Qerim Vrioni: “Ndezja e cigares” një foto e rrallë 1956-ës mes dy barinjve

199
  •  “Ndezja e cigares”  një foto e rrallë e vitit 1956 e dy barinjve tepelenas
  • -Kopetë e rralla të bagëtive të tri fshatrave, Progonatit, Lekdushit dhe Golemit
  • – Fotoja është bërë në fshatin e ri ku po xhirohej filmi dokumentar “Pranvera e nëntë“
  • – Skenarist i filmit ishte kineasti i njohur Endri Keko, teksti shoqërues i përkiste poetit Llazar Siliqi
Sigal

Koha dhe vendi

Ka ndodhur edhe që ndezja e cigares (apo çibukut) një të panjohuri, të bëhet shkas për njohje, madje dhe për lidhje miqësore, pra fija e hollë e shkrepses, përpos cigares ka ndezur dhe zjarrin e miqësisë midis dy njerëzve. Veçse ky nuk është rasti i fotos tonë që po e titullojmë thjeshtë “Ndezja e cigares”. Gjithashtu, çastet e ndezjes së cigares edhe këtu, si rëndom, kanë një farë qetësie (se veprimi përgjithësisht, kryhet në heshtje), por disi edhe përzemërsi. Nga hulumtimet e deritanishme është gjetur se dy burrat e fotos janë barinjë nga fshati Progonat (Kurvelesh), të zbritur në fushën e Dropullit (Gjirokastër) rreth vitit 1948, me rastin e krijimit nga pushteti i kohës, të Kooperativës blegtorale “Asim Zeneli”. Ajo u ideua dhe krijua për të ndihmuar popullatën e një pjese të zonës malore të Kurveleshit për një jetë më të mirë ekonomiko-shoqërore. Burimet e saj njerëzore do të ishin blegtorë (bashkë me familjet e tyre) nga tri fshatra të krahinës, Progonati, Lekdushi dhe Golemi, të njohura për mbarështimin e bagëtive. Në foto shihet bariu Musto Gugaj, me fytyrë të paqtë dhe brucë të zezë, i cili pasi ka ndezur çibukun e tij, i afron qetësisht shkrepsen e ndezur kolegut të tij, Abaz Haxhiajt. Ky duket në foto shumë i përqëndruar tek ndezja. Ai mbulon flakën e shkrepses me duar për të mos u fikur e duke thithur thellë cigaren (ndoshta e dredhur vet me letër gazete). Në ndryshim nga Musto Guga, Abaz Haxhiaj mban hedhur supeve një pallto të madhe qyteti. (e dhënë përkohësisht ndoshta nga fotografi). Në një nga ato çaste ata edhe janë fotografuar. Shkrepja fotografike është realizuar në vitin e largët 1956, gjatë kohës kur në fshatin e ri po xhirohej filmi dokumentar (natyrisht propogandistik) “Pranvera e nëntë“ nga Kinostudioja “Shqipëria e Re" kushtuar kooperativës “Asim Zeneli” dhe sukseseve dhe përparimeve të saj. Regjisor dhe skenarist i filmit ishte kineasti i njohur Endri Keko, teksti shoqërues i përkiste poetit Llazar Siliqi, drejtor fotografie (operator) ishte Jani Nano dhe piktor Petraq Lubonja.

Fotoja

Fotoja mund të jetë një shkrepje-çasti (snapshot), pra në padijeninë e personave të fotografuar, thënë ndryshe, vjedhurazi, por po ashtu, e realizuar edhe sipas porosisë së fotografit, për të përsëritur, veprimin e kryer nga ata, pak çaste më herët (siç ka ndodhur me disa foto-ikona në fotografinë botërore dhe shqiptare si “Iwo Jima” (1945) e Joe Rosenthal dhe “Dorëzimi armëve”(1922) e Kel Marubit).

