se sa ishin çmimet e këtyre artikujve jo shumë larg, më 23 qershor 2013, por  para 1 dhe 25  prillit 2021 dhe sa janë rritur sot, më 8 korrik 2021. P.sh, vaji ‘Olim’ 1 litër ishte rreth 150- 160 lekë, sot është 229 lekë. Pra, është rritur rreth 70 lekë ose mbi 30%. Herë pas here reklamohen më të madhe “ulje” çmimesh në 10-20%, por përgjithësisht janë mashtruese e për mallra përtej afatit të skadencës. Ndryshe nga ne, në Gjermani, Francë, Itali, çdo fundjavë çmimet ulen deri në 75% dhe brenda afateve të skadencës. Me këtë çmim të këtyre ditëve dhe viteve vajrat e  lulediellit, të ullirit, reçelërat, mjalti, qumështi,  djathërat e bardhë, gjalpi i ngrirë dhe i shkrirë, disa lloje masive të mishit të viçit, pulat, makaronat,  biskotërat, çokollatat, verërat, birrërat, tek ne….janë 25-50% më të larta edhe se në Gjermani, Francë, Itali…,. Por, siç dihet mirë, në këto vende pagat e pensionet janë rreth 5- 10 herë më të larta se tek ne, domethënë në Shqipërinë alla ‘rilindase’ dhe alla edramiste! Mjerë familjet e varfëra, me paga, pensione të ulëta dhe mbështetje sociale rreth 7.000- 7 500 lekë! Lum ne për “fitorjen e re” të 25 prillit! Por, prisni, prisni, nuk keni parë gjithçka akoma!

Fati ynë, të jemi viktima apo pengje të një dogme si komunizmo- socializmi e të qeverisjeve “të majta” me nivel të lartë korrupsioni dhe pashpirtësie si dhe pjesë të një populli me nivel të lartë fshatarizimi, varfërie, injorance, politizimi, partishmërie të verbër, shit-blerjeje tejet të lirë të vetvetes, votës dhe të blerjes tejet të shtrenjtë të vendit të punës, të të drejtave falas në shëndetësi, arsim, administratë, institucione shtetërore e qeveritare qendrore dhe lokale!!! Atëherë, vëllezër e motra nga “populli i majtë” prej rreth 76 vjetësh, një pyetje si vëlla e qytetar pensionist: për të na e nxirë edhe më shumë jetën dhe Shqipërinë i deshën dhe i dhatë votat e juaja Edi Ramës me shokë e shoqe, partiakë, pushtetarë, oligarkë…më 25 prill? Deri kur do të mbyllni sy, veshë, gojë, për të ndjerë, përjetuar, reflektuar dhe reaguar si qytetarë, para rritjes  së çmendur të çmimeve, sidomos në periudhat e pushimeve verore në plazhe, para rritjes së pandërprerë të kostos së jetesës apo shqip fare, të varfërimit të përditshëm të të gjithëve, pra edhe ju, si qytetarë e pjesë e popullit konsumator? Deri kur do t’i vështroni nga kafenetë këto forma “vjedhjeje” që na bëhet të gjithëve nga oligarkët dhe bosë më të vegjël të prodhimit dhe tregtimit të artikujve kryesorë të ushqimit jetik e të përditshëm, edhe me nivel cilësor të ulët, me doza të larta hormonesh apo të diskutueshëm edhe për skadencë??? Mos harroni: rreth 1 vit më parë, qytetarët e Parisit i vunë flakën disa pjesëve të kryeqytetit francez për të kundërshtuar heshtjen e Macronit për rritjen me 10 cent të çmimit të naftës dhe benzinës!!! Apo, e keni në majë të gjuhës justifikimin: ne nuk jemi gjermanë, francezë, amerikanë, haitianë…? Sa të jemi pengje, robër, skllevër të qeverisjeve gjasme të majta, nuk bëhemi këtë jetë 100% si këta popuj për nga niveli i zhvillimit, mirëqenies, demokracisë, shtetit ligjor…!Por, kur do të bëhemi fare pak si këta, qytetarë me nivel më të lartë qytetarie, emancipimi, sensibilizimi në mbrojtje të interesave tona jetike dhe me nivel të ulët partishmërie dhe politizimi, që të duam më shumë veten dhe familjet tona se partinë dhe kryetarin e zemrës??? Pas vdekjes dhe pas “mrekullisë së rilindjes” nga Rama- partia- qeveria”???

Në përmbyllje të këtij shkrimi po përcjell disa komente fare të shkurtra të disa qytetarëve, të cilët e bëjnë më konkret, më të besueshëm dhe më përgjithësues shqetësimin tim.

Kastriot Nik Peta Gjonçaj, diplomuar për ekonomi-financa:
Sipas disa llogaritjeve tepër të thjeshta në një postim të mëparshëm në facebook, kam llogaritur se në çdo 6% të  rritjes së çmimeve inflacioni rritet me rreth 1%. Pra, niveli aktual i inflacionit është mbi 6%.

Moni Kurici (Durrës, diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, për violinçel): Problem tepër i ndjeshëm për standardin e jetesës….papërgjegjshmëri e theksuar (kriminale) e qeverisjes…

Petraq Kote, shkrimtar, publicist: Dje ishte rritur 20 lekë buka masive(800-1.000gr.) në Fier, tani është bërë 120 lekë…

Ismail Mustafa(Fier): Jemi gatuar të nënshtruar, dhe s’po e ngrejmë dot kokën, varfëria e favorizon nënshtrimin dhe servilizmin.

Ndoc Bushgjoka, Tropojë, ekonomist, publicist, shkrimtar: Mundohesh më kot! Ata që i han dreqi i mallkuem, s’ka ça u ban Zoja e Bekueme. Sot ka vetëm foshnja në mjegull, e jo burra e gra që meritojnë nderim. Dhe po u kujtoj atë frazën e Apollonit të Kombit tonë: një lider duhet të jetë:  “i vendosur në drejtësi dhe jo kokëshkëmb në mbrapshti”!