Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë mbledh rrjetin Alumni

Çmime për ish-studentët e suksesshëm, krenaria dhe ambasadorët e UMSH

Të rinj të suksesshëm të cilët sot janë krenaria dhe ambasadorët më të mirë të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Ish-studentë të shkëlqyer që rikthehen përmes rrjetit ALUMNI në auditor. Ata ishin kryefjala e takimit që bëri bashkë personalitete publike, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partnerë strategjikë nga sektori privat dhe ai publik. Takimi u përshëndet nga Presidenti i Universitetit Mesdhetar, Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli “Dëshiroj të theksoj me krenari se mbi 80% e studentëve që përfundojnë studimet në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë punësohen menjëherë pas diplomimit. Shumë prej tyre, sot janë të angazhuar dhe japin kontribut konkret në institucione kyçe”, tha Angjeli. Ai theksoi se studentët dhe ish-studentët e UMSH, nuk janë thjesht produkt i një diplome, por mbartës të një misioni më të gjerë. “Ju jeni ura që lidhin dijen me veprimin, idealet me përditshmërinë, dhe ëndrrat me mundësitë konkrete. Në auditorët tanë studiohet për ekonominë e financat, drejtësinë, teknologjinë, shkencat humane, shëndetësinë, etikën dhe shoqërinë – por është në jetën tuaj profesionale dhe qytetare ku këto koncepte marrin jetë. Çdo vendim i juaji, çdo përfshirje në komunitet, çdo projekt apo nismë, është dëshmi e gjallë e fuqisë që ka edukimi kur udhëhiqet nga vlera.”

Sigal

Deputetja Evis Kushi, ftoi të rinjtë të mos humbin lidhjet me Universitetin. “Të gjithë ju që jeni pjesë e këtij rrjeti duhet ta forconi sa më shumë bashkëpunimin edhe me njëri-tjetrin por edhe me universitetin. Kontributi juaj është i rëndësishëm jo vetëm për Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, por edhe për ju”, tha Kushi.

Presidentja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa vlerësoi profesionistët që edukon Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë. “Universiteti Mesdhetar edukon profesionistë të denjë mbi të gjitha sot kur nevoja për ta është më e madhe se kurrë, për shkak të gjithë ndryshimeve që po pëson ekonomia dhe vetë shoqëria”, tha Muçostepa.

Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Adrian Civici theksoi se në këtë realitet sfidues, Alumni-t e Universitetit Mesdhetar janë shndërruar në simbol të një gjenerate që nuk pret ndryshimin, por e krijon atë. “Ju jeni jo vetëm pjesëmarrës në treg, por aktorë që e formësojnë atë: themelues startup-esh, drejtues departamentesh, menaxherë projektesh ndërkombëtare, specialistë të qeverisjes digjitale, të diplomacisë ekonomike, të ligjit ndërkombëtar e më shumë. Nga bankat e shkollës në zyrat e vendimmarrjes dhe riskut. Por të gjithë, pa përjashtim, e keni sjellë me vete ADN-në e universitetit tonë: përkushtimin ndaj vlerës, pasionin për të mësuar dhe aftësinë për të bashkëpunuar”, tha Civici.

Vetë ish-studentët shprehën falënderime për Universitetin Mesdhetar dhe për 12 prej tyre u akorduan edhe çmime për arritjet pas shkollës së lartë, si çmimi i karrierës, çmimi i etikës, çmimi i përfshirjes në politikë.