Treni me rrota të drunjtë

588
Sigal

Atë ditë isha në parkun e lokomotivave në pritje për punë. Pak para mesditës më urdhëruan që të lidhem me trenin e Shkodrës. Përgatita lokomotivën dhe u nisa për në stacionin e Durrësit të marrë ganiturën, pasi lokomotiva e linjës ishte me defekt. Aty hasa në vështrimin e drejtuesit të Degës së Udhëtarëve Petrit Tabakun, i cili pasi hetoi trenin nga fillimi në fund më uroi rrugë të mbarë. Aty për aty mendova se ai urim ishte si një himn harmonik që me tonin e lehtë përvajtues, i dallueshëm me vështirësi, por që tejkalon dhe format më karakteristike të një babaxhani, që njeh mirë hekurudhën shqiptare punon dhe drejton me aq sa i jep shteti.

Dëgjoj hapat e tij që largohet dhe hapat e rëndë të pasagjerëve që nxitojnë mbi peronin e trashë të stacionit për të hipur në tren. Pres pasagjerët që numërojnë qindarkat me fatet për jetën e tyre dhe sinjali për nisje drejt Shkodrës nga kryetari i trenit sikur më shkund nga një dremitje e padëshiruar.

Shkëputem nga stacioni ngadalë me një sirenë të zgjatur që ushtoi fuqishëm mbi qytet dhe duke humbur më pas në hapësirën detare. Kolegu im më afron cigare, e ndezim dhe vazhdojmë rrugëtimin me vështrim para nga linja e hekurt. Treni zvarritet dalëngadalë mbi vijat e hekurt që shndrisin nën rrezet e fundit të diellit. Zhurma e motorrit dhe e goditjeve të bandazheve në kokat e shinave krijojnë një harmoni si muzikë me vegla të prishur. Një muzikë e çakorduar, që e ndjek trenin në çdo stacion. Ato përplasen në mënyrë kaotike si një frymëmarrje që përhapet e zëshme në boshllëk, si britma melodioze e një dëshire, që dominojnë me sforco tërë linjën hekurudhore.

Në stacionin e Lezhës më ndodhi diçka e papritur. Sapo mora lejen e nisjes nga inspektori i shërbimit dhe sinjal nga kryetari i trenit, u nisa me shikim nga fundi trenit, kur në çast hapet dera e kabinës dhe hyri brenda një djalosh afro të njëzetave. Pa folur, në një heshtje varri ra në gjunjë në mes të kabinës, sikur kërkonte të fshihej nga dikush që e ndiqte nga pas.

Vështroj kolegun në sy, ai vetëm ngre shpatullat i habitur.

– Më ndjeni, – theu heshtjen në mënyrë të mistershme, me shikim të turbullt dhe me sy të trembur e vazhdoi. – Po më ndjek hasmi, mora vesh që është i armatosur, ai do të më vrasë. Më fshihni diku, ju lutem! Më fshihni! Do të jem në borxh me ju sa të jem gjallë.

E habitshme tek ai njeri i zhytur krejtësisht në terr ishte diçka e veçantë që s’të linte të mendoje më gjatë, paçka se po thyeje rregullat hekurudhore. Ai u mblodh kruspull si një grumbull i ftohtë hiri pas kaloriferit të lokomotivës. Me një shpirt të rrënuar e me sy të shuar, ku i kishte mbetur e ndezur vetëm një shkëndijë zemërimi e dridhma në trup që tregonin se ishte ende gjallë.

– E kemi të ndaluar, ore djalë, – i fola ashtu kot, se unë e kisha marrë tashmë një vendim.

– Në tren ndodhet hasmi yt? – e pyeti Ganiu, asistenti im dhe i afroi cigare nga paketa e tij.

Djaloshi me shikim tek majat e këpucëve te vet vetëm tundi kryet në shenjë pohimi. Dhe më pas hodhi sytë nga unë në formë lutje, ku kërkonin ndihmë.

E fshehëm brenda në gardërobë, ndërsa treni po i afrohej fushës së Zadrimës. Ai po mbijetonte nga rrënojat e shpirtit të tij. Ashtu si paqartësia që njerëzit ndonjëherë rrethon dhe si drita që zbret nga lartësitë dhe sjell në muzg uragan që kacafyten midis tyre në terr. Ai djalosh nxirrte klithma nga shpirti i sakatosur, ulërinte e bërtiste, që po humbte pa shijuar të mirat e botës, gëzimet fëminore që i ishin shuar, jetën e vet, që s’po dinte si ta drejtonte. Por, askush s’e dëgjonte ofshamën e tij në grahmat e fundit. Në pamjen e botës së tij studiohesh filozofi trishtimi. I mashtruar nga ngjarjet e kohëve të reja, i shembur, i zhgënjyer nga tërë ai pompozitet e lavdi thurur për epokën që po jetojmë.

