Universitetet në faliment / Tentakulat e oligarkëve kapin dhe arsimin, shpërblehen me 134 mln lekë në fund vit. Durrësi 17 vjet pa konvikt, ndërsa në Vlorë po falimentojnë nga borxhet e dritave dhe ujit

115

Për të tretin vit radhazi, Universiteti i Tiranës ka shpenzuar zero lekë për kërkimin shkencor dhe nuk është kursyer për të paguar 16 herë më shumë për rojet e godinës se sa paguan universiteti privat më i madh në vend. Edhe për paratë që shkojnë te oligarkët vlen e njëjta teori.

Sigal

Gijotina/ Nuk mund të mungonin dhe “dhuratat” e fundvitit për dy oligarkët që përvetësojnë me thasë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kështu, ortakët Samir Mane dhe Shefqet Kastrati kanë xhiruar në llogarinë e tyre 134 milionë lekë në prag festash. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje siguracioni për sigurimin e shëndetit të studentit specializant”, të cilin Rektori i UT, Artan Hoxha e ka rezervuar për miqtë e veçantë.

Për të dyja lotët, kontratat janë fituar nga kompania “INSIG shpk” që tani zotërohet nga Mane dhe Kastrati. Loti 1 ka vlerën 6,301,834 lekë (të reja) dhe është mbyllur me datë 20 dhjetor 2022. Për këtë prokurim kanë paraqitur oferta kompania “Sigal shpk” dhe “Insig shpk’. Por, fituese është shpallur kjo e fundit, që ka paraqitur ofertën me vlerë 6,274,788 lekë, sa 99% e fondit limit. Ky fakt duhej marrë parasysh si risk nga komisioni i tenderit, por para oligarkëve nuk vepron logjika e ligjit dhe e ekonomisë së tregut. Kështu, me lotin e parë, Mane dhe Kastrati futën në xhep 62 milionë lekë.

72 milionë lekë Loti 2

 Po në të njëjtën ditë, më 20 dhjetor 2022, Artan Hoxha iu ka dhënë dhe 72 milionë lekë të tjera dyshes Mane-Kastrati. Këto para janë dhënë për lotin 2 të tenderit me objekt “Blerje siguracioni për sigurimin e përgjegjësisë profesionale të studentit specializant”. Edhe për këtë projekt kanë marrë pjesë në garë firmat “Sigal shpk” dhe “Insig shpk”. Por, sërish fituese është shpallur kompania përmes të cilës, Mane dhe Kastrati po thithin paratë e institucioneve publike për sigurimin e jetës. Kështu, në total për një ditë ata kanë arkëtuar 134 milionë lekë për sigurime jete. Në fakt kjo kompani ka bërë kërdinë me tenderat e sigurime, ku nuk kanë munguar dhe kontratat e firmosura në shkelje të ligjit. Në 3 vitet e fundit kompani ka përfituar 181,348,162.00 lekë nga Thesari, përmes kontratave tenderuese.

Pazaret e Manes dhe Kastratit

Shefqet Kastrati dhe Samir Mane edhe pse janë dy nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri, nuk kanë rivalitet me njëri tjetrin. Madje bashkëpunojnë për zhvatjen e sa më shumë fondeve publike. Ata po përfitojnë shumë si ortak të firmës INSIG JETE, e cila qysh në vitin 2017 është blerë nga Samir Mane dhe Shefqet Kastrati.

Ky është dokumenti që mban firmat e Kastratit dhe të Manes. Një vit pasi kryeministri Rama privatizoi INSIG-un duke ia shitur EUROSIG-ut, u krye ky transaksion shitblerjeje. Më 10 maj 2017, të dy oligarkët e blenë këtë pjesë të kompanisë për 3.5 milionë euro, ku secili përfitoi nga 45 % të aksioneve dhe 10% të tyre i mbetën shitësit. Mos harroni se INSIG është shitur nga Qeveria Shqiptare tek Kadri Morina pronari i “EUROSIG, për 16 milionë euro.

Studentët në Durrës kërkojnë ndërtimin e një konvikti, ndërsa konviktet e Vlorës në prag falimentimi nga borxhet

Qyteza e studentëve në Vlorë gjendet në prag falimentimi nga shpenzimet për administratën, dhe faturat e papaguara të energjisë elektrike, të ujit. Në Durrës prej 17 vitesh nuk ka një konvikt për studentët.

Ndonëse renditet i dyti në vend për nga numri i studentëve, universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës prej 17 vitesh nuk ka një konvikt për studentët që vijnë nga rrethet. Një pjesë e studentëve kanë nisur mbledhjen e firmave për ndërtimin e konviktit, pasi shtëpitë me qira po shtrenjtohen dhe janë të vështira për t’u gjetur.

Studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kërkojnë ngritjen e një konvikti pranë këtij universiteti. Prej 17 vitesh, që nga krijimi, ky universitet nuk ka ende një konvikt për studentët që vijnë nga rrethet e tjera dhe që nuk janë të paktë. Për këtë arsye, një grup studentësh kanë ndërmarrë një nismë për mbledhjen e firmave të nevojshme në mënyrë që të angazhojnë institucionet për ngritjen e konviktit.

“UAMD është universiteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe pret shumë studentë nga rrethet, që në mungesë të konviktit duhet të paguajnë tarifa të larta për qiranë. Na duhen 2500 firma për ta çuar në instanca më të larta, deri më tani kemi marrë 400 firma”, -shprehet një nga organizatoret e peticionit.

Sakaq studentët, që vijnë nga rrethet e tjera tregojnë vështirësitë që hasin si për të gjetur banesa me qira në Durrës ashtu edhe për t’i paguar, ndërsa çmimet sa vijnë dhe rriten. “Për akomodim shpenzoj 25 mijë lekë”, thotë një studente, një tjetër shton se “është e vështirë të gjesh apartamente, sidomos pas tërmetit. Nuk ka shtëpi dhe janë shumë të vogla”. Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka pesë fakultete dhe numëron rreth njëzet mijë studentë, nga të cilët më shumë se 50% e të cilëve vijnë nga rrethet.

Qyteza e studentëve në Vlorë gjendet në prag falimentimi. Dhe shkak i dështimit, janë jo vetëm shpenzimet për administratën, por po ashtu edhe faturat e papaguara të energjisë elektrike, të ujit dhe njëherazi edhe taksat e akumuluara. Me një borxh të akumuluar në kohë dhe që është kaluar si stafetë ndër vite, shenjat e para duken tek mirëmbajtja e konvikteve dhe tek shërbimet ndaj konviktorëve. Borxhi i grumbulluar deri në momentin e publikimit të artikullit kap shifrën prej 66714597.97 lekë. Kampusi që akomodon të rinjtë studentë përfshin dy konvikte, për të cilat u deklarua se ishin rikonstruktuar dhe ishin gati për vitin e ri akademik. Por vetëm njëra nga godinat është me kushte të mira. Tek tjetra nuk është kryer asnjë ndërhyrje.