Vendimi/ Bordi i Trasparencës do vijojë të jetë litar në qafën e bizneseve dhe qytetarëve nga çmimet e diktuara prej oligarkëve

84
Sigal

Duket se qeveria nuk ka ndërmend të heqë bordin, që cakton çmimet e karburanteve pavarësisht akuzave për mungesë transparence dhe dyshimeve mbi mënyrën e vendimmarrjeve për rregullimin e çmimeve të tregut në vend.

“Do vijojmë të mbajmë bordin e karburanteve, përsa kohë që çmimet e karburanteve do të vijojnë të jenë ndjeshëm më të larta se mesatarja afatgjatë në momentin e parë që do të ketë reduktim të ndjeshëm sigurisht do të dalim nga këto borde” tha ministrja e Financave Delinda Ibrahimaj sot në konferencë për median.

Ibrahimaj mbrojti funksionimin e bordit: Qëllimi ka qënë dhe vijon të mbetet kontrolli i çmimeve me qëllim mbrojtjen e konsumatorit. Sigurisht gjatë vitit tregtarët e përfshirë në këtë sektor kanë pasur ankesa të ndryshme dhe për arsye që ju përmendët.

Ka qenë periudhë e pazakontë. Ne kemi vijuar mbajtjen nën kontrol të çmimit të karburanteve që ka qenë ndjeshëm marzhi i fitimit më i ulët se gjatë vitit të kaluar. Ky ka qenë qëllimi ynë të kontrollonim çmimet e tregtarëve e çmimi tek konsumatori do të jetë sa më i ulët”

Hera e fundit që u mblodh bordi është më 20 dhjetor 2022 ku vendosi uljen me 3 lekë të çmimit të naftës, 1 lekë për benzinën ndërkohë gazi mbetet i pandryshuar.

Më shumë fitime për oligarkët

Ndonëse po konsumojnë më pak karburant për shkak të çmimeve të shtrenjta, konsumatorët shqiptarë po shpenzojnë shumë më tepër për të mbushur serbatorët e automjeteve të tyre këtë vit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, kompanitë tregtuese të naftës kanë importuar 9.2% me pak karburante gjatë nëntë mujorit të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

E kundërta ka ndodhur me shpenzimet e shqiptarëve, të cilët kanë paguar mesatarisht 26% më shtrenjtë për karburante brenda një viti ose rreth 185 milionë euro më tepër për të blerë më pak karburant në sasi.

Ndonëse nafta në bursa ka rënë ndjeshëm, në Shqipëri çmimet vijojnë të jenë 20% më të larta se në shkurt të këtij viti. Aktorët e tregut e shpjegojnë këtë diferencë me ndryshimin e konjukturës së importeve, që ka rritur kostot e tjera, shtrenjtimin e dollarit ndaj lekut.

Sipas tyre dhe ndërhyrja e Bordit me fiksimin periodik të çmimeve ka ndikuar në mbajtjen e karburanteve të shtrenjta, pasi tregtuesit nuk arrijnë të optimizojnë blerjet për periudha të gjata kohore.