Frano Kulli/ “Fishta si dëshmi e identitetit shqiptar” Një botim i munguar

(rreth librit  të Viktor Sopit,botim i Institutit Albanologjik-Prishtinë)

Asnjëherë nuk është e lehtë të shkruash për Fishtën, njërin prej më të mëdhenjve të kulturës sonë,të vlerësuar e gjykuar në një mënyrë të skajshme kontraverse, herë i rrokulluar si një mit e një tjetër herë i zhytur shtatë pash nën dhé me njëjtin (synimin) për ta lënë gjithnjë të ndaluar. E megjithatë, gjithpërfshirja kulturore dhe intelektuale e tij, në rolin e protagonistit, përreth një gjysmë shekulli, kurorëzimi që në gjallje si poeti kombëtar, vetë  vepra e tij, e gjendur ndërmjet lavdisë superiore dhe mohimit absolut, ka qenë megjithatë gjithherë joshëse. Antologjia “Fishta-Dëshmi për identitetin shqiptar” e Viktor D. Sopit, botim i Institutit Albanologjik Prishtinë,vjen si një rèquiem (lutje) i  dëshiruar për Fishtën, por edhe si një pulsant kujtese për veprën e vet dhe për lexuesin e saj gjithashtu. Autori e sjell këtë buqetë antologjike  të përzgjedhur me kujdes e dashuri, si një vlerë të shtuar në edicionet e deritanishme të veprës së Fishtës. Them të deritanishme, sepse sado të duket si punë e kryer,(tashmë vepra e tij e plotë në dhjetë vëllime është e botuar) paraqitja e veprës së një shkrimtari klasik, siç është në gjithë dimensionin e vet Fishta ynë, asnjëherë nuk ka të sosur. Nevoja për të hulumtuar rreth tij dhe veprës është dhe mbetet e pambarimtë. Fishta, përbrenda një shekulli, atij të njëzetit përjetoi vlerësimin gati mitik në gjallje të vet dhe mënjanimin e përbuzjen tragjike , për gjysmën e dytë të këtij shekulli të mbushur me terr për fatin e shqiptarëve ,natyrisht dhe të letërsisë  e kulturës së tyre, në përgjithësi. E megjithatë u rikthye vezullueshëm , kur dukej e paimagjinueshme përndritja pas apokalipsit që ishte shfaqur për të…Në  përgatitjen e kësaj antologjie dallohet në rend të parë  ndjesia misionare e autorit të saj; nevoja për të kontribuar edhe ai për identitetin tonë kombëtar, nëpërmjet një dëshmie si Fishta. Ai arsyeton se: “… leximi i veprës së pasur poetike të Fishtës, në çdo kohë ndihmon në formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në ngritjen e moralit qytetar.” -Apostull të lirisë së atdheut dhe misionar të kulturës shqiptare-e çmon diku tjetër ai në vlerësimet e nxjerra nga vëzhgimi  i hollë prej studiuesi, por edhe nga vetë qenia e tij intelektuale në mision. Kurse struktura e librit antologjik, siç e ka zgjedhur ta parashtrojë, autori ka në bazë përzgjedhjen e një lënde të larmishme e shumë të pasur poetike të Fishtës, duke nënvizuar idenë se Fishta nuk është vetëm “Lahuta e Malcìs” e vlerësuar si eposi i shqiptarëve të shekullit të njëzetë. Sopi e sheh Fishtën edhe “si lirik të veçantë, si satirik të veçantë dhe si poet që shkruan me shumë mjeshtri e inovacion poezi refleksive e religjioze”. Dhe pasi ta kesh kundruar librin e beson dhe përjeton gjithësisht kumtin e autorit të antologjisë. Mendoj se kjo është jo vetëm risi për librin, por është vetë risia e botimeve dhe ribotimeve këtu e këndej, të veprës së klasikut të madh. Por dhe gjithçka tjetër rreth saj. Është tamam kjo që vjen si nevojë e lexuesit të tij dhe këtë nevojë e dëshirë, autori i antologjisë: “Fishta-dëshmi për identitetin shqiptar” jo vetëm ka tentuar ta bëjë që në krye të herës, duke fiksuar në laboratorin e vet këtë linjë, por edhe ia ka arritur ta sendërtojë më së miri atë. Jo vetëm përzgjedhja me sqimë e finesë e tekstit poetik, por edhe shqyrtimi analitik që i paraprin cikleve poetike të përzgjedhura, ia bën lexuesit të lehtë jo vetëm kuptimin, por edhe përndijimin e shijimin maksimal të vlerave sipërore estetike të artit fishtian. Përzgjedhja e poezisë “Methamorphosis” në ciklin prej 8 poezish satirike të Fishtës dhe bashkëlidhja interpretative e bërë nga autori i antologjisë, për satirën e Fishtës ka kërkuar edhe kompetencë njohëse, por edhe kurajë intelektuale, për t’u ballafaquar me keqkuptimin shpartallues (me dashje) në dëm të autorit dhe të veprës, që ka vijuar për një kohë të gjatë. Kjo ka ndodhur, mjaftueshëm duke shkëputur nga konteksti logjik dhe satirik i poezisë strofën:

