Urë- Vajgurore, banorët: Të ndërpriten shpërthimet dhe të largohen guroret!

636
Sigal

Firmat e minierave i afrohen zonës së banuar, dëmtohen 400 shtëpi ndërsa lëndët plasëse po shtojnë sëmundjet e zemrës

Banorët e qytetit të Urës-Vajgurore gdhihen dhe ngrysen me frikë, pasi nuk kanë garanci për jetën e tyre. Qytetarët shprehen se, prej vitesh janë mbërthyer nga paniku, pasi banesat e tyre janë drejt shkatërrimit nga shpërthimet e fuqishme të lëndëve plasëse që përdoren në miniera për nxjerrjen e gurëve. Firmat e minierave kanë shkuar shumë afër zonës së banuar dhe si pasojë kërcënojnë jetën e qytetarëve që prej kohësh po kërkojnë ndihmën e shtetit. Lagja e “Gurores” në këtë qytet, po përjeton një tmerr të vërtet nga këto miniera, të cilat për interesa përfituese nuk mendojnë as për jetën. Ehlam Pasha një nga intelektualët e kësaj lagje shprehet për “Telegraf” se, gjendja është katastrofike dhe se banesat po shkatërrohen nga shpërthimet.

Situata

Nga një kontroll i ushtruar nga vetë banorët ka rezultuar se nga 600 banesa në këtë lagje 400 prej tyre janë të dëmtuara. Atyre u janë çarë muret, tavanet dhe u janë dëmtuar çatitë me tjegulla. Në momentin e shpërthimit të lëndëve plasëse gurët e mëdhenj lëvizin në drejtime të ndryshme. Një pjesë e tyre bien dhe në lagjet, ku banohet. Selam Tangu, 54 vjeç, banor i lagjes “Gurore” shprehet për “Telegraf”, se ai është i detyruar që të mbaj fëmijët mbyllur në shtëpi, për t’i ruajtur nga gurët që shpërthejnë. “Ne jemi të detyruar që të shoqërojmë fëmijët për në shkollë pasi kemi frikën e gurëve që s’merret vesh se nga të vijnë. Një shqetësim të madh, ne, kemi edhe moshën e tretë, të cilët janë bërë me zemër nga shpërthimet. Por ky nuk është i vetmi faktor që rrezikon jetën tonë, pasi tymi që del nga përpunimi i gurëve në minierë është një tjetër rrezik për ne”,- tha Tangu. Fillimi i punës në minierat e gurit nis që në orët e para të mëngjesit dhe kjo situatë vazhdon deri në orët e pasdites.

Kërkesa

Banorët e Urës shprehen se, i janë drejtuar qeverisë, prefekturës, qarkut dhe shumë institucione të tjera që të ndërhyjnë për largimin e minierave në lagjet e banuara, por kërkesat e tyre kanë rënë në veshë të shurdhët. Punonjësit e shtetit për interesat e tyre përfituese nuk duanë t’ja dinë as për jetën e njerëzve, të cilët po jetojnë me vdekjen në këtë zonë të minuar nga lëndët plasëse. Kërkesat e banorëve për largimin e tyre s’kanë sjellë gjë tjetër veç zgjerimin e aktivitetit të tyre. Këtu po pasurohen me jetën tonë, -thanë banorët e revoltuar.