Uji në Krujë i helmuar që në qershor, nën hetim 3 zyrtarë

159
Sigal

Uji në Krujë ishte i helmuar që në qershor

Kryetari Artur Bushi u tha banorëve: – “Pijeni se është i sigurtë”

Ndotja e ujit dhe rastet e helmimeve të para në Krujë, janë denoncuar nga banorët e 3 lagjeve të qytetit, që në datën 28 qershor 2021, kur bashkia e la në heshtje me justifikimin se po lahen tubot nga dherat, meqë është linjë e re.

Të hetohen fabrikat e çimentos, që derdhin “lumenj” ujërash e “male” mbetjesh helmuese përgjatë linjës së Ujësjellësit. SPAK të mos heshtë dhe prokuroria të mos bëjë akrobaci në favor të krimit, por të prangosë kryebashkiakun trafikant e aventurier të Krujës, sepse kështu veproi dhe me 26 banorë që u vranë nga tërmeti në 26 nëntor 2019 në Thumanë, të cilëve u tha të futeshin në pallatin e rënuar, duke i mashtruar se gjoja kishte dalë i sigurtë me akt ekspertimi.

Bashkia dhe Ujësjellësi i Krujës, që nuk kanë fare laborator, brenda orës dolën me mashtrimin publik, se gjoja shkak i helmimit të ujit ka qenë amoniaku, ndërsa policia deklaroi, se shkak është urinimi e disa lopëve në stanin 100  metër anash depos së ujit.Ministrja Manastirliu tha po bëhen analizat; Prokuroria e Krujës tha se ka nisur hetimin; SPAK po hesht, ndërsa Rama tha, se uji që piu ai ditën inuagurimit të ujësjellësit, nuk ishte i helmuar.

Por askush nuk thotë, se përgjegjësinë për sigurinë e ujit të zonës e ka kryetari i Bashkisë Artur Bushi, si autoriteti kontraktor që ka firmosur marrjen në dorëzim të ujësjellësit dhe drejtori i Ujësjellësit në varësi të tij , i cili ka detyrim ligjor të bëjë analizat e ujit çdo 24 orë.

Ndotja e ujit dhe rastet e helmimeve të para në Krujë, janë denoncuar nga banorët e 3 lagjeve të qytetit, qysh në datën 28 qershor 2021, kur bashkia e la në heshtje me justifikimin se po lahen tubot nga dherat, meqë është linjë e re.

Por uji vazhdonte të ishte me ngjyrë e erë të rëndë; dhe pas ankesave të shumta, më 16 korrik 2021, kryetari i Bashkisë Krujë, publikoi një sqarim ose më saktë mashtrim zyrtar, me të cilin u bëri këtë thirrje banorëve: – Pijeni ujin, bashkia ju garanton se është tepër i sigurtë!

Ja pjesë nga garancia që u ka dhënë kryebashkiaku i Krujës për ujin:

“… Pas njoftimit të marrë nga banorët e 3 lagjeve për ngjyrën e ujit më datë 28.06.2021, urgjentisht është ngritur Grupi i Punës mes Bashkisë Krujë dhe Ujësjellës Kanalizime… dhe përveç analizave të përditshme nga laboratori i tij, të bëjë rishtaz analizat e ujit pranë Institutit të Shëndetit Publik dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës të UT, prej të cilave ka rezultuar që uji është i pijshëm dhe nuk ka asnjë element të dëmshëm për shëndetin e njeriut”.

Banorët e ndërprenë pirjen e ujit nga 28 qershori kur konstatuan ngjyrën dhe erën e rëndë dhe shijen e tij shqetësuese, e deri më 16 korrik kur Kryetari i Bashkisë i njoftoi ta pinin ujin se ishte i sigurt.

Mirëpo, ja që deri ditën e mërkurë më 27 tetor, numri i të helmuarve nga uji në Krujë ishte 510 persona, ndërsa paraditen e të enjtes janë shtuar dhe 60 të tjerë në spital e qëndrat shëndetsore të rrethit, pa llogaritur ata që kanë shkuar për kontroll e trajtim në spitalet Tiranë e Durrës.

Sipas dokumenteve që po publikojmë, uji i helmuar u përdor prej garancisë që dha kryebashkiaku, ndërsa pyetja për drejtuesit e Prokurorisë Krujë e SPAK, është kjo: – Përse nuk prangoset ky kryebashkiak trafikant e aventurier, që me mashtrimin e tij helmoi banorët?

Sepse, kështu veproi dhe me 26 banorët, që u vranë nga tërmeti më 26 nëntor 2019 në Thumanë, të cilëve u tha të futen në pallatin e dëmtuar, se goja ishte tepër i sigurt, kur Akt-Ekspertimi i Institutit të Ndërtimit e ndalonte banimin në atë pallat.Prokuroria lokale dhe SPAK, duhet të hetojnë mijëra metër kub ujëra e mijëra ton mbetje ujore dhe të ngurta kancerogjene, që lëshojnë e hedhin në natyrë dy fabrikat e çimentos në Krujë; mbetje që depërtojnë dhe në rrjetin e ujësjellësit, sidomos “lumenj” ujërash me squfur e rrezatim radiakiv, që dalin prej këtyre dy fabrikave. /Pamfleti

Tre zyrtarë merren nën hetim për ndotjen e ujit në Krujë

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë njoftoi të mërkurën fillimin e hetimit për “shpërdorim detyre” për tre zyrtarë që dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar ndotjen e ujit të pijshëm në Krujë, që solli si pasojë helmimin e qindra personave më 25 tetor.

Sipas njoftimit të prokurorisë, në kuadër të procedimit penal të regjstruar dy ditë pas konstatimit të helmimit të qytetarëve, ka filluar hetimi për administratorin e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalzimeve Krujë, Ledio Çela; drejtuesit teknik të kësaj ndërmarrjeje, Andi Kupa dhe Ervin Karafilit, shef i Shërbimit të Epidemiologjisë dhe Higjienës në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë.Helmime të ngjashme masive me të dyshuar ujin ka pasur edhe më herët në vend. Dy vjet më parë mbi 80 banorë të Bulqizës, përfshi fëmijë, u paraqitën në spital me shenja helmimi, por autoritetet nuk e gjetën shkakun.