Sigal

 Ta dijë Shqypnija

Pra, e sheklli mbarë,

Se mâ mbas sodit

Unë s’jam Shqyptar.

 Kurse sa i përket ciklit të poezive me motive religjioze dhe meditative, pastaj këtu, sigurisht që dom Viktori ndjehet shumë më në fushë të vet. Duke i paraqitur në antologji, të përcjella me analizën e komentet që ai bën për to, padyshim që siguron për lexuesin e Fishtës një kod e një çelës të ri leximi, sidomos për atë zhanër poetik siç është cikli i poezive të tilla. Që në krye të herës, për arsye studimi, por edhe për të sugjeruar një mënyrë leximi të tekstit letrar, autori i antologjisë i ndan në dy grupe a lloje këto poezi. Në grupin e pare: poezitë fetare dhe meditative ai zgjedh e komenton shtatë prej tyre, origjinale të Fishtës, por edhe shqipërime nga Manxoni, bie fjala, si “Të ngjallunit” etj, që përbëjnë një cikël të frymëzuar prej ungjillit (Biblës).Kurse një lloj tjetër i dytë fillon me “Të grishun për muej të Majit” dhe mbyllet me poezinë “Zoja e Shkodres” dhe përmbledh disa prej poezive fetare formative, siç i kategorizon dom Viktori.Tipike në këtë lloj, ai veçon poezinë “Urata e atdhetarit shqyptar”. Në këtë poezi autori vë në gojën e atdhetarit shqiptar një lutje për Zonjën e Këshillit të Mirë (Shën Marisë),  Pajtores së Shkodrës dhe dashamirëses së popullit shqiptar …

 Ndritjau menden Shqyptarvet,

Qi t’lidhin besë e fe

E si motit për Atdhe

T’qindrojnë këta me gajret,

Qi mos t’u dhimbet jeta

Për t’mbrojtun dhen e t’Parvet.

 Posë sa më sipër, Antologjia përmban edhe një tubë (cikël) elegjish, lloj për të cilin, autori thotë se nuk “është bërë fjalë sa duhej”. Më duket se edhe këtë e ka arsyetuar mirë, duke i vënë kështu kapak një libri të vlefshëm me poezi mjaft përfaqësuese të Fishtës, një libër deri më tani i munguar. Përveç përzgjedhjes mjaft përfaqësuese të poezive të paraqitura në antologji, qoftë mbi motivin e mesazhin që përcjellin, qoftë për nga vlerat artistike me të cilat ato janë realizuar, një tjetër vlerë me shumë peshë në antologjinë e Viktor Sopit është pajisja e saj me shënimet filologjike, që në rrafsh studimor shfaqin e mishërojnë një seriozitet të madh dhe krejt lirshëm bindin për dashurinë e madhe e seriozitetin studimor me të cilin është punuar. Janë jo më pak se 373 sythe të tilla shpjeguese, për fjalë e fraza të përzgjedhura dhe të përdorura prej poetit nëpër rreth 40 vite krijuese të tij, të gati një shekulli  më parë  dhe jo në më shumë se në 63 poezi të paraqitura në antologji. Një produkt dhuratë për gjuhën shqipe, për përdoruesit e saj dhe veçanërisht për lexuesit e pasionuar të Fishtës.