Rëndohet situata nga zjarret në vend, shtohen vatrat e digjen banesa

527
Vendi drejt katastrofës natyrore. Zjarret i afrohen banesave, shkatërrohen sipërfaqe të tëra me pyje. Reagojnë politikanë dhe qytetarë
Rëndohet situata nga zjarret, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 19 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, ndërsa në Mallakastër janë djegur tre banesa. Në Mallakastër është përfshirë nga flakët mesditën e djeshme kodra në Çorrush, raportohet se janë djegur tre banesa. Situata e zjarreve është rënduar edhe në afërsi të kryeqytetit, ku në Vorë është rrezikuar djegia e një magazine me fishekzjarre. Ndërkohë që shtetit përballë kësaj situate duket se është dorëzuar. Kryeministri Edi Rama publikon foto ku vullnetare të shumtë mundohen me mjete rrethanore të shuajnë flakët. Aktualisht në 21 bashki të vendit, mungon logjistika e duhur për përballimin e situatave nga zjarret. Ministria e Energjisë dhe Industrisë i është drejtuar me një shkresë konsorciumit të gazsjellësit TAP ku i kërkon që në kuadër të projekteve për interes të komunitetit lokal ku kalon ky investim, të mund të angazhohet sa më shpejt në blerjen e zjarrfikësve dhe auto-ambulancave për disa bashki. “Kërkojmë nga ana Juaj të financoni sa më shpejt që të jetë e mundur blerjen e auto-ambulancave për 8 Bashkitë, ku do të kalojë gazsjellësi TAP duke përfshirë edhe Bashkinë e Vlorës si një nga bashkitë më të rëndësishme në përdorimin e gazit nga ky projekt sikundër është TEC i Vlorës. Duke marrë parasysh situatën emergjente të zjarreve kërkojmë përshpejtimin e këtij procesi në blerjen e zjarrfikësve nga ana e TAP A.G dhe strukturave të kontraktuara nga TAP për këtë qëllim. Kjo mbështetje kërkohet në kuadër të angazhimeve që ka marrë TAP A.G. për financimin e projekteve për interes të komunitetit lokal”, thuhet në letrën e Ministrisë së Energjisë dërguar konsorciumit. Në përgjigje të shkresës së Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, konsorciumi i gazsjellësi TAP konfirmon se vendosi të prokurojë menjëherë: a)600 fikës zjarri shpine që mund të përdoren nga zjarrfikësit në terren. Këto fikës kanë kapacitet deri në 25 litra ujë dhe mund të përdoren në terren të vështirë. b) 100 uniforma personale për zjarrfikës që i rezistojnë temperaturave të larta. Ndërsa prokurimi i mjeteve zjarrfikëse me kalueshmëri të lartë dhe ambulancave do të nisë brenda muajit Shtator.

Kreu i Emergjencave Civile ka dhënë alarmin për mungesën e pajisjeve që do të bënin të mundur ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e zjarreve. Flitet për zjarrëvenie të qëllimshme, por personat e arrestuar për këtë qëllim janë në numër shumë të paktë në krahasim me vatrat e zjarrit. Ndërsa ka të dhëna se në këto zjarrëvënie të qëllimshme janë përfshirë dhe zjarrëfikës. Gjithsesi ende nuk ka shifra konkrete. 
Digjen tre banesa në Çorrush të Mallakastrës
Flakët që shpërthyen në fshatin Çorrush të Mallakastrës kanë djegur 3 banesa. Të dhënat e policisë, po ashtu edhe të banorëve ngrenë alarmin se flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe se gjatë ditës së djeshme është bërë edhe evakuimi i banorëve. Era e fortë ka ndihmuar në përhapjen e shpejtë të flakëve. Tre zjarrfikëse kanë qenë në vendngjarje, ndërsa për ta parë nga afër dhe monitoruar situatën ka shkuar edhe kreu i bashkisë së Mallakastrës. Në një prononcim për median Agron Kapllanaj kryetar i bashkisë së Mallakastrës u shpreh rreziku është evident, janë shkrumbuar pemë të tëra. Policia deklaroi se në datën 11.08.2017, rreth orës 11:45 njoftohemi se në fshatin Çorush, Mallakastër ka rënë zjarr. “Menjëherë shkojnë në vendngjarje shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, Polica Bashkiake dhe zjarrfikëset të cilët kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të zjarrit. Nga kqyrja e deritanishme dyshohet se janë djegur rreth 10 hektarë shkurre dhe rreth 4200 rrënjë ullinjë. Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarrin e ka vënë shtetasi L.L, 36 vjeç, banues në lagjen “Bajraktari”, Mallakastër, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Ky shtetas i ka vënë zjarrin një sipërfaqe të tokës së tij për të djegur disa barishte dhe për pasojë zjarri është përhapur dhe janë djegur rreth 10 hektarë shkurre”.
Sigal