Veliaj: Lider i mirë, të dish të marrësh vendimet e duhura

19
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në eventin “Strategic Leadership Programme”, i organizuar nga Akademia e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë.

Për kryebashkiakun Veliaj, të jesh një lider i mirë duhet të kesh aftësinë të marrësh vendimet e duhura në momentin e duhur, pavarësisht kundërshtive momentale.

“Disa nga vendimet që marrim përditë janë vendime rutinë: për të ndërtuar një rruge, e cila mund të kërkojë prishjen e një muri, çka mund t’i prishë rehatinë e dikujt etj. Këtu pyetja nuk është a është kjo popullore, por a është gjëja e drejtë dhe e duhur për t’u bërë? Dikush mund të rezervohet për të bërë gjënë e duhur nga frika se mos nuk është popullore apo nga frika se histeria kolektive mund ta nxjerrë jashtë kontekstit. Por, nëse bota do të funksiononte kështu, asnjeri nuk do merrte asnjë vendim të guximshëm dhe secili do rrinte tek ajo rehatia së tij, ta kem mirë me këtë, me atë”.

Në mandatin e tij të fundit si kryetar bashkie, Veliaj tha se betejat kanë anën e tyre pozitive në vendimmarrje, sepse pa kundërshtarë, punët nuk do bëheshin më mirë.

“Fakti që kemi kundërshtarë, rivalë, ndonjëherë kemi edhe armiq të punëve tona të përbashkëta, kjo duhet të na motivojë, se do të thotë që puna jonë ka lënë impakt dhe ka prodhuar kundërshti; nëse puna nuk do prodhonte asnjë kritikë, as kundërshti, as reaksion, do të thotë që puna që po bën nuk ka asnjë peshë e asnjë impakt!”.

Sipas Veliajt, e rëndësishme në vendimmarrje janë përfundimet dhe jo pengesat që mund të hasen gjatë detyrës.