Libri i pluhurosur gjakatar po vërsulet në mënyrë të tmerrshme, të frikshme, duke ndalur vrullin e jetës. Dhe brezat njerëzor ikin të zbrazur e bëhen të panjohur, zhytur në errësirën e padijes. Ku mund të ishin ata kasnecët e dikurshëm, që të shpallnin, jo vetëm dëmin e tij, por edhe të ndërprisnin helmin depërtues në arteriet e gjakut…? Dhe bëzhdilat e marritë që kanuni mbart, duhen pastruar nga mendjendriturit, që sot e ndjejnë veten të përbuzur. Ora e tyre shpërthyese ka ardhur. Ngrihuni, o burra si qëmoti e t’i bashkojmë forcat kundër Judës gllabëruese! Të gjithë duhet ta luftojmë këtë shtrigan kanun!

Treni ecën ngadalë midis fushës së Zadrimës, sikur ka rrota druri e jo hekuri, atë lëvizje të avashtë mbajnë vijat hekurudhore, ndërsa mendimet lëvizin me shpejtësi në kryet tanë. Sa do të donte ai njeri të arrinte sa më parë në shtëpi, gjithashtu edhe unë, që më dukej sikur mbaja një peshë të rëndë mbi supe. Rrëzë fushës qëndron si i përgjumur shyta e Hajmelit. Ai ngjitet mbi të hijerëndë, duke fshehur pas shkëmbit lukuni që trembin vocërrakët në ëndrrat e tyre. Dielli po perëndon dhe zogjtë i ngjiten shytës përpjetë. Ngjishen njeri pas tjetrit, mezi po lëvizin dhe drita po fashitet. Një shpend grabitqar po i ndjek duke rrahur krahët me tërbim, turma e zogjve ngujohet pas shkëmbit, por njeri s’arriti në kohë dhe ra preh e grabitqarit.

Djaloshin e ngujuar në lokomotivë për një çast e krahasova me ata zogj dhe diçka e kobshme m’u mblodh në gjoks. Duke përsëritur këtë marrëzi qesharake vetëm çorientoj mendimet. Pastaj, mundohem të zbus veten time, por s’gjej asgjë qetësuese. Irritohem për ata krijesa që vdesin pa merituar. Pra, s’ka as dhe një qetësim, ndaj jam i gatshëm të përsëris rishtas mendimet ogurzezë. Për një moment ai djalë m’u duk si njeriu legjendë, sikur vinte nga mistika e do të hynte midis një mjegullnaje drithëruese, ku do të gllabërohej nga njerëz me fytyra kafshësh.

Në errësirë treni arriti në stacionin e Shkodrës, duke shtuar edhe më shumë tensionin shpirtëror në kabinë. Fashat e dritave që vinin nga godina e stacionit binin me mundim mbi vagonët e udhëtarëve. Djaloshi i fshehur dukej sikur s’merrte as frymë, unë me kolegun tim hetonim çdo njeri që zbriste nga treni. Mekaniku shkëputi lokomotivën nga vagonët dhe bëri të ditur lëvizjen e mjetit nga ana e pasme e trenit. Tërhoqa me të shpejtë levën e kontrolierit, motorri ulëriu dhe lëvizi drejt nga fundi i stacionit, duke lënë pas poteret e pasagjerëve dhe hijen e ligë të gjakmarrësit.

Tek ndërrimi i linjave hekurudhore, djaloshi u nda me ne me shumë përzemërsi. Ai sikur ka mohuar shpirtin e tij zbret nga mjeti me pamje tronditëse, duke hetuar vendin e mbuluar nga terri i natës. Sytë e tij kohë më parë plot ëndrra, qëndrojnë tashmë të palëvizshëm dhe në mënyrë të frikshme. Mbas një falenderimi të zgjatur, humbi me shpejtësi në thellësi të një zabeli anës udhës së hekurt.

As s’e pyetëm për emrin, as nuk u bëmë kureshtar të mësonim ngjarjen e atij djaloshi enigmatik, pasi si ai ka shumë ngjarje të këtij lloji në vendin tonë që presin zgjidhje të menjëhershme.

Vladimir SHYTI