Veliaj nga Njësia 2: Po mbolle pemë, po mbolle mirëkuptim, kush i bën 40 shkolla, i bën edhe 42 shkolla të tjera

108
Sigal

Gjatë takimit me banorët e Njësisë 2 në kryeqytet, kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj, tha se Berisha dhe Meta kanë dy programe, siç ka edhe dy koka. “Një program e kanë për ata që i kanë rrejt, që është Shkodra, një program tjetër e kanë për ata që duan me rrejt”,- theksoi Veliaj. “Nëse këta thonë që transporti bëhet falas dhe Tirana ka 20 linja autobusi në qytet, plus 19 rrethqytetase, bëjnë 39. Shkodra ka vetëm një linjë, laj-thaj. Pse nuk e bëjnë falas atë linjë? Të na tregojnë se aty ku ata qeverisin, kështu bëhet, që ta bëjmë edhe ne të tjerët? Besojmë te ideja se duke mbjellë pemë, nuk mbjellim sherr dhe duke mbjellë dashuri dhe mirëkuptim është më mirë se duke mbjellë inat dhe debat. Ju kujtohet e vetmja gjë që bën falas ata? E mbani mend tortën e Pavarësisë, i mbani mend kazanët, govatat, legenat, kacitë, sapllaket? Vërtetë falas ishte, por zgjati pak dhe ishte shumë e shëmtuar”,- tha Veliaj.

Nga ana tjetër, Veliaj shtoi se kush bën 100 punë, mund të bëjë edhe më shumë, duke ftuar të gjithë qytetarët që të besojnë tek ata që punojnë dhe jo te ata që gënjejnë.

“Kush i bën 40 shkolla, i bën edhe 42 shkolla të tjera. Unë jam shumë i ndërgjegjshëm që me gjithë vështirësitë që kishim me pandeminë, me tërmetin, me këto çmime të mallkuara, ne bëmë shumë punë, por ndoshta jo të gjitha. Por, dua ta mbyll bilancin e punëve të bëra me stadiumin. Deri dje, për ata, opozitën, stadiumi ishte arena e korrupsionit, arena e mashtrimit, arena e betonit, arena e kullave, arena e “Rilindjes”. Por, krejt papritur, këtë fundjavë u bë “Arena e demokracisë dhe e lirisë”. Ti mund të shash sa të duash, por punën e qeverisë së Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste nuk e mohon dot. Se vjen momenti ku do shkosh, e do ta bekosh, e do ta vlerësosh, e do bësh selfie, e do futesh me autobus, e do parkosh makinat mbi sheshin “Italia” dhe demokratët e shkretë erdhën për të parë stadiumin, se nuk iu lejohej, se ngaqë ishte stadiumi një zonë e  ndaluar, të shkretët erdhën për të parë stadiumin. Sa panë stadiumin, ikën, edhe ngeli Saliu me karriget bosh”,- tha Veliaj.