Suplementi Pena Shqiptare/ Skënder Buçpapaj: Ia shohim ëndrrën

116
Sigal

Ia shohim ëndrrën.
Ia shohim ëndrrat
njëri-tjetrit.

Mezi presim të dalim
dhe t’ia japim munxën:
Ta pashë ëndrrën!

Vdesim për t’ia parë ëndrrën!
Ëndrrat njëri tjetrit,
njëri-tjetrës-
njëra- tjetrit.

Ta pafsha ëndrrën! Mos vdeksha
pa ta parë ëndrrën. Mos vdeksh
pa t’u parë ëndrra, pa ta parë
unë ëndrrën!

Ta pashë ëndrrën.
Nga do t’ia mbash?
Tash
pasi unë ta kam parë ëndrrën?

Bukurinë e saj

Një çast të vetëm
nuk e përballoja dot bukurinë e saj.

Një çast të vetëm.

Pyesja veten:
Si do ta përballoja
gjithë jetën?

Të nxora nga ëndrra

Të kisha në ëndërr,
e butë si në fshikëz mëndafshi ishe,

e pëllumbtë si kullë fildishi.
Të nxora nga përjetësia e përkohshme të të sjell në përkohësinë e pavdekësisë.
Të nxora nga ëndrra ime, se të desha për vete.
E largët e lagët,
larvë e zbehtë që zhbëheshe në pikëtakimin e parë me jetën.
Të kisha në ëndërr, të nxora nga ëndrra.
Le pas mbresë të mosqenies,
le pas amë shkumësh shkimur muzgjesh.

Të kisha në ëndërr. Nuk më kishe në ëndërr.