U la i lirë nga Syriza e më pas grabiti bankën dhe qëlloi policët / Kush është shqiptari që u përmend në parlamentin grek?

283
Sigal

Javët e fundit Greqia është tronditur nga disa krime të njëpasnjëshme, të tilla si vrasja e një gazetari pasi doli nga një televizion; grabitja dhe mbytja e 20-vjeçares britanike në vilën e saj ( të dyshuar shqiptarë dhe gjeorgjianë) dhe së fundmi vrasja e 32-vjeçarit shqiptar Aris Papas javën e kaluar, i përfshirë në bandat kriminale.

Të gjitha këto zhvillime kanë bërë që në parlamentin grek të rikthehet debati mbi sigurinë. Ministri i Mbrojtjes Civile Michalis Chrysochoidis, akuzoi qeverinë e majtë të SYRIZA-s që ishte në pushtet për miratimin e ligjit të njohur si “Paraskevopoulos” që çoi në lirimin e 117 kriminelëve, me synimin për të lehtësuar mbipopullimin e burgjeve dhe dhënien e lirisë së parakohshme të të dënuarve që shfaqnin probleme shëndetësore.

Ndër kriminelët e përmendur ishte edhe shqiptari Neri Musta, i cili në vitin 2015 u dënua me 14.5 vjet burg, me akuzën e bashkëpunimit në dy vrasje bashkë me Mond Bajramin, por bëri vetëm katër vite e gjysmë pasi përfitoi nga ligji i sipërpërmendur i qeverisë Tsipras.

Rritjen e kriminalitetit ministri grek e lidhi pikërisht me faktin se 20 ditë pas lirimit nga burgu, Musta u përfshi në një grabitje banke në Parga dhe arriti t’i shpëtonte paq policisë. Më 8 shkurt 2020 policia u organizua për arrestimin e tre kriminelëve shqiptarë që kishin kryer grabitje në Kalamata, Parga dhe disa qytete të tjera. Policia u përpoq t’i kapte në Korint, por shqiptarët bënë rezistencë dhe qëlluan me armë në drejtim të efektivëve.

Nga shkëmbimi i zjarrit, dy nga shqiptarët u plagosën, dhe vetëm njëri prej tyre arriti të shpëtonte dhe ende është i lirë, pikërisht Neri Musta.