Na kishte marrë malli, që deputetët donkishot të parlamentit, të bënin kompromis me ligjet e shtetit. I kemi dëgjuar të shahen në gjenezë, të akuzojnë për korrupsion, për afera e deri te droga, por i harruan të gjitha, ulën kokat, kur u doli përpara rroga. Deputetët tanë kameleon, kur është fjala për privilegje e përfitime, janë në sinkron, asnjë nuk kundërshton dhe kjo më kujton, 30 vjet më parë kur Kryeministri Meksi çoi në parlament ligjin për pension. Fillimisht e majta luajti teatër, duke e quajtur pensionin e deputetëve të lartë, por Meksi si “arkitekt” , u tha në ligjëratë, që mbeti postulatë. “Votoni këtë ligj votoni, që të përfitoni,se kur të dilni në pension do më kujtoni, që si zotërinj do jetoni, s’do ju dridhet dora për të pirë një kafe”, si pensionistët e zakonshëm që e kalojnë kohën me llafe. Këtu ranë parimet në tokë dhe u bashkuan bashkë, zotërinj edhe shok, e njëjta frymë u duk edhe sot, tundimit të rritjes së rrogës si rezistuan dot, këtë “dhunti” e shprehën me votë, edhe pse ekonomia është trok, ndihen krenarë, qerpiku nuk u lot. Qëndrimi kritik që mbajti deputeti Bujari, për opozitën do ishte qëndrim për së mbari, për opozitarët anonte nga interesi kandari. Kur diskutojnë për ligje shtetërore, kuvendi ndizet merr flakë në foltore, shahen e grinden pa asnjë shkak, bëjnë spektakël nga mëngjesi në darkë, dhe pastaj han në një çanak. Kjo rracë deputetësh që grinden në foltore, nuk ju vjen turp për rrogat përrallore, s’u skuqet fytyra, s’u skuqen faqet, kur shumica e pensionistëve s’marrin dot ilaçet. Votojnë qorrazi një kope me deputet, Shqipëria e vogël plot 140 vetë, në parlament, më shumë parazit e pa rendiment, plot injorant, që të japin mend, që t’i çosh për çoban, t’i humbasin dhentë. Kur kanë interesa bashkohen bashkë, të majtë e të djathtë, për fasadë njëri tjetrit i hedhin baltë, mbajnë bashkë bizneset dhe ndajnë paratë, kooperojnë në shtet edhe privat, popullit i hedhin hi në sy e në fytyrë dhe i voton prapë, me këtë popull miop do jetojnë gjatë. Një grup parazitësh i kanë zënë frymën Shqipërisë, të katër pushtetet janë bërë pis, megjithëse ekonomia ka filluar të lëviz, por gjithë shoqëria është në krizë. Janë 140 deputet, që vegjetojnë në parlament, prej tyre shumë pak japin rendiment, përse e kanë zënë atë vend, për të punuar apo për të na dhënë mend. Opozita e kapur dorë për dore, flamuri valvitet në foltore, me koalicionin “ Bashkë Fitojmë”, demokracinë po e rrëzojnë, nuk kanë gjetur rrugën ku po shkojnë me partinë e Lirisë flirtojnë. Shqipëria është pa opozitë, e djathta është kthyer në një bandë me komitë, në fund të tunelit nuk duket dritë, ligjëron Saliu si bandit, duke akuzuar hidh e prit dhe nuk hap rrugën për të rinjtë. Deputetët e djathtë janë të përçarë, ndjekin Saliun pas si zagarë, ndërgjegjja sadopak t’i ketë vrarë, këtu ka të humbur, s’ka fitimtar, ndaj duhet bashkuar për të çarë, këto janë parime, nuk ka pazar. Një parlament me 140 deputet, po të jenë të ndërgjegjshëm dhe të vënë mend, për demokracinë të jenë ekzigjent, për njerëz të ditur ka nevojë ky vend. Deputetët popullin përfaqësojnë, ndaj symbyllazi neve i votojmë, ata natë e ditë për popullin “mendojnë”, rrogat e pensionet e tyre të rregullojnë dhe kështu në çdo legjislacion parakalojnë dhe hallet e popullit i harrojnë. Përjashtim bën një deputet, ai e ka emrin Vullnet, por është i vetëm në minoritet dhe pse çdo vit për ndihma të varfërve u jep milionë lekë dhe rrogën e tij nuk e prek, e shpërndan për njerëzit në nevojë, nga ky shembull asnjë deputet s’do të mësojë, se ka vajtur në parlament të përfitojë, e jo të ndihmojë. Ky shembull është unik dhe flet për shumë vlera, por me një lule nuk vjen pranvera, kur parlamenti është kthyer në një kopsht me gjemba e ferra.
Deputetët tanë gjysmak, t’u thuash turp, e kanë pak, çdo epitet e kanë hak.