Ing.Ahmet Çollaku: Nafta shqiptare, gjak apo vrerë

458
Sigal

Politikanët dhe qeveritarët flasin para banorëve të zonave naftëmbajtëse  edhe përse nuk e kanë idenë e naftës, duke u mbyllur gojën specialistëve. Të shposh në një pus në thellsi 6 mijë metra, është më e vështirë se të lëshosh një satelitë në orbitë. Pse nuk jepet informacion për Shpiragun, kontrata me Bllokun 4, si përdoren milionat e naftës për fushata elektorale, ndërkohë që qytetarët nuk kanë bukë të hanë

  • Të shposh një pus në thellësinë 6000 m, është më vështirë se të lëshosh një satelit në orbitë.
  • Pse nuk jepet informacion për Shpiragun?!
  • NAFTA SHQIPTARE, GJAKË APO VRERË
  • -Pusi i Shpiragut shfaqet herë si Kal Troje dhe herë si përbindësh
  • – Populli im, ngrehu bej inventarin e naftës, gjej sa naftë është paguar për gjithë votimet shqiptare. Nafta është pasuri dhe moral
  • – Të gjithë i fshihen naftës, kur, ndërkohë me paratë e saja bëjnë fushata dhe anti fushata, afrojnë dhe majmin miq dhe armiq

Ing. Ahmet Ҫollaku

Të gjithë liderët partiakë të vegjël dhe të mëdhenj janë gati të hanë njëri-tjetrin, ndërkohë  bëjnë sikur nuk duan  ta dinë fare se ç’bëhet me naftën shqiptare. Rama shkon për vizita në qytetin e Fierit dhe Patosit, po  bën sikuar vjen për herë të parë, sikur s’mban mend çfarë ka thënë dikur më parë. Në Shqipëri dëgjohet vetëm për Shpiragun, po deri më sot nuk kemi lexuar asgjë të shkruar nga specialistët e naftës që punojnë në puse, apo nga ata të digastereve qeveritare që paguhen me taksat tona. Flasin dhe bëjnë propagandë vetëm qeveritarët, që nuk dinë asgjë për naftën, ata që s’kanë idenë më të thjeshtë se ç’bëhet në thellësinë 6000m. Të shposh një pus në thellësinë 6000m, është më vështirë se të leshosh një satelit në orbitë. Partitë shqiptare, janë bërë gati për luftë. Dhe, për fat të keq, nuk është shumë e vështirë të gjesh qorra apo rrufjanë, që duan të marrin armët. Edi Rama është magjistar, herë herë edhe arrogant, po shumë i zhdërvjellët në diskurs. Ai mbledh pas vete çeta e çupërlina, dhe maskarenjë. Populli im është në një hall të madh. Ja e fshimë Ramën, po kë do të vëmë, Bashën? Si nuk tha dikush ku ka gabuar. Të paktën të thonë një gabim të vetëm! Të gjithë i fshihen naftës, kur, ndërkohë me paratë e saja bëjnë fushata dhe anti fushata, afrojnë dhe majmin miq dhe armiq. Qeveritarët shqiptarë Shpiragun e interpretojnë sipas interesave të tyre partiake. Kjo bëhet për propagandë, për vjedhje dhe mashtrim. Shelli futet pa pasaportë në fondet e naftës shqiptare, ndërkohë që autorët e mirëfilltë të perspektivës të zonës qëllohen me armë nëse i afrohen pusit një km.

Në Shpirag të Beratit ka kohë që bën kërkime kompania Shell.

Epopeja e shpimit të pusit të Shpiragut është e gjatë. Zbulimi i naftës në gëlqerorët poshtë Shpiragut u bë në vitin 2001 me pusin Shpirag-1. Pusi dha gaz kondensat, por me debite jo të larta. Në vitin 2009 u nënshkrua marrëveshja hidrokarbure me kompaninë Shell (Royal Dutch Shell), me operator Shell Upstream Albania. Në vitin 2013 Shelli shpoi pusin Shpirag-2. Me 4 nëndor 2013 u dha lajmi se në pusin Shpirag-2, u bë nje zbulim i ri, po struktura ishte zbuluar qysh në vitin 2001! Më pas, në jug të strukturës së Shpiragut u shpua pusi Molishti-1, kurse në vitin 2016 u shpua pusi Shpirag-3, po të dy këta puse, u pezulluan për arsye teknike. Pusi i vlerësimit Shpirag-4 shpuar nga Shell në vitet 2018-2019, në media u quajt si zbulim i ri nafte! Por të mos harrojmë se zbulimi i naftës në Shpirag erdhi pas disa operacionesh kërkimi, të kryera nga specialistët shqiptarë të naftës në vitet 1980-1990, dhe ato që bëri më pas, në vitet 2000-2005 kompania “Oçidental Petroleum Corporation”.

Kur u firmos kontrata për Bllokun 4, më 07 gusht 2015 Rama tha, tanimë kemi një marrëveshje që është një garanci e qartë dhe afatgjatë për përfitim reciprok, patjetër në interes të kompanisë, por edhe të popullit shqiptar… Tërësia e projektit vlerësohet të ketë një impakt me një rëndësi të jashtëzakonshme në ekonominë shqiptare…  Ndërkohë Drejtor i Shell, Rohan D’Souza, ka thënë, pak vite më parë që patëm një zbulim në Shpirag. Dhe në atë kohë ishim përpara një pyetje. A ka mjaftueshëm naftë të prodhueshme apo jo? Aktualisht jemi në fazën e vlerësimit…