Gjithashtu, fotoja ndoshta është fryt i stampimit në letrën fotografike të një kuadri (sekuence) nga dokumentari (por pa përfshirë montazhin përfundimtar të tij) në celuloid dhe e përzgjedhur me mjaft shije, me gjasë nga drejtori i fotografisë, apo nga piktori i filmit. Këto e të tjera, të gjitha të marra me mend, kanë çuar në realizimin e kësaj fotoje në dukje rutinë. Fatkeqësisht ende nuk dihet (të paktën prej meje) edhe emri i autorit të fotos. Siç u cek më lartë, ka të ngjarë të jetë ndonjë pjestar i grupit të xhirimit të filmit, që ka pasur me vete një aparat fotografik, por sidomos shtysën dhe sqimën e brendshme të artistit për të përjetësuar një pamje mjaft të veçantë. Megjithatë, kushdoqoftë e kudoqoftë, në tokë a në qiell, ai duhet përgëzuar ngrohtësisht për këtë imazh të rrallë. Gjithsesi, koha, vendi, shkaku i realizimit të fotos, emrat e personave, autori i saj, lloji i aparatit dhe filmit, janë vektorë, disa të saktë e të vërtetë, të tjerë të hamendësuar, kanë rëndësinë e tyre, por rezultantja, vet fotoja mbetet më e rëndësishmja dhe i zbeh disi ato. Në fund të fundit, fotoja qëndron dhe do të qëndrojë përgjithmonë dinjtoze pa pasur nevojë për t’i shtuar asnjë të dhënë përcaktuese.

Plani i parë i fotos janë katër duart e dy barinjëve, ato përbëjnë dhe qendrën optike të fotos, aty zhvillohet edhe subjekti i saj, ndezja e cigares, pra, në një fare mënyre dhe qëndrën kuptimore të saj. Veçse punctum (sipas Barthes) i fotos mendojmë se është koka e Abaz Haxhiajt. Aty ngelet për disa çaste vështrimi i shikuesit, shkëputet prej tij e kthehet sërish. Madje, fotoja do të ishte pa fushë manjetike nëse nuk do të përfshihej në të portreti i Abazit, për këtë mjafton ta mbulojmë me një letër të bardhë atë. Marrja (fotografimi) nga poshtë vijës së horizontit, mendoj se i jep fotos edhe farë karakteri monumental, sepse kështu ajo shihet ashtu siç shikohen përgjithësisht shtatoret nga poshtë-lartë. Kështu fotoja merr edhe ngjyra gjithkohore, pra fotoja mund të vendoset në çdo kohë, pavarësisht veshjeve, që përcaktojnë vendin. Gjithsesi, për kumtet shoqërorë dhe psikologjik, frymën që përcjell fotoja, si dhe portretet e dy barinjëve (sidomos e Abaz Haxhiajt), ajo vragon mbresa të pashlyeshme tek shikuesit. Po ashtu, për karakterin, të themi monumental, fotoja ndoshta mund të frymëzojë dhe t’i shërbejë edhe ndonjë skulptori për krijmin e një skulpture parku me temë miqësinë e thjeshtë dhe të pastër. Fatkeqësisht, foton e kemi vetëm në versionin digjital, pra jo në letër, sepse ashtu do të ndihmonte më shumë për të dalluar ndonjë detaj, që mund të hapte ndonjë shteg të ri për leximin e saj. Sidoqoftë, mendoj se kjo shkrepje fotografike mbetet nga më mbresëlënëset e fotografisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, duke merituar kësisoj edhe një vend në historinë e saj. Në fund, duhet të përmend se këtë foto ma ka dërguar për t’a publikuar dhe shkruar diçka mbi të, miku im, poeti Petrit Ruka. Kjo ka ndodhur mëse dy vite më herët. Disa muaj më pas ai u nda nga jeta. Le të jenë këto rreshta edhe si një përkujtim dhe nderim për poetin e ndjerë.

Fshati “Asim Zeneli”

I vendosur në këmbët e Antigonesë në fushën e begatë, pas bonifikimit dhe sistemimit nga Pushteti Popullor. 26 familjet e para erdhën në vitet 1946. Këtu u formua kooperativa e parë blegtorale në Shqipëri, ose kooperativa e dytë bujqësore pas Krutjes. Banorët e këtij fshati vinin nga fshatrat e Kurveleshit: Progonat, Lekdush, Golem, Rexhin, Kuç dhe dy familje nga Zagoria. Më vonë erdhën edhe familje të tjera. Këtu lindën iniciativat e para të heqjes se çitjaneve dhe litarit të grave. Në nderim të Heroit të Popullit Asim Zeneli, fshati u quajt “Asim Zeneli”.