Tropojani me BMW nuk i bindet policisë, godet mjetet e patrullës dhe largohet me 12 mijë franga zvicerane në këmbë, kapet në Vorë

512
Sigal

Një 33-vjeçar me inicialet M.K., ka rënë në prangat e policisë së Tiranës. Sipas njoftimit zyrtar, 33-vjeçari ka qenë duke udhëtuar me një automjet të llojit “BMW”, me targa të huaja së bashku me vëllanë e tij, me inicialet, E.K..

I riu, me origjinë nga Tropoja dhe banues në Durrës është pikasur nga patrulla e Policisë Rrugore në autostradën Tiranë-Durrës dhe i është bërë e shenjë që të ndalonte.

Por, pavarësisht sinjaleve, i riu nuk është bindur dhe ka shtuar shpejtësinë, duke goditur dy mjete të Policisë Rrugore dhe duke rrezikuar jetën e efektivëve. Ai është nisur drejt Vorës dhe pas tij në ndjekje kanë qenë efektivët e Rrugores, si në filma.

Pranë Vorës, 33-vjeçari ka braktisur mjetin dhe është larguar në këmbë bashkë me të vëllanë, por është kapur dhe prangosur.

Gjatë kontrollit, të riut iu gjetën edhe 12400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta banke zvicerane, në emrin e tij. personi me inicialet M.K. do të akuzohet për “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrim prone”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërsa vëllai i tij shtetasi E. K. është proceduar penalisht.

Njoftimi i policisë

Vijon monitorimi i rrugëve urbane dhe interurbane, për zbatimin e ndalim qarkullimit të automjeteve. Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në Tiranë, Cërrik, Fier e Dibër, 4 drejtues mjetesh dhe është proceduar penalisht 1 pasagjer.

Sekuestrohen nga Policia Rrugore e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, 12.400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta bankash zvicerane.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 245 drejtues mjetesh, të cilët kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit dhe janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″. Në Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. K., 33 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Durrës, si dhe u procedua në gjendje të lirë vëllai i tij shtetasi E. K.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës i kanë dhëne shenjë për të ndaluar mjetit tip BMË me targa të huaja, në dalje të kryeqytetit, me drejtues shtetasin M. K, por ky i fundit nuk i është bindur dhe ka shtuar akoma më shumë shpejtësinë dhe manovrat e rrezikshme, duke u bërë rrezik serioz për veten dhe punonjësit e Policisë Rrugore, ku në tentativë për t’u larguar, ka goditur dy mjete të Policisë Rrugore të Tiranës, që po e ndiqnin pa ndërprerje, deri sa ka braktisur mjetin në një rrugë rurale në afërsi të Vorës dhe janë larguar në këmbë, por falë ndjekjes nga afër janë prangosur nga efektivët e rrugores, të dy personat dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore e procedurale. Gjatë kontrollit në mjet dhe në trup, Policia gjeti dhe sekuestroi 12400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta banke zvicerane, në emër të shtetasit M. K.

Arrestimi i shtetasit M. K., u bë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrim prone”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërsa vëllai i tij shtetasi E. K. është proceduar penalisht.