Përsëri Rama me rastin e inaugurimit të shpimit të pusit Shpirag-4 dhe të nënshkrimit të kontratës hidrokarbure për Bllokun 4, më 20 shkurt 2018, thotë, se rezerva e jashtëzakonshme me naftë, që besohet se fsheh nëntoka e Shpiragut, janë një reserve, që mund ta transformojë njëherë e përgjithmonë të ardhmen, jo vetëm të kësaj zone, por të krejt Shqipërisë… Por çfarë thonë kolegët e mi, specialistët e naftës që qëndrojnë larg politikës, larg gjithë reklamave mashtruese. Këta janë specialistët e fundit të shkollës shqiptare. Të fundit, të dhëmbshit që nuk do t’i kemi më kurrë! Specialisti A. E.’thotë që: “Kur nuk e di të vërtetën nuk mund të flasish”. Me këto reklama ka vite që lozet. Duhet të mblidhet një grup ekspertësh shqiptarë që të zbardhin të vërtetën, po kjo nuk stimulohet nga qeveria. Sikur ne specialistëve shqiptarë të na tregohen të dhënat, ne do të jemi në gjëndje të themi shumë saktë si është realisht situata. Sa kam marrë vesh nëpërmjet shokëve, aty është gjetur naftë e hollë me një raport 30% gas dhe 70% naftë e hollë dhe për dy ditë pusi ka debituar rreth 600 ton. Po të jetë kjo e vërtetë, është për t’u kënaqur, por është shumë e vështirë të gjesh një material të filtruar… Specialisti P. O. thotë se: “Shpimet në Shpirag kanë shumë vite dhe shumë avari”. Në një grykë pusi janë bërë disa devijime. Me sa kam pyetur shokët tanë që kanë lidhjethonë se rezultatet janë shumë të mira. Shell nuk fillon shfrytëzim pa konturuar strukturën. Specialisti E. A.thotë se : “Deri tani flitet me dy gjuhë. Që të jenë të besueshme, duhet bërë një studim i evoluimit të debitit të pusit (puseve) një muaj rresht në mënyrë të pandërprerë.”

Kjo metodë na jep shifra të besueshme për prodhimin ditor.Vendburimi i pritshëm ndodhet në brezin tektonik të Beratit, ku kemi një vendburim industrial të vërtetuar, ndonëse modest. Pra nafta ka migruar nga strukturat karbonatike të eroduara në depozitimet e Neogenit apo të Paleogenit. Kështu që nuk përjashtohet rasti që të kemi në thellësi struktura të paeroduara e të mbushura me naftë, siç na del në Shpirag… Specialisti A. U.thote se:” Pusi ka arritur thellësinë rreth 6000 ml, janë ulur tubo pompë kompresor 2 e 7/8, është mbajtur në studim 72 orë me duzë 4 mm, presioni në grykë ka qënë 320 bar, nafta është e lehtë me densitet 0,820, ka dhënë 1060 fuçi/ditë ose 170 metër kub/ditë dhe një sasi gazi prej 3.3 milion cubic foot ose 94 000 nmetër kub/ditë.” Pusi është mbyllur dhe tani presionet në grykë janë 430 bar. Ky nuk quhet studim, por vetëm vrojtim. Di gjithashtu se rezervat paraprake për gazin janë vlerësuar16,5 miliard metër kub, dhe për Molishtin 9.4 miliard metër kub… Duhet të paktën edhe një pus tjetër për të vlerësuar rezervat, sepse kemi Shpiragun dhe Molishtin. Duhet të dimë është një vëndburim gazokondesati, nafte të lehtë me kapelë gazore, apo vëndburim gazi me brez nafte të lehtë. Specialisti A. T.thotë se: “Ka shumë probleme. Por një gjë është se ka naftë të lehtë.” Pusi i parë ka qënë 72 orë në vrojtim, ka prodhuar rreth 100 ton naftë në 24 orë dhe 70 mijë metër kub gaz, është një naftë e lehtë, kondensat, me densitet 0 820, presioni në grykë është 300 bar, që do të thotë në shtresë rreth 700 bar, është një vendburim gjigand. Por nuk dimë ende këto problem: 1. Përsa kohë vendoset presioni. 2. Faktori gazor 3. Vrojtimi është bërë me duze 4 mm kur ne studimin e fillojmë me 4 mm. 4. Studimi për një vendburim është 18 muaj, dhe minimumi të jenë tre puse, gjë që duhet të presim….

………………………………………………………………………………………………….

Shpiragu mund të zgjidhë plot ekuacione.

Me Shpiragun mund të përcaktohen përqindjet e votimeve, gjatësija e rrugëve, trashësija e asfaltit, turizmi, sasia e miqve…Nuk e di përse kjo kullë me brinjë dhe këmbë hekuri, vendosur në një luginë të bukur pranë malit të Shpiragut, herë-herë më shembëllen si bazë raketash. Kur kaloj këtu pranë, në vend që të meditoj peisazhin e bukur, stampuar përjetësisht në memorjen time që nga koha moniste, pushtohem nga një ndiesi e hidhur, e frikshme, se, në Shqipëri asgjë nuk lëviz. Dhe trishtohem shumë. Por kush do ta dijë për trishtimin tim? Asnjë!

Dikur këtë rrugë e bëja shpesh, atëhere kisha kohë ti numëroja plepat që i bënin hije rrugës dhe njerëzve. Jeta më dukej e gjatë dhe e gjelbër, atëhere ishte kënaqësi të ecje edhe në këmbë… Në monizmë vërtetë isha i varfër, por Shqipërisë i bija më këmbë dhe sy mbyllur kryq dhe tërthor. Kohët kanë ndryshur, tani pusi i Shpiragut aty pranë, më shfaqet herë si Kal Troje dhe herë si përbindësh.  Populli im, ngreu bëj inventarin e naftës, gjeje sa naftë është paguar për gjithë votimet shqiptare! Nafta është pasuri dhe moral!